Udhëtimi i Justin Godartit nga Tepelena në Gjirokastër*

Ornela

Dr. Dorian Koçi

 Tërheqja e trupave franceze nga Korça në 15 maj 1920 dhe përfshirja e kësaj krahine në shtetin shqiptar, lufta e Vlorës qershor dhe hyrja e forcave qeveritare shqiptare në 3 shtator 1920 në Vlorë si dhe lufta kundër forcave pushtuese të Mbretërisë Serbo-Kroate-Sllovene në verë-vjeshtë 1920 i siguruan Shqipërisë tërësinë territoriale dhe një nga kushtet kryesore për të zhvilluar lirinë e vet politike dy vjet pas përfundimit të Luftës së Madhe. Për të ndërtuar një shtet modern, për të hyrë Lidhjen e Kombeve si për t’iu bashkangjitur zhvillimeve urbane që kishin ngërthyer Ballkanin pas tërheqjes përfundimtare të Perandorisë Osmane nga Evropa, Shqipërisë i nevojitej dhe një përkrahje ndërkombëtare. Dy ishin Fuqitë e Mëdha që kishin një zë të fuqishëm në skakierën diplomatike e pas Luftës së Madhe: Britania e Madhe dhe Franca. Në rastin e Britanisë së Madhe mbështetja ndaj Shqipërisë lehtësohej më tepër nga Shoqata Anglo-Shqiptare e themeluar nga personalitete të larta të shoqërisë britanike si Ish-Koloneli i nderuar Aubrey Herbert, Lord Lamington e Edith Durham. Në rastin e Francës për shkak se trupat e saj ishin përfshirë deri vonë në administrimin e territoreve shqiptare si dhe balancës mbështetëse që Republika Franceze mbante ndaj Serbisë, një aleati tradicional në Ballkan, mbështetja ndaj Shqipërisë komplikohej. Qarqet konservatore dhe ato ushtarake franceze nuk kishin një interes të drejtë për së drejtë në Shqipëri edhe pse politika liberale e Francës kishte ndezur një vatër kulture e përparimi në Korcë me themelimin e Krahinës Autonome të Korcës.

Franca u gjend aktor dhe faktor politik në Ballkan pas zbarkimit të Armatës së Lindjes në Selanik. Repartet franceze të Armatës së Lindjes përparuan kah perëndimi në drejtim të kufijve të Shqipërisë dhe në tetor të 1916-s pushtuan Korçën. Para ardhjes së francezëve qyteti i Korçës ishte në duart e ushtrisë greke, e cila e kishte ripushtuar zyrtarisht qytetin në korrik 1914. Në emër të popullsisë së krahinës, një komision korçarësh i kërkoi komandës franceze largimin e menjëhershëm të trupave greke dhe ngritjen e një administrate shqiptare. Pranimi i kësaj kërkese, themelimi i Krahinës Autonome të Korçës krijoi premise për tendenca positive në politikën franceze në rajon. Mes qarqeve liberale franceze u shqua politikani dhe intelektuali Justin Godard (26 nëntor 1871-12 dhjetor 1956). Ai ka qenë një personalitet politik francez me ide përparimtare, deputet dhe ministër në qeverinë  e Francës gjatë Luftës së Parë Botërore. Justin Godart ka qenë një mik i Shqipërisë, të drejtat e së cilës i mbrojti në arenën ndërkombëtare. Së pari më 1921, pasi kishte ngritur zërin në përkrahje të të drejtave kombëtare të shqiptarëve të marra nëpër këmbë nga Fuqitë e Mëdha fituese të Luftës së Parë Botërore dhe nga shtetet fqinje ballkanike dhe së fundi, më 1950, kur ishte zgjedhur kryetar nderi i shoqatës së miqësisë Francë-Shqipëri. Justin Godart ka shkruar dy libra për Shqipërinë “L’Albanie en 1921”-Shqipëria më 1921 dhe  “L’Albanie en 1922”-Shqipëria më 1922, botuar të dy në Paris në vitin 1922. Në librat që shkroi ai shprehu besimin në veprimtarinë e forcave demokratike të popullit shqiptar.[1]

Librat e tij u shkruajtën si refleksione të udhëtimeve të tij në Shqipëri, ku ai njohu me detaje e në terren larmiritetin e kulturës politike shqiptare, dëshirën për zhvillim, prapambetjen urbane si dhe kompliksitetin e shoqërisë shqiptare. Mes përshkrimeve të udhëtimeve të tij spikat përshkrimi që ai bën udhëtimit nga  Tepelena për në  Gjirokastër. Të dy qendrat urbane shquheshin si qendra të patriotizmit që kishin kontribuar në ringjalljen e shtetit të ri shqiptar. Përshkrimi i të dy këtyre qendrave urbane në faqet e librit janë dëshmi të gjalla të një historie sociale që sa lidhet me zhvillimet politike në Shqipëri po aq dhe dëshmojnë vullnetin dhe vitalitetin e popullsisë vendase  që nën spiralet e urbanizimit  e modernizimit po  nënshtrohej elementëve të rëndësishëm të shtet formimit. Godard përshkruan pozicionin gjeografik të rrugës Vlorë -Tepelenë që atij i duket si  një trajektorje që  është e ngjashme me atë që bëhet në Alpet tona.[2]Kjo lloj afërsie në përshkrim dhe në tonin e rrëfimeve të tij i tejkalon përshkrimet e udhëtarëve të huaj që  vizituan Shqipërinë e që shpesh herë shkruanin për të si “terra incognita”. Godard nuk mënon që të mbaj qëndrim kur  përshkruan shkatërrimet ende të freskëta të fshatrave të krahinës nga forcat greke të pushtimit në vitin 1914. Pirgje me rrënoja, mure të rrëzuara me terrritore të papunuara është spektakli që shfaqet shkruan Godard duke dokumentuar edhe njëherë tjetër në opinionin publik botëror masakrat greke në Shqipërinë e Jugut. [3]Këto masakra Godard i krahason me dëmet e tmershme të tërmetit që ra në Tepelenë në 26 nëntor 1920. Vizita e tij pason një qendrim në fshatin Bënçë të Tepelenës duke përshkruar trashëgiminë kulturore të krahinës e të sundimit të Ali Pashë Tepelenës. Rruga është e prerë në shumë pika, që tregon seksionin e kanalizimit të ndërtuar nga Ali Pasha që furnizonte Tepelenën me ujë. Një ujësjellës i bukur  me 20 harqe të ngushta, do të bënte një dekor të bukur, por ka një shtyllë në këmbë e mbështjellë  nga një urth që maskonte çarjen e hallkës së rrëzuar. Më andej në tekst  pason përshkrimi i fshatit  Bënçë ku Godard jep dëshmi për një mbishkrim që pamë daton mbi 300 vjet më parë.[4]Ky mbishkrim nuk është identifikuar sot dhe nëse do të kishte një fotografi të tij do të hidhte dritë mbi historinë e krahinës. Godard dokumenton lëkundjet e tërmetit dhe jep një numër të saktë të shtëpive të fshatit Bënçë që ishin 120, të banorëve të fshatit rreth 480 dhe humbjeve njerëzore nga ky tërmet që ishin 14.[5] Takimi i tij me popullsinë vendase përshkruhet në libër me tone të ngrohta dhe diskursi nuk fiton ngjyrim orientaliste edhe pse personazhi më kryesor që takon është shehu helveti i fshatit. Dolën për të na pritur shkruan Godard nja 50 burra të veshur me bruce të zeza të mbledhur rreth shefit të tyre, që është edhe hoxha i fshatit. Pritja që na u bë ishte shumë e përzemërt. Kërkojnë falje që mungojnë shumë gjëra, por pak nga pak arrijnë në një tavolinë të ngritur  jashtë, vezë, djathë të freskët, një dhi e pjekur bukë misri  të ngrohta. Këta njerëz, fshati i të cilëve  është i shkatërruar, kanë një mikpritje  me një dinjitet  dhe lehtësi që të mahnit. Dhe në këmbim na kërkojnë thjeshtë që mos të harrojmë të punojmë në Francë për lirinë e atdheut të tyre. Për nderin tonë ata formojnë një zinxir valleje dhe përplasin  hapat e tyre me një këngë ku bëhet fjalë për Kongresin e Berlinit të vitit 1878 ku u sakrifikuan  interesat e Shqipërisë. [6]Tashmë është e dokumentuar që Justin Godard takoi Sheh Aliun, babain e Heroit të Popullit Abaz Shehu, veprimtar i shqiptarizmit që nga fillimet e shekullit të XX. Godard i ka bërë përshtypja vallja labe por mbi të gjitha ai jep një dëshmi të rritjes së ndërgjegjes kombëtare mes masave të gjera kur përshkruan se kënduan një këngë që i këndohej Kongresit të Berlinit 1878 dhe ngjarjeve që pasuan në copëzimin e  hapësirave shqiptare. Godard është një dëshmitar i paanshëm i historisë. Kështu p.sh kur përshkruan rrugën Tepelenë- Gjirokastër, ai flet për masakrat greke në Hormovë por në të njëtën kohë edhe për sjelljet jo dinjitoze të ushtrisë italiane të pushtimit në po të njëtin fshat. Historia e Hormovës shruan Godard është tragjike. Më 1914, grekët therrën gjithë meshkujt mbi 15 vjeç. Pas dramës së tmerrshme gratë dhe fëmijët filluan të punojnë. Ushtarët italianë donin të shkonin me gra dhe dy prej të tyre u vranë. Disa ditë më vonë një bateri  italiane u pozicinua në bregun përballë dhe qysh atëherë, kjo tokë fatkeqe nuk punohet. [7]

Përshkrimi i qytetit të Gjirokastrës është një përshkrim poetik që rastësisht disa dhjetë vjeçarë më vonë e gjejmë dhe tek “Kronikë në gur” e shkrimtarit Ismail Kadare. Gjirokastra shkruan Godard –është qyteti i çative. Ato shfaqen me pllaka të sheshta guri gri. Të shtrira mjaftueshëm për të mbledhur shiun[8]. Sërish ai bën një përshkrim të trashëgimisë kulturore të Ali Pashë Tepelenës në jug kur përshkruan kështjellën dhe ujësjellësin e famshëm. Gjirokastra është një qytet i bukur piktoresk dhe original. Në rrëzë të një vargamali  të pjerrët dhe të zhveshur, me gryka të thella me kalime përrenjsh, qyteti  që dominohet nga kështjella është vendosur mbi tremë shtetëse, mbushur me shtëpi të mëdha e të forta që mbulojnë pjerrësitë dhe mbuhsin boshllëqet. Për rikonstruktimin e këshjellës, Ali Pasha urdhëroi ndërtmin e një ujësjellësi. Ujësjellësi e çonte ujin mbi truallin e ulët, në drejtim të kullës së madhe perëndimore. Arkitektura, stili dhe përbërja etnike e qytetit  nuk vihet në dyshim nga Godard siç ishte mëtuar prej kryeministrit grek Elefterios Venizellos në Konfencën e Paqes në Paris në 1920 për ta përfshirë në shtetin grek. Në të kundërt ai jep detaje nga historia e afërme e qytetit kur shkruan se na është dukur, se ai është qytet tipik shqiptar, nga arkitektura dhe nga shpirti. Atje gjithmonë është ngjizur rezistenca kundër të huajit, atje Çerciz Topulli vrau komandatin turtk, prej atje kohët e fundit megjithëse mbi një shkëmb të tarracës së kështjellës u shpall pavarësia e Shqipërisë, më 3 qershor 1917 në emër të mbretit të Italisë, nga gjeneral Ferrero u nisën skuadrat për çlirimin  e Vlorës.[9]Për më tepër Godard jep dëshmi në faqet e librit të tij për tiparin më të rëndësishëm të shoqërisë shqiptare- harmoninë fetare  midis besimeve të ndryshme. Gjirokastra shkruan Godard është një qendër  myslimane e rëndësishme, por ku mbretëron toleranca dhe harmonia. Ne pamë që të ngjiten në banesën tonë, së bashku priftërinjtë ortodoksë, dervishët bektashi dhe hoxhallarët. [10]

Godard në një stil lakonik rrëfen për një episod që ilustron më së miri intrigat e fuqive ballkanike dhe pasivitetin e Fuqive të Mëdha  për ti vënë fre ambicieve të territoriale dhe shkatërrimtare të këtyre të parave para fillimit të Luftës Botërore. Kur grekët më 1914 shkruan Godard dogjën fshatrat shqiptare, perandori gjerman Wihelm ishte në pallatin e tij në Korfuz dhe i thonin që të gjitha flakërimat që dukeshin natën, ishin zjarre të ndezur  nga gëzimi për të. Ndërkaq Gjirokastra, e pushtuar nga grekët, kërcënohej gjithashtu  nga flakët. Kryetari i Bashkisë donte ti bënte thirrje perandorit për ndihmë, të paktën për rrezikun që kanosej. Konsullata gjermane në Janinë refuzoi që ta transmetonte telegramin. Kryetari i Bashkisë atëherë shkoi që të takojë konsullin francez të Janinës  që menjëherë shkoi në Gjirokastër me gruan e tij: me praninë dhe paraqitjet e tij, ai e pengoi  komandantin grek që të zbatonte projektin e tij të kobshëm dhe ndejti ne qytet deri sa  çdo lloj frike u mënjanua. Kjo na u tregua nga dëshmitarët e kësaj drame, një mbrëmje, pasi i zoti i shtëpisë  na luajti  me fyellin e tij, melodi  të barinjve të Kurveleshit, vendlindja e tij.

Rrëfimet e Justin Godard  botuar në dy libra  hedhin dritë mbi një periudhë historike shumë të rëndësishme të Shqipërisë. Dokumentacioni i pasur historik për këtë periudhë ka zbardhur hap pas hapi dinamikën e ngjarjeve por jo imazhin dhe mesazhet që i janë përcjellë nga terreni në përfundimin e Luftës së Parë Botërore dhe reasturimit të shtetit shqiptar opinionit publik evropian. Në këtë mënyrë ky dokumentacion ka shërbyer për të analizuar post factum rrjedhën historike të ngjarjeve kurse botimi dhe publikimi i mbresave të këtyre udhëtimeve të Justin Godard zbulojnë përpjekjet, ballafaqimet por edhe dilemat e popullsisë shqiptare dhe elitës politike të saj por edhe të Fuqive të Mëdha mbi egzistencën e stabilitetin politik dhe ekonomik të shtetit më të ri të Evropës. Si të tilla ato janë një dëshmi e paçmueshme e asaj se çfarë shikohej në terren dhe në realitet dhe sesi evoloi qëndrimi politik i Francës në restaurimin e pavarësisë shqiptare, anëtarësimin e saj në Lidhjen e Kombeve në 1921 dhe pranimin në gjirin e Evropës së pas Luftës së Parë Botërore.

 

 Bibliografi

 

-Evlia Çelebi, Shqipëria 350 vjet më parë, Horizont 2003, faqe 41-43.

-Johan Georg von Hahn, Studime Shqiptare, Instituti i Dialogut & Komunikimit, Tiranë 2007, faqe 79-81.

-Justin Godart, Shqipëria në vitin 1921, Shtëpia botuese “Fan Noli”, Tiranë, 2019, faqe 57-61.

-Fjalor enciklopedik shqiptar, Akademia e Shkencave e Shqipërisë, Tiranë, 2008, faqe 770.

Fjalor Enciklopedik Shqiptar, Akademia e Shkencave e Shqipërisë, Tiranë, 2008, faqe 2677-2679.

-Mimoza Karagjozi Kore, Gjirokastra. Vështrim historik, gjuhësor, etnologjik, Dudaj, Tiranë 2014, faqe 27-31.

-Novruz Shehu, Enciklopedia e Tepelenës, Morava, Tiranë 2005, faqe 652-653.

 

 

 

 

*Kumtesa e mbajtur në Simpoziumin shkencor “100 vjet nga udhëtimi i Justin  Godart në Shqipëri”, organizuar nga Muzeu Historik Kombëtar dhe Seksioni i Shkencave Shoqërore dhe Albanologjike të Akademisë së Shkencave së Shqipërisë.

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

[1] Muin Çami, Fjalor enciklopedik shqiptar, Akademia e Shkencave e Shqipërisë, Tiranë, 2008, faqe 770

[2] Justin Godart, Shqipëria në vitin 1921, Shtëpia botuese “Fan Noli”, Tiranë, 2019, faqe 58.

[3] Justin Godart, Shqipëria në vitin 1921, Shtëpia botuese “Fan Noli”, Tiranë, 2019, faqe 58.

[4] Justin Godart, Shqipëria në vitin 1921, Shtëpia botuese “Fan Noli”, Tiranë, 2019, faqe 58.

[5] Justin Godart, Shqipëria në vitin 1921, Shtëpia botuese “Fan Noli”, Tiranë, 2019, faqe 58.

[6] Justin Godart, Shqipëria në vitin 1921, Shtëpia botuese “Fan Noli”, Tiranë, 2019, faqe 58.

[7] Justin Godart, Shqipëria në vitin 1921, Shtëpia botuese “Fan Noli”, Tiranë, 2019, faqe 58.

[8]-Justin Godart, Shqipëria në vitin 1921, Shtëpia botuese “Fan Noli”, Tiranë, 2019, faqe 60.

[9] Justin Godart, Shqipëria në vitin 1921, Shtëpia botuese “Fan Noli”, Tiranë, 2019, faqe 60.

[10] Justin Godart, Shqipëria në vitin 1921, Shtëpia botuese “Fan Noli”, Tiranë, 2019, faqe 60.

 

Share This Article
1 Comment
  • Ja pra sa shume na paskan dashur greket.
    Edhe zjarret e shtepive te djegura ja paraqisnin botes si zjarre gezimi.
    Gezonin shqiptaret prej pushtimit grek dhe u vinin zjarrin shtepive!
    Gezo o Edvin Rama edhe ti,qe dergove kufijte detare ne Hage,qe t`i masakrojne greket.
    Mire Shaban Muratin nuk e degjon,,Mire Specialistet Detare nuk i pyet,,Mire popullin Atdhetar e sikterris,Mire Konventat Nderkombetare te Vendosjes se Kufijve po i shkelmon,,por te pakten degjoje kete shkencetarin e Madh Francez,qe shkruan ato qe ka pare me sy..

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *