Moikom Zeqo
Në 5 mars 1885 mbërriti me anije nga Trieste në Durrës Johan Georg Von Hahn. Ai ishte konsulli perandorak i Austro-Hungarisë në trojet shqiptare. Ishte një burrë i gjatë, me fytyrë të mprehtë. 39 vjeç.
Pasioni i tij jetik dhe fatal qenë udhëtimet.
Ai e konceptonte gjeografinë si tempullin e historisë. Për shumë arsye të pashpjegueshme dot deri në fund ai kishte një kuriozitet të thekur dhe përvëlues për historinë e shqiptarëve.
Shqiptarët në shekuj qenë një popull enigmatik, madje i harruar. Por ç’është harresa? Thjesht mosnjohje.
Hahni kërkonte t’i zhbironte të fshehtat. Ai ca kohë kishte qëndruar në qytetin e Janinës pastaj kishte ndërmarrë disa rrugëtime në brigjet e lumit Vardar por edhe në brigjet e Drinit.
Kishte lexuar tërë autorët antikë por dhe kronistët bizantinë, kishte mbledhur motive dhe fragmente informative për shqiptarët. Ai besonte që shqiptarët rridhnin nga ilirët e vjetër, vëllezër me trakasit dhe maqedonasit. Ndoshta dhe populli parak legjendar i pellazgëve ishin stërgjyshërit mitikë të shqiptarëve.
Historia para Hahnit qëndronte si një ekuacion algjebrik me shumë të panjohura. Fragmentet qenë të mangëta, por pikërisht imagjinata e nxiste kërkimin e tij.
Qyteti i Durrësit kishte formën e një katasrofe, ku spikatnin muret madhështorë bizantinë të ndërtuara nga Perandori i Bizantit, Anastasi, ku kishte lindur dikur në shekullin V-të në këtë qytet, ngriheshin midis ndërtesave të rrënuara, minareve të xhamive dhe barakave prej druri, duke krijuar idenë e një madhështie të svetnuar të kohërave.
Hahni u vendos në shtëpinë e një komisioneri austriak që merrej me tregtinë detare, i quajtur Tedeskini.
Qëndroi disa ditë në mikpritjen e Tedeskinit dhe vëzhgoi rreth e qark, duke kërkuar monumente.
Pa skulptura të thyera, mbishkrime në latinisht dhe në greqishtene vjetër që ishin murosur në sfondin e Portës së Madhe në qendër të qytetit. Perandoria automane e kishte atrofizuar Durrësin.
Hahni u tmerrua kur pa sesi i merrnin pjesët e kolonave dhe kapiteleve antike dhe i fusnin në furrat e zjarrit për ti shndërruar në gëlqere. Kjo gjë iu duk e tmerrshme, por nuk kishte fuqi t’a parandalonte. Hahni mbante shënim çdo gjë, i vizatonte monumentet dhe kopjonte mbishkrimet
Mbas disa ditësh në shoqërinë e një shqiptari, Ahmet Beqirit, dhe të një kolegu të tij me emrin grotesk dhe operistik Balerini, të hipur në mushka, vendosi të fillonte udhëtimin e ëndërruar drejt të papriturave.
Udhëtarët lëviznin me një peisazh, mes pemëve, të ndriçuara nga dielli. Por ndriçimi qe vetëm ana e jashtme. Ky peisazh në brendësi kishte një terr injorance të plotë. çdo gjë ishte si në një grafik të Dyrerit, bardhë e zi.
Zakonisht në muzg karvani i vogël ndalonte, gjenin ndonjë shtëpi apo han fshati ku pushonte. Hahni mbante në dorë një hartë ushtarake italiane dhe vendoste piketa në të gjitha pikat që vizitonte.
Kur arritën në fshatin Priskë afër Tiranës Hahni u ndodh përpara një zbulimi të habitshëm, por jo të historisë, të gjeologjisë. Në Priskë fshatarët kishin goditur me qysqi hekuri disa shkëmbinj të mëdhenj. Ata nxirrnin pllaka për ndërtim.
Befas gjatë proçesit të punës, në brendësinë e një pllake, afro tri metra u duk skeleti i një kafshe detare, një farë ngjale e madhe, të kohërave të hershme gjeologjike. Dukej qartë skeleti i kafshës, një skelet që ishte i vështirë për t’u klasifikuar. Hahni u shtang kur e pa këtë skelet.
E skicoi dhe bëri përshkrimin e tij. Ishte e pamundur që t’a mbarte me vete. Por ky skelet i parathonte gjenezat parabiblike të tokës së shqiptarëve. Vëndasit, të kapluar nga bestytnitë, u trembën kur e panë këtë skelet. Ata menduan se ishte skeleti i një dragoi, sepse përrallat e tyre qenë plot dragonj dhe ata i besonin dragonjve.
Ndonëse ata hiqeshin sikur ishin muahamedanë, në thelb ishin paganë të mbijetuar.
Shqiptarët ishin mikpritës, analfabetë dhe naivë. Të veshur varfërisht dhe të ushqyer keq. Por megjithatë tek ata mund të vëreje një fisnikëri të dikurshme të zhdukur. Netëve rreth zjarrit të ndezur, duke pirë një verë të kuqe, habitërisht të mrekullueshme, të bërë nga vendasit, Hahni bisedonte me bashkëudhëtarët e tij.
Ahmet Beqiri kishte mbaruar studimet në Stamboll, por dhe në Paris. Ai ishte nga një familje feudale nga Tirana. E kuptonte që mentaliteti otoman ndryshonte nga mentaliteti europian. Qe i dyzuar mes tyre. Ai e pyeste shpesh Hahnin për origjinën e shqiptarëve, të kombit të tij të pafat. A është e vërtetë që shqiptarët lidheshin në hershmëri me albanët e kaukazit? Disa dijetarë kishin shkruar se Albania në Kaukaz dhe Albania në brigjet eAdriatikut kishin lidhje me njëra tjetrën? Si është e vërteta? Hahni e kishte studiuar këtë subjekt. I mbështetur tek Herodoti kishte parë nomenklaturën e toponimeve, të Persisë, të Armenisë, të Kaukazit dhe të Shqipërisë dhe të fqinjëve të saj. Ai besonte se emri i krahinës së Matit mund të ishte një emër armen që më pas latinët e bënë si Emathia. Ai kishte gjetur në fiset e Albanisë në Kaukaz disa emra vendesh si Bora, liqeni Balta dhe lumi Arsenia (ky emër i fundit mund të lidhej me emrin e lumit Erzen). Dihet një lidhje në lashtësi e armenëve antikë me thesaliotët. Disa legjenda të albanëve në Kaukazë e lidhnin origjinën e tyre me albanët ose arnautët në Shqipëri. Një legjendë e tyre thotë se dy vëllezër së bashku me familjet e tyre zbritën në Eufrat, duke ardhur nga jugu, aty u ndanë, njëri shkoi në veriperëndim ndërsa tjetri në verilindje. Dijetari Lapinski që kishte botuar një libër mbi popujt malorë të Kaukazit, e kishte botuar këtë legjendë që e kishte gjetur tek fisi i abkazëve. Por shqiptarët nuk trashëgonin asnjë legjendë të ndërsjelltë. Por Hahni qe skeptik. Ai mendonte se përkimet janë të rastësishme. Për shkak të një trilli kishte një vend që quhej Albania edhe në Skoci. Ndoshta fjala “alb” lidhet me keltishten “mal”. Histori të tilla qenë të pazbërthyeshme.
Ahmeti e dëgjoi këtë arsyetim pastaj i tha Hahnit një legjendë të regjistruar nga kronistët osmanë, në fakt një legjendë arabe mbi prejardhjen e arnautëve. Sipas saj arnautët kanë jetuar pranë Detit të Kuq.
Në atë kohë, njëri prej krerëve të tyre shkeli një ditë me këmbë kaftanin e një shehu arab që po rrinte ndenjur dhe gjatë grindjes, i nxorri atij një sy. Në këto kushte ai ishte i detyruar të paguante një dëm të madh si shpërblim për humbjen e një syri. Por ai refuzoi dhe parapëlqeu të emigronte së bashku me gjithë fisin e tij, i cili që nga ajo kohë u quajt arnaut, që në gjuhën arabe do të thotë “refuzuesi”. A nuk kishin ardhur sipas Herodotit dhe fenikasit që nga Deti i Kuq?
Hahni e dëgjoi këtë arsyetim por nuk u ngur të fliste. Ai qe i bindur se shqiptarët nuk kishin asnjë lidhje etnike dhe gjuhësore me arabët. Legjendat shprehin një pështjellim, diçka hermetike. Ato duhen parë me seriozitetin e një kirurgu të mendjes. Kolegu austriak Balerini ishte i ngulitur tek një ide tjetër. Ai interesohej për një histori që e kishte lexuar te kronisti bizantin Malku. Historia lidhej me një got të fuqishëm, kushëri i mbretit Got të Ravenës, Teodorikut të madh. Ai quhej Sidimund dhe qe sundimtar i fuqishëm i qytetit Epidamn në shek. VI-të. Qe vasal i Perandorit të Bizantit dhe merrte pension nga Konstandinopoja, kishte gradën e domestikut, qe një ushtarak dinak dhe i pathyeshëm. Teodoriku i madh kishte lidhje me Sidimundin. E bindi atë që të shkëputej nga Perandori i Bizantit dhe të lejonte që trupat gote nga Ravena të pushtonin qytetin e Epidamnit. Sidimundi u bind. Ai e zbrazi qytetin e Epidamnit duke i marrë rojat e tij me vete por i dërgoi lajm Teodorikut të madh se ushtria bizantine kishte reaguar dhe kishte vendosur kampin e saj në qytetin Heraklea. Në qytetin e Lyhnidit u zhvillua një përplasje midis dy forcave ushtarake. Gotët u thyen. Atëherë Sidimundi vendosi që të shkonte bashkë me ushtarët e tij në Dardani. E gjithë kjo histori duket e pjesshme, tregonte sesa situatë e ndërlikuar ishte në tokat e shqiptarëve nën suadën e perandorisë së Bizantit.
Hahni u përgjigj se kjo ngjarje e kishte një kuptim, do të ishte me interes të përshkruhej historia shumëvjeçare e sundimit të gotit Sidimund me Epidamnin. A kishin lënë gotët në këtë qytet monumente të tyre?
Me biseda të tilla diturake, gjysmë historike dhe gjysmë legjendare shtyheshin ditët.
Karvani i vogël u nis drejt brigjeve të liqenit të Ohrit. Në Lyhnid, që tani quhej Ohër, ata ndenjën gjatë. Ky qytet i bëri një përshtypje të jashtëzakonshme Hahnit.
Aty e priti patriarku i patriarkanës së Ohrit, një burrë i ditur dhe poliglot si dhe autoritetet turke të administratës.
Një shqiptar i quajtur Gjergj Borgli, mësues i greqishtes në Ohër, mori përsipër të ndihmonte për të parë monumentet. Ai i tha Hahnit se në Ohër ishte dhe një monument me mbishkrim për Perandorin e lavdishëm, Konstandini i Madh. Monumenti ruhej brenda një kishe. Hahni e pa dhe vuri re se monumenti kishte një mbishkrim në greqishten bizantine ku përmendej emri Konstandin por që qe i një murgu i shek. X-të.
Pastaj panë Katedralen e Shën Sofisë, rezidencën e Patriarkanes. Katedralja qe e stilit bizantin dhe brenda kishte afreska të mrekullueshme. Hyrja e saj qe në formën e një galerie me harqe. Në muret e jashtme kishte monumente të murosura antike. Në mjedisin e katedrales afresket kishin mbishkrime, kryesisht citime nga psalmet.
Hahni pa dhe kishën e Shën Klementit të shek. XIV-të. Në mbishkrimin e saj lexoi se këtë kishë e kishte ngritur princi shqiptar Zaharia Gropa në shek. XIV-të. Brenda kësaj kishe qe dhe një skulpturë druri e Klementit të Shenjtë që zinte këndin e brendshmë pranë këndit të djathtë të hyrjes. Kjo gjë e habiti Hanin. Dihet se kishat ortodokse greke nuk e pranonin ekzistencën e skulpturave të shenjtorëve por vetëm afreskat dhe mozaikët. Skulptura e Klementit qe një përjashtim, rasti i vetëm në gjithë territorin e ish-perandorisë bizantine. Ndoshta kishte ardhur që nga Italia.
Tek kjo kishë Hahni pa me kërshëri një Epitaf, trupin e Krishtit të vdekur të qëndisur me fije ari mbi një pëlhurë mëndafshi. Sipas mbishkrimit të epitafit, qe dhuratë nga perandori Andronik në shek. XIII-te.
Epitafi kishte përmasat 1.60 m dhe gjerësi 1.15 m. Anash trupit të rafiguruar të Krishtit qenë dy engjëj me flatra që qëndronin në këmbë, nme duar të vendosura mbi njëra tjetrën dhe të ngritura lart. Gjithashtu qenë dhe figurat e shkrimtarëve ungjillorë, Mateut dhe Gjonit si dhe Lukas. Mungonte Marku. Qe e habitshme dhe e pashpjegueshme që nën figurën e Lukas qe luani heraldik, që në fakt parakujton Markun. Pse kishte ndodhur një ngatërrim i tillë? Hahni nuk e shpjegonte dot. Pastaj Hahni pa koleksionin e librave të kishës.
Koleksione përmbante 144 dokumenta, rrjeshtat e shkruar me bojë jeshile tregonin të shkruarat e patriarkëve. Aty ishte dhe lista e tri patriarkëve deri në vitin 1664. Në dorëshkrimin numër 154 kishte një seri poezish greke që sulmonin latinët dhe heretikët e tjerë. Këto mbylleshin me vargun e çuditshëm “ç’ka mbledh era e shpërndan Djalli”.
Gjatë ditëve të qëndrimit në Ohër në gostitë e përditshme Hahni dëgjonte ç’thoshin bashkëbiseduesit mikpritës për politikën, ortodoksinë dhe Kur’anin. Të gjithë kishin një mirëkuptim të paimagjinueshëm. Priftërinjtë ortodoksë qenë të kujdesshëm, nuk provokonin. Autoritetet turke qenë krenare por i shmangeshin konfliktit.
Biseda ra ndër të tjera dhe për Shën Erazmin e Shenjtë, njëri nga shtatë oshënarët e Ohrit, që kishte spikatur krahas Shën Klementit dhe Shën Naunit. U fol dhe për herezitë e ndryshme që kishin kërcënuar kishën.
Në kishën e Shën Klementit Hahni qe habitur kur kishte parë të vetmin imazh monofyz të Krishtit. Heretikët monofyzë njihnin vetëm anën hyjnore të Krishtit, e mohonin natyrën e tij njerëzore. Afresku e paraqiste Krishtin si një Kryeëngjëll ose më saktë si mbretin e të gjithë kryeëngjëjve.
Është e habitshme si kishte mbijetuar ky imazh, pse nuk qe shkatërruar.
Hahnit i sillnin monedha dhe unaza të vjetra. Atij i bënë përshtypje monedhat prej argjendi të Aleksandrit të Madh, të Amytas, por dhe të perandorëve bizantinë, sidomos të Justinianit. Një monedhë i takonte dhe Teodorikut të Madh. Në ditarin e tij Hahni çdo natë i përshkruante i ngulitur hollësirat.
Një ditë të diele, gjatë një gostie, Hahnin e ngacmon një ide e papritur.
Të gjithë gostiarët qenë mbledhur në një mjedis të kështjellës së Ohrit. Era e qingjave të pjekur në hell, e peshqëve kuranë mbi tavat me qepë të fërguar zotëronte gjithçka. Të gjithë pinin verë dhe bisedonin në gjuhët që dinin.
Befas gjtë ngrënies ekzotike Hahni vuri re që nuk po gjenin dot një gjuhë të përbashkët për të biseduar. Kryeadministatori turk i Ohrit nuk fliste greqisht, Hahni vetë nuk fliste turqisht kurse Patriarku plak përveç turqishtes, greqishtes fliste edhe bullgarisht dhe hebraisht. Në këtë mjedis gjermanishtja dhe frëngjishtja nuk hynin aspak në punë. Befas biseda e përçudnuar u fiksua në hullinë e idesë se njohja e gjuhëve ishte tepër e rëndësishme për secilin. Kryeadministratori turk u shpreh se ai donte t’i mësonte fëmijëve të tij sa më shumë gjuhë që ishte e mundur, pasi fëmijët i mësojnë gjuhët me lehtësi dhe kështu shkathtësohen edhe shpirtërisht.
Atëherë Hahni reagoi.
Ai tha se ky shkathtësim mund të përftohej vetëm në kurriz të qëndrueshmërisë dhe unitetit të mendimit si dhe të ndërgjegjies kombëtare. Në fund të fundit çfarë është gjuha përveç tërësisë së formave të të menduarit të një populli të fiksuara fonetikisht dhe të artikuluara organikisht midis tyre? Nëqoftëse një fëmijë do të mësonte disa gjuhë njëherësh, ahere ai do të mësojë njëkohësisht edhe disa sisteme logjike paralele dhe, ngaqë shmangiet e ndërsjellta të këtyre sistemeve përbëjnë elementet kryesore të ndryshueshmërisë së gjuhëve, fëmija nuk do të dijë se tëk cila prej këtyre formave, që ndryshojnë nga njëra tjetra, duhet të mbështetet gjatë procesit të të menduarit vetiak. Të menduarit e tij do të bazohet herë mbi njërën dhe herë mbi tjetrën dhe prandaj ky proçes do të humbasë çdo mbështetje të njehsuar. Njëtrajtshmëria e formave të të menduarit që njehsohet nëpërmjet gjuhës në rradhët e ayre që e flasin atë, përbën njëkohësisht edhe bazën themelore të ndërgjegjies kombëtare. Në rastet kur fëmija detyrohet të përzgjedhi midis syresh format e të menduarit të disa gjuhëve, përpara se të ketë hedhur rrënjë të qëndrueshme ajo e popullit të vetë, atëherë kjo gjë mund të njëmendësohet vetëm në dëm të ndërgjegjies së tij kombëtare. Hahni u habit dhe vetë me ato që tha. Ai kuptoi me shqetësim se bëri një profeci kërcënuese për të ardhmen. A duhet të humbisnin gjuhët e popujve për hir të një gjuhe të vetme komunikuese? Kush mund t’a dijë këtë gjë? Kush mund t’a saktësojë? Askush.
Udhëtimi i Hahnit dhe shoqëruesve të tij u drejtua drejt vendeve të tjera. Ky ishte një udhëtim i shekujve. Hahni shkruanre papushim në ditar, grumbullonte por nuk arrinte të bënte sinteza të plota. Ai natyrisht kishte parasysh në studimine tij më tepër shqiptarët e mbuluar nga mjegulla sesa popujt e tjerë.
Një episod tjetër e vuri në mendime gjithashtu të skajshme Hahnin.
Ai u kthye nga Ohri drejt Shqipërisë së Veriut. Arriti në Malësinë e Cukalit dhe qëndroi një natë në fshatin Karnë. Bujti tek prifti françeskan i Karnës, Don Ëngjëlli, në shtëpinë e tij pranë kishës që quhej shqip Gjon Kryepremi. Don Ëngjëlli kishte studiuar në qyettin e Asisit në Itali por edhe në Vienë. Por me të mund të bisedohej dhe drejtëpërdrejtë latinisht. Don Ëngjëlli mblidhte folklor, tregonte kujdes të madh për të regjistruar gojëdhënat.
Ai kishte marrë nga goja e malësorëve disa legjenda dhe këngë për Skënderbeun. Në një prej tyre tregohej miqësia e Skënderbeut me Gjon Huniadin. Ky rrëfim popullor ngjalli tek Hani një tjetër ide të befasishme. Ai e pyeti Don Ëngjëllin sesi ishte e mundur që malësorët analfabetë të dinin diçka për Gjon Huniadin. Ai i tha Don Ëngjëllit se ky rrëfim oral ngjante shumë me atë që kisjte shkruajtur Marin Barleti në kryeveprën e tij në latinisht për jetën dhe bëmat e Gjergj Kastriot Skënderbeut. Malësorët nuk kishin asnjë dijeni për Barletin. Atëherë si mund të ndodhte një gjë e tillë? Lindi atëjerë një diskutim i zjarrët dhe interesant mes të dyve.
A mundet që letërsia gojore ta merrte materialin e saj nga librat e shkruar? Si mund të transmetohej një kalim i tillë nga librat tipografikë tek kujtesa e njerëzve që nuk dinin shkrim dhe këndim? Si vallë të kishte një përputhje në këto dy skaje?
Ndoshta ndonjë prift që e kishte lexuar Barletin kishte jetuar disa shekuj më parë në këto vise. Ai u kishte folur në shqip malësorëve për historinë e Skënderbeut. Prifti mund të ketë qenë një interpret i Barletit, të cilin e njihte. Malësorët e kanë dëgjuar, pastaj etërit u kanë treguar subjektet e Barletit në formën e vargjeve popullore, ku identifikimi stolisej me proverba dhe metafora të imagjinuara sipas frymës së vendit. A mund të vërtetohet që ka ndodhur kështu?
Don Ëngjëlli se mundësia është e dukshme. Edhe Hahni ra dakort.
Pastaj të dy vrapuan mbas shembujve të tjerë të njohur. Rasti i romaneve poetikë mesjetarë për Aleksandrin e Madh e kishin zanafillën nga kronikat historike të kronikanëve bashkëkohës të heroit.
-Kjo mund të vërtetohet, nëse lexohet, – shtoi Hahni, -po të lexohet Kronika e Kishtarëve të Gjirokastrës të shek. XIV-të, i zbuluar nga konsulli francez i Napoleonit, Kukvili, dhe të botuar edhe në anglisht nga Liku, miku i ngushtë i Bajronit. Në të thuhet se Tezeu dhe Soloni pasi u larguan nga Athina themeluan qytetin e Gjirokastrës kurse Polifemi e kishte shpellën e tij në Himarë. Kështu krijohet metamorfoza e miteve nga njëri popull në tjetrin.
Udhëtimi i gjatë i Hanit vazhdoi trembëdhjetë muaj. Duke u kthyer përsëri në Janinë, ku Hahni kishte dhe zyrën e tij konsullore, ai përshkroi dhe malet e Labërisë. Lebërit janë krenarë dhe të pafrikshëm. Ata këndonin këngë polifonike, një muzikë krejt mashkullore ku nuk përfshiheshin gratë. Hahni e dinte që fjala “Labëri” qe metateza e fjalës “Arbëri”.
Në malet e thikta të Labërisë, gjatë bisedave me lebrit, Hahni pësoi tronditjen më poetike. Lebërit i treguan atij se më trimat e tyre ishin me bisht. Disa prej tyre kishin bisht keci, qenë të shkathët, të shpejtë, dinakë, të pakapshëm por dhe hajdutë të mëdhenj. Ata më të shquarit kishin një bisht të vogël kali, ishin më autoritarë dhe fisnikë, nuk vidhnin por mund të vrisnin këdo në zemërim e sipër.
Hahni nuk e besoi çka dëgjonte. Por njerëzit i thonin se askush nuk dyshonte se çdo gjë e treguar qe krejtësisht e vërtetë. Vërtetë të kishte shqiptarë të tillë me bisht keci dhe kali? Dhe për më tepër të ishin më të shquarit dhe të konsideroheshin një racë e epërme? A mund të kishte një shpjegim për këtë?
A mundet që historia të shpjegohej nga mitet? Njerëzit me bisht keci duket sikur ishin pasardhës të hyut Pan, kurse ata me bisht kali qenë më të mbramët e kentaurëve.
Pse nuk kishte legjenda të tilla tek grekërit , pse qenë zhdukur këto raste hibride? Pse mbijetonin tek shqiptarët? Një shkrimtar mund të shkruante një libër të tërë fantazmagorik me këtë motiv.
Por Hahni qe dijetar dhe shkenca e bënte të shtangej. Por ai nuk mund të harronte dot çdo thënie të shqiptarëve, ndonëse edhe kur për veten e tyre ata mitizonin. Në fund të udhëtimeve të tij që zgjatën 15 vjet, Hahni e botoi në Vjenë korpusin e tij me shumë libra të quajtur “Studime shqiptare”. Ai u bë kështu krijuesi i albanologjisë si shkencë. Pra Adami i albanologjisë. Ndihet në librat e tij dashuria tragjike për shqiptarët, kontrasti midis dritës dhe territ, tendenca për identifikime të ndërlikuara, dashuria dhe shpresa për të ardhmen e shqiptarëve.
Ai kuptoi përfundimisht se shqiptarët qenë një popull si gjithë të tjerët, se historia e tyre qe e mjegulluar, madje qe urryer në mënyrë dashakeqase, se në qëniet e tyre shqiptarët ishin edhe vetvetja por dhe hibridë të çuditshëm dhe origjinalë të miteve dhe të kulturave të popujve të tjerë. Ata nuk ishin një popull i zgjedhur, por absolutisht nuk ishin as një popull i mallkuar.
A do të lindte vallë një Skënderbe i ri për shqiptarët?
Hahni vdiq në 1869 në moshën 49 vjeç. çdo gjë e tij mbeti vetëm në librat që shkruajti.
Por truri i tij duke u varrosur nën tokë mori me vete një bibliotekë gjigande dhe të padukshme të përshtypjeve të shumëfishta, të papërsëritshme më në shekuj.

Ec e ec e ec e ec ….