Duke nisur nga 1 dhjetori, mësimi në shkolla do të zhvillohet i alternuar ndërmjet procesit online dhe pranisë fizike në klasë. Për shkak të situatës së rënduar të krijuar në vend përgjatë javëve të fundit, ku transmetueshmëria e virusit është shtuar, dikasteri i Shëndetësisë i ka rekomanduar Ministrisë së Arsimit, Sportit dhe Rinisë që të aplikojë zhvillimin e mësimit sipas skenarit numër 2. Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu ka theksuar gjatë ditës së djeshme se ky rekomandim vjen për të minimizuar risqet gjatë kësaj periudhe, ku të pranishme janë edhe infeksione të tjera respiratore.
“Kemi peshuar rëndësinë e ekuilibrit të mirëqenies dhe sigurisë së shëndetit të fëmijëve tanë, dhe pas rekomandimit të Komitetit të Ekspertëve kemi vendosur, t’i rekomandojmë Ministrisë së Arsimit, Sportit dhe Rinisë që prej datës 1 dhjetor, të aplikojnë skenarët që parashikojnë kryerjen e mësimit të alternuar, pra në formën klasike, me prani fizike dhe të kombinuar gjithashtu me mësimin ne distance (online), bazuar sigurisht këtu në specifikat e sistemit arsimor, por gjithashtu dhe në të dhënat lokale të situatës epidemiologjike në bashkëpunim me autoritetet shëndetësore”, ka deklaruar dje ministrja Ogerta Manastirli. Sipas saj, deri tani, siç ekspertet kanë analizuar, fëmijët nuk vlerësohet të jenë transmetues të lartë të infeksionit nga Sars-CovV2.
Struktura e detajuar si do zhvillohet mësimi
Referuar planit të shpallur nga Ministria e Arsimit që në nisje të vitit të ri shkollor 2020-2021, skenari 2 parashikon që mësimi në shkollat e arsimit parauniversitar të zhvillohet i kombinuar, ku një javë nxënësit do të shkojnë në shkollë duke respektuar të gjitha rregullat e higjienës dhe të distancimit fizik, ndërsa javën e dytë do të aplikohet mësimi online.
Në varësi të infrastrukturës që kanë dhe numrit të nxënësve, shkollat do të planifikojnë grafikun se si do të bëhet alternimi i procesit mësimor për të gjitha klasat. Janë disa variante të propozuara nga dikasteri i Arsimit, të cilat i udhëzojnë shkollat se si do vijojnë me zhvillimin e procesit mësimor.
Në shkollat me një turn dhe me numër të vogël nxënësish, të cilat plotësojnë protokollin e Ministrisë së Shëndetësisë dhe të Mbrojtjes Sociale për higjienën dhe për distancimin fizik, në varësi të numrit të nxënësve mund të zhvillojnë normalisht procesin mësimor, teksa mund të bëhet edhe kombinimi i klasave. Kështu, nxënësit e një klase do të ndahen në dy grupe, ku njëri do të zhvillojë mësim online, ndërsa tjetri do të shkojë në shkollë. Përshembull në javën tek do të zhvillojnë mësim në shkollë klasat 1-3-5-7-9, ndërkohë që klasat 2-4-6-8 zhvillojnë mësimin online. Ndërsa në javën çift klasat këmbehen. Kombinimet i bën vetë shkolla duke u bazuar në kushtet specifike që ajo ka.
Variantet për shkollat me një turn dhe me numër të madh nxënësish. Këto shkolla do të ndajnë çdo klasë në dy grupe. Në javën tek, grupi i parë do të zhvillojë mësimin nga ora 8.00-11.15 (në mjediset fizike të shkollës), teksa grupi e dytë i çdo klase do të zhvillojë mësim nga ora 12.30-15.45 (online). Në javën çift, grupi i dytë i çdo klase do të zhvillojë mësim nga ora 8.00-11.15 (në mjediset fizike të shkollës), teksa grupi i parë do të zhvillojë mësimin online nga ora 12.30-15.45 (online). Ora e mësimit do të jetë 30 minuta. Mësimi do të zhvillohet me dy orë të njëpasnjëshme. Koha mësimore që i shtohet çdo mësuesi është afërsisht 7 orë mësimi në javë, të cilat mund të paguhen si orë suplementare ose orët mësimore shtesë mund të realizohen me mësues shtesë.
Skemat për shkollat me turne
Plani parashikon edhe variantet e mundëshme që mund të aplikohen për shkollat me dy turne dhe me numër të madh nxënësish. Këto shkolla ndajnë çdo klasë në dy grupe dhe zhvillojnë mësimin me 4 nënturne.
Turni i parë: Java tek, grupi i parë i çdo klase do të zhvillojë mësim nga ora 8.00-10.45 (mjedisi fizik në shkollë), dhe grupi i dytë i çdo klase do të zhvillojë mësim nga ora 11.00-13.45 (online). Java çift, grupi i dytë i çdo klase do të zhvillojë mësim nga ora 8.00-10.45 (mjedisi fizik në shkollë) dhe grupi i parë do të zhvillojë mësim nga ora 11.00-13.45 (online).
Turni i dytë: Java tek, grupi i parë i çdo klase do të zhvillojë mësim nga ora 14.00-16.45 (mjedisi fizik në shkollë) dhe grupi i dytë i çdo klase do të zhvillojë mësim nga ora 17.00-19.45 (online). Në këtë rast mësimi online mund të zhvillohet edhe paradite. Ndërsa për javën çift, grupi i dytë i çdo klase do të zhvillojë mësim nga ora 14.00-16.45 (mjedisi fizik në shkollë),teksa grupi i parë i çdo klase do të zhvillojë mësim nga ora 17.00-19.45 (online). Edhe në këtë rast mësimi online mund të zhvillohet edhe paradite. Nëse mësuesit që japin mësim në të dyja turnet, nuk janë të njëjtët atëherë oraret e nënturneve të dyta mund të afrohen. Është vetë shkolla që do të përcaktojë se cilin variant do të aplikojë sipas kushteve specifike që ka.

Skenari dihet, mesim i alternuare deri ne krishtlindje po ashtu edhe mbas pushimeve deri ne shkurt due pastaj te gjithe ne shtepi deri ne fund te majit..ministria. mendon per shendetin e femijeve tane. Do ishte mire qe te ngrohte klasat dhe te lejonnte femijet qe te vazhdojne mesimet. Keshtu mendon per femijet tane jo me pordhet qe na shesin neper ekrane…