Përvoja e hidhur e kaluar për bizneset, detyrimet që janë krijuar ndaj tyre si dhe mungesa e likuiditetit për ta, ka çuar në një vendim të ri të Ministrisë së Financave për radhën e pagesave ndaj tatimpaguesve. Ky vendim është marrë për t’i paraprirë arsyeve të ndryshme në hasjen e vështirësive që për rrjedhojë çojnë në krijimin e detyrimeve të reja.
Me përcaktimet e reja financat konsiderojnë emergjencë pagesat e kontributeve shëndetësore dhe shoqërore. Sipas Ministrisë së Financave shumat e paguara, duhet të mbulojnë detyrimet e papaguara. Institucioni financiar sqaron gjithashtu se në rastet kur një tatimpagues, për çfarëdo arsye, rezulton me një mbi pagesë të një detyrimi tatimor apo të kontributeve të sigurimeve shoqërore e shëndetësore, shuma e mbi pagesës kalon për pagesën e detyrimeve të papaguara sipas radhës së pagesave.
Kjo radhë pagesash zbatohet edhe në çdo rast pagese të paidentifikuar të kryer nga tatimpaguesi. Ministria e Financave sqaron se, për efekt të llogaritjes së penaliteteve përkatëse, konsiderohen detyrime tatimore apo kontribute të sigurimeve të papaguara në afat, diferenca ndërmjet detyrimit tatimor apo detyrimit për kontributet e sigurimeve që duhet paguar dhe shumës së paguar të tyre.
Cilat pagesa do të bëhen të parat?
1-Kontributet e detyrueshme të sigurimeve shëndetësore,
2-Kontributet e detyrueshme të sigurimeve shoqërore të punëmarrësit,
3-Kontributet e detyrueshme suplementare të sigurimeve shoqërore,
4-Kontributet e detyrueshme të sigurimeve shoqërore të punëdhënësit,
5-Tatimet,
6-Kamatëvonesat,
7-Gjobat,
8-Kostot administrative.
