Nxënësit e arsimit parauniversitar duhet të lënë celularin e tyre në shtëpi gjatë orarit të mësimit, pasi në të kundërt mund ta humbasim.
Udhëzimi më i fundit i dikasterit të arsimit përcakton se të gjithë telefonat celulare të mbledhur në shkolla nga nxënësit që do të shkelin rregulloren do të mblidhen dhe do dorëzohen në organet e policisë.
Në udhëzimin e miratuar pak ditë më parë, i cili gjatë ditës së djeshme është zbardhur edhe në Fletoren Zyrtare të Qeverisë ka përcaktuar qartë rregullat që duhet të zbatojnë institucionet arsimore në të gjitha hallkat, për zbatimin e urdhrit mbi ndalimin e përdorimit të aparateve celularë në shkollat e arsimit parauniversitar, si nga nxënësit, ashtu edhe nga mësuesit.
“Në mjediset e institucioneve arsimore parauniversitare është e ndaluar të disponohet telefon celular nga nxënësit dhe mësuesit. Në rast konstatimi të disponimit të telefonit celular nga nxënësit në mjediset e institucioneve arsimore parauniversitare, drejtoria e institucionit duhet që të sekuestrojë telefonin celularë dhe të zbatojë masat disiplinore, sipas kuadrit ligjor në fuqi. Telefonat e sekuestruar depozitohen pranë institucioneve arsimore vendore përgjegjëse për arsimin parauniversitar. Masat e marra ndaj nxënësit i njoftohen me shkrim prindit ose kujdestarit ligjor të nxënësit”, saktësohet në udhëzimin e MASR.
Nëpërmjet udhëzimit, MASR ka udhëzuar drejtoritë e shkollave që të marrin masa për të organizuar takime me prindërit për njohjen me rregulloren e re, teksa duhet që të vendosin në çdo klasë poster për ndalimin e telefonit celular. Drejtoritë e shkollave duhet që të sigurojnë nënshkrimin e deklaratës së përbashkët të mësuesit të klasës me prindin ose kujdestarin ligjor, për ndalimin e marrjes së telefonit celular në mjediset e shkollës nga nxënësit.
Gjithashtu drejtuesit e shkollave duhet të marrin masa për të vënë në dispozicion numër telefoni të veçantë për komunikim me prindërit e nxënësve dhe t’ua bëjnë me dije prindit deklaratën e përbashkët, si dhe të raportojnë me shkrim pranë institucionit arsimor vendor përgjegjës për arsimin parauniversitar për masat e marra ndaj mësuesit, në rast të përdorimit të telefonit celular gjatë procesit mësimor.
Ndërsa institucionet arsimore vendore përgjegjëse për arsimin parauniversitar duhet të monitorojnë masat e marra nga institucionet arsimore për ndalimin e telefonit celular nga nxënësit dhe mësuesit në mjediset shkollore, të depozitojnë pranë Policisë së Shtetit telefonat celular të sekuestruar nga shkollat, si dhe të raportojnë çdo muaj me shkrim në Ministrinë e Arsimit, Sportit dhe Rinisë për zbatimin e këtij udhëzimi. /DITA
