Pranvera Kola
Matura Shtetërore 2020 do të nisë në datën 8 qershor, me provimin e parë të detyruar që do të zhvillohet në lëndën e gjuhës së huaj, sipas kushteve të përcaktuara për secilin nga profilet shkollore. Udhëzimi i miratuar së fundmi nga Ministria e arsimit, Sportit dhe Rinisë, konfirmon se tre ditë më pas, në 11 qershor, maturantët do t’i nënshtrohen provimit të dytë të detyruar në lëndën e gjuhës shqipe dhe letërsisë.
Më tej provimet do të vijojnë me lëndën e matematikës, përkatësisht në datën 15 qershor. Prova e fundit që maturantët duhet të kalojnë është provimi me zgjedhje, i cili do të zhvillohet në datën 18 qershor. po në të njëjtat data do të zhvillohen edhe testimet për maturantët që ndjekin shkollat e mesme profesionale. Për shkollat e seksioneve dygjuhëshe, provimet do të nisin më herët, që në muajin maj. Në udhëzim saktësohet se testi i provimit “Gjuhë dhe letërsi italiane” , si dhe testi i provimit “Gjuhë frënge” do të zhvillohen në datën 25 maj, në shkollat përkatëse që maturantët ndjekin.
Hyrja në provimet e 2020-s
Sikundër është deklaruar edhe më herët në rregulloren e provimeve të maturës, kandidati që ka dhënë dy, ose më shumë provime me zgjedhje dhe është vlerësuar me notë të përshkallëzuar jo më të vogël se 4.50 (nota 5), i njihen ato provime dhe nuk mund t’i japë më në Maturën e 2020. Ndërsa kandidatët të cilët rezultojnë mbetës në të paktën një prej provimeve të detyruara të Maturës Shtetërore, duhet ta rijapin atë që të pajisen me diplomë.
Ndërsa kandidatët, që në maturat 2012-2019 nuk kanë rezultuar kalues në asnjë prej provimeve që kanë zgjedhur për të dhënë, duhet të japin një provim nga lista e lëndëve me zgjedhje të miratuara nga MASR për Maturën e Shtetërore të 2020-s. Kandidatët që kanë marrë Dëftesë Pjekurie para vitit 2011 dhe dëshirojnë të aplikojnë për studime në institucionet e arsimit të lartë, u njihen provimet e detyruara, ose provimet e njëvlershme me to të njehsuara një sitë arsimore vendore. Në vijim të shkrimit do të gjeni të detajuar listën e lëndëve që do të jepen si provime me zgjedhje, si dhe rregullat e hyrjes në provimet e vitit që vjen.
Testi i gjuhës së huaj
Sipas kushteve të përcaktuara në udhëzimin e MASR, testi i gjuhës së huaj (D3) do të hartohet në përputhje me gjuhën e cila në planin mësimor të arsimit të mesëm të lartë trajtohet si gjuhë e huaj e parë. Testi i provimit në këtë rast do të jetë në nivelin gjuhësor që përcaktohet në kurrikulën në përfundim të studimeve të shkollës së mesme.
Lista e gjuhëve të huaja që do të jepen si provim në maturën e vitit që vjen janë: anglisht, frëngjisht, italisht dhe gjermanisht. Maturantët kanë përzgjedhur tashmë gjatë plotësimit të formularit A1 dhe A1Z lëndën që do të japin si provim të gjuhës së huaj. Detyrimin për të dhënë provimin e gjuhës së huaj e kanë edhe të gjithë maturantët e viteve 2014-2019, të cilët kanë rezultuar mbetës në testimet e zhvilluara në këtë lëndë përgjatë këtyre viteve.
Pikët që duhen për të kaluar
Në udhëzim përcaktohet se testi i çdo lëndë që do të jepet si provim i Maturës shtetërore 2020 do të vlerësohet maksimalisht me 60 pikë. Gjithashtu është përcaktuar edhe pragu minimal i pikëve që duhet të grumbulloni për të qenë kalues.
Maturanti do të konsiderohet mbetës në provim nëse ka marrë më pak se 25 për qind të totalit të pikëve, me të cilat vlerësohet testi. Ndërkohë që në maturat e shkuara (para 2019) për të qenë kalues duhej që maturanti të grumbullonte 20 për qind të pikëve totale të testit.
Për të orientuar maturantët në lidhje me përgatitjen për provimet e maturës, janë zbardhur edhe programet orientuese me temat që duhet të rishikoni me kujdes për zhvillimin e provimeve. Provimet e detyruara do të mbështeten vetëm në kurrikulën bërthamë. Programet orientuese të provimeve të detyruara (Gjuhë shqipe dhe Letërsi, Matematikë, Gjuhë e huaj) për të gjithë maturantët/kandidatët janë në përshtatje me programet ekzistuese të arsimit të mesëm të lartë.
Ndërsa programet orientuese të lëndëve zgjedhje do jenë të njëjta për të gjithë maturantët që kanë plotësuar formularin A1 dhe A1Z. Programi orientues i lëndëve me zgjedhje përmban programin e lëndës bërthamë dhe atë me zgjedhje.
Penalitetet
Në rregulloren e provimit saktësohet se maturanti do të përjashtohet nga provimi, nëse konstatohet se ka ndryshuar vendin që i është caktuar, merr, jep informacion apo kopje, ose komunikon me maturantë/kandidatë të tjerë, bën komente për përmbajtjen ose zgjidhjen e testit, mban telefon celular, radio ose çdo mjet tjetër komunikimi në mjedisin e provimit, refuzon kontrollin nga ana e administratorëve gjate hyrjes në qendrën e provimit.
Ndërsa në rastet të tilla nuk njihet rezultati i provimit: kur përdor laps, stilolapsa me ngjyra jo si atë të përcaktuar në rregulloren e provimit, nëse ka hequr ose dëmtuar kodin e sekretimit të testit (barkodin), nëse ka dëmtuar testin (palosur, zhubrosur, grisur, vendosur shenja të dallueshme dhe të veçanta), të evidentuara në procesverbal, nëse vërtetohet kopja, e pjesshme, ose e plotë, gjatë procesit të vlerësimit dhe konfirmohet nga KOPOTED, si dh kur është marrë masa e përjashtimit nga provim.
Datat e provimeve te Maturës Shtetërore 2020:
- Provimi i gjuhës së huaj do të zhvillohet në datën 8 qershor 2020.
- Provimi i gjuhës shqipe dhe letërsisë do të zhvillohet në datën 11 qershor.
- Provimi i matematikës do të zhvillohet në datën 15 qershor.
- Provimi i lëndës me zgjedhje do të zhvillohet në datën 18 qershor.
Rregullat
- Provimet e detyruara dhe me zgjedhje të Maturës Shtetërore 2020 fillojnë në orën 10:00 dhe zgjasin 2 ore e 30 minuta.
- Testet e provimeve të detyruara dhe të provimit me zgjedhje do të hartohen, administrohen dhe vlerësohen nga Qendra e Shërbimeve Arsimore (QSHA).
- Testi për secilin nga provimet e detyruara dhe të provimit me zgjedhje vlerësohet me 60 pikë maksimale.
- Maturantët/kandidatët që rezultojnë mbetës në provimet e Maturës Shtetërore 2020, i rijapin provimet në sesionin e dytë.
- Testi i provimit “Gjuhë dhe letërsi italiane”(Lingua e literatura italiana) për seksionet dygjuhëshe shqiptaro-italiane përgatitet nga Ministria e Arsimit e Republikës së Italisë dhe provimi do të zhvillohet në datën 25 maj2020, në shkollat përkatëse.
- Testi i provimit “Gjuhë frënge” (DELF 82 scolaire) për seksionet dygjuhëshe shqiptaro-franceze do të përgatitet nga Ambasada Franceze dhe provimi zhvillohet në datën 25 maj 2020, në shkollat përkatëse.
- Kandidati që ka dhënë dy ose më shumë provime me zgjedhje dhe është vlerësuar me notë të përshkallëzuar jo më të vogël se 4.50 (nota 5), i njihen ato provime dhe nuk mund t’i japë më në maturën e 2020.
- Kandidatët të cilët rezultojnë mbetës të paktën në një prej provimeve të detyruara të Maturës shtetërore duhet ta rijapin atë që të pajisen me diplomë.
- Kandidatët, që në Maturat 2012-2019 nuk kanë rezultuar kalues në asnjë prej provimeve që kanë zgjedhur për të dhënë do të japin një provim nga lista e lëndëve me zgjedhje të miratuara për Maturën e shtetërore të 2020-s.
- Tërheqja e testeve të provimeve kombëtare të Maturës Shtetërore 2020 bëhet sipas grafikut të hartuar nga QSHA dhe të miratuar nga Komiteti i Maturës Shtetërore 2020.
- Provimet kombëtare të Maturës Shtetërore 2020 zhvillohen në qendrat e provimeve të përcaktuara nga Komisioni i Maturës Shtetërore në ZVAP, mbështetur në Rregulloren e Maturës Shtetërore.
Lista e lëndëve për provimin me zgjedhje:
• Kimi.
• Fizikë.
• Biologji.
• Histori.
• Gjeografi.
• Qytetari dhe Psikologji.
• Filozofi dhe Sociologji.
• Ekonomi.
• Histori Arti.
• Histori Muzike.
• Histori Baleti.
o.j/dita
