Pranvera Kola
Të gjithë nxënësit e klasave të 9-ta që nuk rezultuan dot kalues në provimet e lirimit përgjatë sezonit të zhvilluar në muajin qershor, do të mund t’i rijapin provimet edhe në muajin shtator. Në udhëzimin e miratuar së fundmi nga MASR janë përcaktuar edhe datat se kur do të zhvillohen provimet kombëtare të arsimit bazë për sezonin e vjeshtës. Autoritetet e arsimit bëjnë me dije se për sezonin e vjeshtës provimet do të zhvillohen ndërmjet datave 1 dhe 9 shtator. Konkretisht në udhëzim përcaktohet se provimi i gjuhës shqipe do të zhvillohet në datën 1 shtator. Pesë ditë më pas, përkatësisht në datën 6 shtator do të zhvillohet provimi i matematikës, ndërsa testi i fundit do të jetë ai i gjuhës së huaj që do të zhvillohet në datën 9 shtator.
Sa i takon testit të gjuhës së huaj, lëndët që do të jepen si provim i detyruar, janë: Anglisht, Frëngjisht, Italisht dhe Gjermanisht. Testi i gjuhës së huaj hartohet në përputhje me gjuhën e cila në planin mësimor të arsimit të mesëm të ulët, trajtohet si gjuhë e huaj e detyruar në nivelin gjuhësor A2. Nxënësit e klasave të 9-ta të shkollave mbështetëse të seksioneve dygjuhëshe franceze, italiane dhe gjermane japin provim gjuhën përkatëse të seksionit në po në nivelin gjuhësor A2.
Krahas tre provimeve të përmendura më lart, nxënësit e pakicave kombëtare do të zhvillojnë edhe provimin kombëtar të arsimit bazë në lëndën Gjuhë amtare. Ky provim për nxënësit e pakicave kombëtare është planifikuar të zhvillohet në datën 10 shtator. Me përfundimin e provimeve dhe marrjen e rezultateve kaluese nxënësit do të mund të vijojnë më tej me regjistrimin për ndjekjen e studimeve të shkollës së mesme.
Procedurat e hartimit dhe vlerësimit të testeve për zhvillimin e provimeve kombëtare të arsimit bazë do të jenë të njëjta si ato të aplikuara në sezonin e qershorit. Çdo provim kombëtar i arsimit bazë fillon në orën 10:00 dhe zgjat 2 orë e 30 minuta.
Nxënësit me aftësi të kufizuara që ndjekin shkollat e zakonshme, do t’i zhvillojnë provimet kombëtare, bazuar në planin edukativ individual me të cilin punojnë në përshtatje me veçoritë e tyre. Drejtoria e institutit të nxënësve që nuk shikojnë “Ramazan Kabashi”, e tërheq testin në Qendrën e Shërbimeve Arsimore (QSHA) një ditë para zhvillimit të provimit dhe e kthen atë në sistemin e shkrimit Brail.
Sikundër ndodhi edhe në sezonin e parë, edhe në vjeshtëtTesti i lëndës së gjuhës shqipe do jetë i strukturuar në tre pjesë. Pjesa e parë do ketë pyetje rreth një fragmenti letrar, pjesa e dytë pyetje rreth një fragmenti joletrar, si dhe pjesa e tretë do të ketë pyetjet rreth njohurive të sistemit gjuhësor. Ekspertët e MASR thonë se fragmentet ose tekstet në test janë të panjohura për nxënësit dhe nuk janë pjesë e teksteve. Për sa i përket përfaqësimit të teksteve letrare dhe teksteve jo letrare, në program sqarohet se do të jenë në raportin: 70% me 30%.
Për testin e matematikës, bazuar në kurrikulën e miratuar, përmbushja e kompetencave matematikore që një nxënës duhet të zotërojë në përgatitjet për provimin përfshin 5 tematika kryesore që janë: numri, matja, gjeometria, algjebra dhe funksioni, statistika dhe probabiliteti, rreth të cilave do të jetë edhe përmbajtja e testit.
Sa i takon provimit të gjuhës së huaj, testi do të organizohet mbi kompetencën komunikuese, realizimi i të cilës përgjatë gjithë zhvillimit të lëndës së gjuhës së huaj ndihmon nxënësin: të zhvillojë konceptet bazë gramatikore, ortografike, leksikore, etj, të përzgjedhë fjalorin e duhur në kontekste të ndryshme shoqërore, të njohë dhe të zbatojë rregullat dhe parimet sipas të cilave mesazhi gjuhësor organizohet dhe strukturohet, të përzgjedhë dhe të zbatojë strategjitë e duhura në përçimin e mesazhit.
Sektori i Kurrikulës dhe Zhvillimit Profesional në ZVAP, merr nga qendrat e vlerësimit të testeve dhe ruan të dhënat e çdo nxënësi, të vlerësuesve të testeve dhe të mjediseve ku janë realizuar provimet kombëtare të arsimit bazë. Këto të dhëna dërgohen nëpërmjet DRAP-së në QSHA dhe në Drejtorinë e Përgjithshme të Arsimit Parauniversitar.
Struktura e arsimit të detyruar
Arsimi bazë i detyruar synon të zhvillojë aftësitë intelektuale, krijuese, praktike dhe fizike të nxënësve, të zhvillojë personalitetin e tyre dhe t’i pajisë ata me elementet themelore të kulturës së përgjithshme dhe edukatën qytetare. Arsimi bazë i detyruar fillon në moshën 6 vjeç dhe zgjat 9 vjet. Nxënësi është i detyruar të ndjekë arsimin bazë deri në moshën 16 vjeç. Arsimi bazë është i njësuar. Institucionet e tij shtrihen në të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë. Shtetasit që mbushin moshën 16 vjeç, por që nuk arrijnë ta përfundojnë arsimin bazë, mund ta përfundojnë atë në shkollat me kohë të shkurtuar. Arsimi bazë përbëhet nga dy cikle: Cikli fillor, (klasa I-V) dhe Cikli i mesëm i ulët, (klasa VI-IX). Arsimimi i nxënësve me aftësi të kufizuar bëhet në shkolla speciale, në klasa speciale brenda shkollave normale ose të integruar në klasa normale.
Provimet e lirimit për sezonin e vjeshtës do të zhvillohen në këto data:
- Lënda Gjuhë shqipe më 1 shtator 2021.
- Lënda Matematikë më 6 shtator 2021.
- Lënda Gjuhë e huaj më 9 shtator 2021.
- Gjuha amtare për pakicat kombëtare më 10 shtator.
