Një udhëzim i Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave për garantimin e pullave të akcizës, ka gjetur të papërgatitur bizneset.
Urdhri i ri ka marrë fuqi ligjore duke mos e pasur një tagër të tillë, ndërsa biznesi është lajmëruar më 11 shkurt vetëm me një email formal. Një grup biznesesh theksojnë se ky vendim është në dëm të sipërmarrjes.
Për të garantuar pullën e akcizës sipas urdhrit nr. 3838 të datës 11.02.2016, “Për garantimin e detyrimit të akcizës së pullave fiskale”, duhet të kesh një garanci bankare që të mbulojë 100 për qind vlerën e detyrimit të akcizës për detyrimin e mallit dhe këtë garanci duhet ta marrësh 5 ditë para mbarimit të afatit të certifikatës ekzistuese.
Kjo për biznesin është e pamundur pasi koha e aprovimit të një garancie bankare është minimumi 30 ditë dhe maksimumi 90 ditë, dhe ajo çfarë e bën dhe më problematik këtë urdhër është fakti që jo të gjitha bizneset që aplikojnë për garanci bankare mund ta përfitojnë atë. /Dita/