Është bërë publik udhëzimi i ri i Ministrisë së Arsimit në lidhje më marrjen në punë të mësuesve nëpërmjet portalit “Mësues për Shqipërinë”.
Udhëzimi i ri ka rritur edhe më peshën qe provimi për mësuesit do të ketë. Sipas tij, provimi do të ketë 80% të peshës, ndërsa dosja personale e mësuesit vetëm 20% të saj, çfarë nuk duket se është pritur edhe aq mirë nga mësuesit me eksperiencë. Shuma e pikëve të mbledhura nga dosja dhe provimi do të jenë edhe pikët në bazë të së cilëve do të bëhet renditja e mësuesve që aplikojnë për punë.
Testimi digjital, edhe këtë vit do të përbëhet nga 50 pyetje, “përgjigjet e sakta të të cilave vlerësohen me 100%, që konvertohen maksimalisht në 80 pikë. QSHA-ja bën konvertimin e vlerësimit të testimit të informatizuar dhe ua dërgon DRAP-së dhe Qendrës Ndërinstitucionale të Rrjetit Akademik Shqiptar” bëhet me dije në nenin 14, të kreut II të udhëzimit të ri.
Testimi elektronik zgjat vetëm një orë dhe zhvillohet njëkohësisht për të gjithë kandidatët pjesëmarrës në testim, në ditën dhe orarin e caktuar. Testi është i përbërë në dy pjesë: a) pjesa që mbulon standardet e përgjithshme të mësuesit dhe b) pjesa tjetër që lidhet me standardet lëndore. Vlerësimi i tyre, ashtu si provimi i licencës, bëhet automatikisht nga sistemi kompjuterik, duke mundësuar njohjen në çast me rezultatin.
Kushti i vetëm për të qenë pjesë e testimit është kalimi me sukses i vlerësimit të dosjes. Njësia arsimore vendore përgatit listën e kandidatëve të kualifikuar në fazën e parë dhe që do të marrin pjesë në testim, bashkë me pikët e përfituara dhe e dërgon në Drejtorinë e Arsimit Parauniversitar. Brenda këtij muaji, mësuesit do të njihen me vlerësimin e dosjes nga komisionet e posaçme të ngritura në katër drejtoritë arsimore, nga ku do të marrin formularin e pjesëmarrjes në testimin e informatizuar që nis nga data 10 korrik.
e.ll./dita
