Udhëzimi, ja kur do të fshihen kreditë me probleme nga bilanci për tatimet

anazapta

Ministria e Financave ka nxjerrë udhëzim që pritet të zgjidhë problemin e krijuar mes bankave dhe organeve tatimore për fshirjen e huave të humbura nga bilanci, i botuar dje në fletoren zyrtare. Me një shtesë në udhëzimin “Për tatimin mbi të ardhurat”, ministri Bode ka përcaktuar se, në rastin e bankave apo institucioneve financiare jobanka, borxhet e këqija mund të fshihen nga bilancet 365 ditë pasi subjekti ka depozituar në gjykatë kërkesën për nisjen e procedurave të ekzekutimit të detyrueshëm. Kontradikta kishte lindur nga një interpretim i ndryshëm i ligjit për tatimin mbi të ardhurat. Ligji, në nenin 24, përcakton se një nga kushtet që borxhet e këqija të njihen si shpenzime të zbritshme, është që të “jenë ndërmarrë të gjitha veprimet e mundshme ligjore për arkëtimin e tij”. Ky përkufizim krijonte hapësira për interpretime të ndryshme nga palët dhe, në shumicën e rasteve, organet tatimore nuk i njihnin kreditë e fshira si shpenzime fiskale të zbritshme. Kur bankat donin t’i fshinin kreditë e humbura nga bilanci, ato nuk ju njiheshin si shpenzime të zbritshme dhe tatoheshin. Kjo ka bërë që bankat të vazhdojnë të mbajnë në bilance shumë kredi të humbura dhe ka rritur në mënyrë të padrejtë detyrimet e tyre tatimore. Një nga shkaqet që shkalla e kredive me probleme ngelet e lartë është pikërisht kjo dhe Shoqata e Bankave kishte kërkuar që mënyra e trajtimit kontabël të këtij problemi nga administrata tatimore të qartësohej. Më konkretisht, shoqata e bankave kishte kërkuar që, në rastin e kredive të mbuluara me kolateral, afati i fshirjes së tyre nga bilanci të ishte 6 muaj që nga nisja e procedurave përmbarimore, ndërsa për kreditë e pambuluara me kolateral propozimi ishte pak a shumë i njëjtë me përmbajtjen e udhëzimit të ministrit Bode. I vetmi shqetësim që ngelet është zbatimi me korrektesë i udhëzimit nga nëpunësit tatimorë. Udhëzimi pritet të lejojë që kreditë që prej më shumë se një viti vlerësohen si të humbura të fshihen më në fund nga bilancet e bankave dhe t’ju njihen atyre si shpenzime të zbritshme.

 

Cfarë thotë udhëzimi

Në udhëzimin nr. 5, datë 30.1.2006 “Për tatimin mbi të ardhurat në Republikën e

Shqipërisë”, bëhet shtesa e mëposhtme:

  1. Në fund të pikës 3.9 “Borxhet e këqija”, shtohen paragrafët me këtë përmbajtje:

“Në rastin e bankave, degëve të bankave të huaja dhe subjekteve financiare jobanka të licencuara nga Banka e Shqipërisë për ushtrimin e veprimtarisë së kredidhënies, në kuptim të nenit 24 shkronja “c” të ligjit nr. 8438, datë 28.12.1998 “Për tatimin mbi të ardhurat”, borxhi i keq mund të fshihet nga librat kontabël:

i) 365 ditë pas depozitimit të kërkesës për fillimin e procedimit të ekzekutimit të detyrueshëm te për mbaruesi gjyqësor, në rast se kredia është e siguruar me pasuri të luajtshme ose të paluajtshme; ose

ii) 365 ditë pas lëshimit nga gjykata të urdhrit të ekzekutimit, në rast se kredia nuk është e garantuar me pasuri të luajtshme/të paluajtshme.

 

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *