Për të fituar të drejtën e studimit në një nga universitetet publike, apo private të vendit, çdo maturant dhe kandidat i maturave të shkuara duhet të plotësojë formularin e aplikimit online, në të cilin zgjedh 10 programet ku ka dëshirë të vijojë universitetin përgjatë vitit të ri akademik 2016-2017. Plotësimi i këtij formulari nis ditën e hënë, ku të parët qw do të aplikojnë në sistem janë maturantët e kryeqytetit. Në vijim të paketës informuese për hapat që do të ndiqen për garën e studimeve të larta, Agjencia Kombëtare e Provimeve (AKP), ka shpallur gjatë ditë së djeshme edhe udhëzimin teknik, me të gjitha procedurat e detajuara që çdo kandidat duhet të përmbushë për të bërë regjistrim të vlefshëm te 10 preferencave për studimet e shkollës së lartë.
Udhëzimi se si të plotësoni formularin e preferencave online
Për plotësimin e formularit online duhet të ndiqen të gjitha rregullat e detajuara në vijim të shkrimit. Kështu, secili maturant dhe kandidat që ka kryer pagesën e aplikimit për formularin e pjesëmarrjes në garën e universiteteve, (pagesë e cila bëhet në zyrat e Postës Shqiptare, si dhe në secilën bankë të nivelit të dytë, duke dorëzuar edhe në shkollën e tij mandat pagesën përkatëse), mund të aplikojë nga çdo mjedis ku ka akses interneti, nw shkollë, zyrë, shtëpi, kafe internet, etj. Për të hyrë në sistem duhet të aplikoni në adresën: www.matura.akp.gov.al. Me hapjen e kësaj faqeje, duhet të klikoni te butoni “apliko”, që ndodhet në pjesën qendrore të dritares dialoguese . Pas këtij veprimi shfaqet dritarja përkatëse, në të cilën maturanti duhet të plotësojë të dhënat që kanë të bëjnë me identifikimin e tij, siç janë të dhënat për numrin e identifikimit ID, emër, atësi, mbiemër, Kartë Identiteti, si dhe adresën e emailit. Çdo e dhënë duhet plotësuar me kujdes dhe në mënyrë të saktë, pasi do të nevojitet deri në shpalljen e fituesve. Tek fusha ku plotësohet “Karta e Identitetit”, duhet të vendoset numri personal. Me të plotësuar këto të dhëna, duhet të klikohet mbi butonin që thotë “identifikohu”. Në rastet kur të dhënat nuk janë të sakta, ju nuk mund të vijoni më tej, çka do të thotë se duhet të verifikoni të dhënat e hedhura mbi numrin personal të kartës së identitetit nga e para. Nëse edhe pas verifikimit të këtyre të dhënave, ju del i njëjti mesazh që pengon vijimin e mëtejshëm të aplikimit, ju duhet të paraqiteni detyrimisht pranë Drejtorisë Rajonale të Arsimit, të rrethit tuaj, ku në praninë e një mbikëqyrësi do të vijoni aplikimin përkatës. Ndërsa në rastet kur të dhënat tuaja janë të sakta , o të vazhdoni procedurat e aplikimit online sipas hapave të mëposhtme.
Rasti 1
Maturanti dhe kandidati nuk ka kryer pagesën dhe për rrjedhojë nuk ka të hedhur në sistem notën mesatare sipas vendimit të përcaktuar të qeverisë. Gjatë aplikimit në sistem, këtij maturanti i paraqitet mesazhi “ju nuk keni notë mesatare”, çka do të thotë se nuk mund të aplikoni në sistem për të plotësuar formularin për pranimet e reja në institucionet e arsimit të lartë, sepse në sistemin informatik nuk keni të pasqyruar notën mesatare. Në këto kushte brenda datave të aplikimit të përcaktuara për çdo Drejtori Rajonale të Arsimit, duhet të kryeni pagesën sipas procedurave të përshkruara më lart dhe të paraqiteni në shkollë për hedhjen e notës mesatare në sistem. Pas hedhjes së notës mesatare në sistem mund të aplikoni përsëri në rrjetin online për përzgjedhjen e programeve të studimit.
Rasti 2
Maturanti e ka kryer pagesën dhe ka të hedhur në sistem notën mesatare. Në këtë rast kandidati mund ta plotësojë formularin pavarësisht nga nota mesatare që ka. Në varësi të notës mesatare dallohen rastet e mëposhtme: “Së pari nëse nota mesatare e hedhur në sistem është më e madhe, ose e barabartë me 6. Ju do ju shfaqet në sistem lista me të gjitha programet e studimit që ofrojnë për vitin e ri akademik të gjitha universitete publike dhe ato private të vendit. Në pjesën e sipërme maturantit i shfaqen të gjitha gjeneralitetet, nota mesatare e shkollës së mesme si dhe notat e marra gjatë provimeve të Maturës Shtetërore, të cilat duhet t’i kontrollojë me kujdes, dhe të mbajë shënime nëse konstaton pasaktësi në të dhënat tija dhe të vazhdojë aplikimin.
Çdo maturanti, pas daljes së Librit të Transparencës, i vihet në dispozicion formulari i korrigjimit
të pasaktësive, i cili publikohet në faqen zyrtare të AKP-së (www.akp.gov.al). Pas shkarkimit dhe
printimit të tij, maturanti evidenton gabimet e konstatuara në të dhënat e tij. Këtë formular pas korrigjimit të pasaktësive në të dhënat personale, ai duhet ta dorëzojë në shkollën ku ka bërë aplikimin me formularët A1 ose A1Z. Këtë të fundit, drejtoritë, apo zyrat arsimore rajonale e përcjellin më pas në AKP, e cila nga ana e saj ka detyrë të verifikojë saktësinë dhe të kryejë korrigjimet duhura në sistem.
Poshtë të dhënave personale të maturantit është një “Drop Down List”, e cila i jep mundësinë atij që të përzgjedhë njërin nga programet e studimit që ofrohen nga universitetet publike dhe private për vitin akademik të ardhshëm 2016-2017.
Për ta përzgjedhur një program studimi maturanti duhet të klikojë mbi butonin “Përzgjidhe programin”.
Sistemi informatik nuk të lejon që të përzgjidhem më shumë se 10 preferenca, por lejon që të fshihet ndonjëra prej tyre, si dhe të rirenditen ato. Nëse duhet të heqim një program studimi mjafton të klikojmë tek butoni “Hiqe” ndërsa për t’i rirenditur, në kutizat anësore duhet të shtypim renditjen e re të propozuar dhe më pas klikojmë mbi butonin poshtë “Ruaj Renditjen”. (Kujdes! Gjatë vendosjes se renditjes se re nuk duhet te kemi përsëritje numrash).
Pas përzgjedhjes të programeve të studimit të preferuara kandidati klikon mbi butonin “Dërgoje formularin”.
Pas këtij hapi shfaqet një dritare tjetër dialoguese, e cila i jep mundësinë maturantit të bëjë konvertimin e formularit të tij në formatin PDF. Për konvertimin dhe printimin e Formularit maturanti duhet të lexojë udhëzimet përkatëse. Formulari mund të printohet nga maturanti nëse dëshiron të ketë një kopje në letër të preferencave të përzgjedhura. Printimi i formularit nga maturanti nuk është i detyrueshëm. Pasi të keni printuar, ose jo (sipas dëshirës) formularin e preferencave duhet të dilni nga sistemi, duke klikuar mbi butonin “dil”në pjesën e sipërme djathtas të dritares ku keni vijuar procedurat.
Veprimet kur mesatarja është më e ulët se nota 6
Nëse nota mesatare e hedhur në sistem është më e vogël se 6, këtij maturanti do t’i shfaqet vetëm lista me programet e studimit dy vjeçare me karakter profesional që ofrojnë të gjitha universitetet publike dhe private të vendit, për pranimet e vitit të ri akademik 2016-2017. Nga këto programe duhet të përzgjedhë të preferuarat.
Kushtet për degët e mjekësisë
Për maturantët dhe kandidatët që dëshirojnë të aplikojnë pranë Universitetit të Mjekësisë Tiranë, nota mesatare për programet e studimit të Fakultetit të Shkencave Mjekësore Teknike duhet të jetë më e madhe, ose e barabartë me 8. Për programet Mjekësi e Përgjithshme, Farmaci dhe Stomatologji duhet te jetë më e madhe ose e barabartë me 8.5. Pra për ato maturantë dhe kandidatë që nuk plotësojnë këto kushte të notave mesatare të llogaritura sipas vendimit të qeverisë, programet respektive nuk shfaqen në formularin që ata do të plotësojnë dhe për rrjedhojë ata nuk mund t’i përzgjedhin këto programe studimi.

