Trukimet në futboll dhe mungesa e një stadiumi të standardeve të kërkuara kanë sjellë në Tiranë zyrtarë të UEFA-s. Zv/sekretari i përgjithshëm i kësaj organizate, Theodore Theodoridis është takuar me Prokurorin e Përgjithshëm, Adriatik Llalla. Zyrtari i UEFA-s ka deklaruar se tani për çështjen e trukimeve do të ketë një komunikim direkt me institucionin e hetimit në Shqipëri.
Takimet
“Lufta ndaj trukimeve është një prioritet i UEFA-s. Me takimin që patëm me prokurorin vendosëm një kontakt direkt me këmbimin e informacioneve. Ne kërkojmë që të vëzhgojmë jo vetëm ndeshjet e organizuara nga UEFA, por edhe kampionatet lokale”, u shpreh Theodoridis. Më herët zyrtarët e UEFA-s kanë takuar ministren e Arsimit dhe Sportit, Lindita Nikolli. Çështja më e rëndësishme ka qenë mungesa e një stadiumi të niveleve të kërkuara për zhvillimin e takimeve ndërkombëtare, pasi stadiumi “Qemal Stafa” nuk mund të presë më takimet e Kombëtares apo ekipeve të shqiptare që marrin pjesë në kupat e Europës.
Stadiumi
Pra, ajo që pritej tashmë konfirmohet zyrtarisht, kombëtarja shqiptare rrezikon të luaj jashtë vendit ndeshjet eliminatore te Euro 2016 pasi vendi ynë nuk ka një stadium që plotëson kriteret e UEFA-s. Është vetë zv.presidenti i këtij institucioni, Theodoridis që pas një takimi me kreun e FSHF, Armando Duka dhe Ministren e Sporteve, Lindita Nikolla konfirmoi se rrezikohet seriozisht emigrimi i kombëtares jashtë vendi. I pyetur pas takimit ai tha se u uinformua për këtë çështje por një vendim për stadiumin Qemal Stafa apo për një zgjidhje tjetër i takon vetëm politikës duke “larë” duart për një përfshirje të UEFA-s në këtë projekt. Ndërkaq Duka deklaroi se problemi i stadiumit është real dhe se Shqipëria mund të mos luajë në Shtator në vendin tonë por dha shpresa se mund të gjejë zgjidhje me Bashkitë, konkretisht me Elbasanin dhe Shkodrën stadiumet e të cilave me një rikonstruksion mund të bëhen të pranueshme për UEFA-n.
