UEFA përgënjeshtron Barçën, “shtyn” Neymar drejt PSG

Gazeta Dita

PSG dëshiron të blejë Neymar dhe i ka fondet për të paguar klauzolën për prishjen e kontratës së brazilianit me Barcelona-n. Në ditët e kaluara, disa drejtues të katalanasve kanë siguruar tifozët se asnjë klub nuk mund ta paguajë klauzolën, për shkak se do të thyente rregullat e “Fair Play”-it të UEFA-s. Javën e kaluar, presidenti i Barçës Bartomeu ka thënë se:

“Nuk është e mundur të paguhen klauzola të tilla, nëse nuk do të shkelësh rregullat e ‘Fair Play’. Por nëse dikush nuk do t’i respektojë rregullat, klauzola mund të paguhet”.

Një deklaratë kjo që është përgënjeshtruar nga Andrea Traverso, kryetari i komisionit të “Fair Play”-it të UEFA-s, i cili, në një intervistë të dhënë për “Gazzetta dello Sport”, ka thënë se PSG ka ndjekur rregullat e vendosura nga organizmi më i rëndësishëm i futbollit europian.

“Ne jemi të kënaqur me FFP (Financia Fair Play). Kemi arritur rezultate të jashtëzakonshme në vitet e fundit. Në 2010-ën futbolli ka humbur 1,7 miliard euro, ndërsa tani këto humbje janë 300 milionë”.

“Sistemi po rritet, është financiarisht i përballueshëm, por në dy vitet e fundit diçka ka ndryshuar. Të pasurit janë bërë më të pasur dhe të varfrit më të varfër. Bota po ecën në këtë drejtim dhe futbolli nuk bën përjashtim, por futbolli nuk është një industri si të tjerat, është një kompeticion.

“Futbolli rritet me 10% çdo vit. Të gjithë janë fiksuar te shifrat që përmenden në lidhje me Neymar, por të ardhurat e klubeve janë rritur dhe kjo i lejon ata që të shpenzojnë”, ka thënë Traverso.

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *