UEFA ka publikuar formacionin më të mirë të vitit 2013, një skuadër e formuar jo nga votat e ekspertëve por të tifozëve të futbollit në sitin zyrtar. Pjesëmarrja ka qenë në numër rekord, me plot 6.3 milionë votues. Ajo që bie në sy është mungesa e Leo Mesit, i cili ka paguar dy dëmtimet e pësuara më 2013, në sezonin e kaluar dhe këtë aktual. Nuk mungon Kristiano Ronaldo, për herë të tetë i pranishëm në formacion, ndërkohë që dominues janë lojtarët e Bajernit, katër. E ndërsa prania e një numri të konsiderueshëm bavarezësh ishte e pritshme pas pesë trofeve të fituar më 2013, sërish habit mungesa e lojtarëve të Barcelonës, kampione e Spanjës, ndërsa Reali ka tre. Prapavija e formacionit të UEFA-s është thuajse identike me atë të nxjerrë nga FIFA, me ndryshimin e vetëm David Alaba në vend të Dani Alvesh. Të tjerët janë të gjithë të pranishëm, që nga portieri Neuer, te mbrojtësit Lahm, Ramos dhe Thiago Silva. Në mesfushë janë Marko Reus i Borusia Dortmund, Frank Riberi i Bajernit, Mesut Ozil i Arsenalit dhe Gareth Bale, i Totenhamit dhe Realit. Premier League prezantohet në këtë mënyrë me uellsianin, edhe pse ai nuk është më pjesë e saj, pas transferimit në Madrid. Sulmi, edhe pse pa të zakonshmin Leo Mesi, mbetet fantastik, pasi aty janë Ronaldo dhe Zlatan Ibrahimoviç. Formacioni evropian i vitit ka edhe risi të tjera përveç mungesë së lojtarëve të Barcelonës. Për herë të parë dominon Bundesliga gjermane, me pesë lojtarë, duke ia marrë këtë status kampionatit spanjoll, që dominonte nga viti 2007. Gjithashtu, Thiago Silva i Paris SG, është lojtari i vetëm joevropian. UEFA ka nxjerrë edhe statistikat e votuesve, duke bërë të ditur se numri më i madh i tyre, 137.521, është nga Portugalia, ndërsa më pas vijnë votuesit nga Gjermania e Polonia.
Botim provokativ ,sepse MESSI e ka treguar vehten qe eshte me i madhi ,eshte GJENI i pa-arritshem .