UEFA veçon Shqipërinë

redaktor

Uefa.com ka publikuar një artikull interesant, duke përzgjedhur 7 personazhet më të veçantë të fushatës eliminatore drejt Euro 2016.

Nga kombëtaret është veçuar Shqipëria, për të cilën uefa.com shkruan:

Euro 2016 do të ketë disa kombëtare debutuese, por ndërsa Uellsi, Sllovakia dhe Irlanda e Veriut kanë luajtur më parë në Kupën e Botës dhe Islanda të paktën shkoi në play-off për Euro 2014, arritja e Shqipërisë është pa asnjë precedent.

Para kësaj fushate kualifikuese, Shqipëria ka marrë pjesë vetëm në Kampionatin Europian Under-18 në vitin 1982, Kampionatin Europian Under-21 në vitin 1984 dhe në Kampionatin Europian Under-16 në vitin 1996. Megjithatë, që prej startit me fitore në Portugali, Shqipëria nuk bëri më hapa pas, edhe pse kualifikimi matematik u vonua deri në ndeshjen e fundit, fituar 3-0 në Armeni.

Shqiptarët e nisën turneun duke qenë në vendin e 41-të në renditjen e UEFA-s, por tashmë po ecin me hapa galopantë. “Kur unë thashë që Shqipëria mund t’ia dilte mbanë, qeshën me mua”, tha para pak ditësh trajneri Xhani De Biazi.

Ndërkaq, uefa.com ka veçuar edhe elementë të tjerë.

Lojtari: polaku Robert Levandovski, i cili shënoi 13 gola, duke barazuar rekordin e golave në një fushatë eliminatore.

Rekordi i pikëve: San Marino në këto eliminatore mori një pikë kundër Estonisë dhe ishte një ditë historike, sepse ishte pika e parë pas 58 humbjesh rresht në kualifikueset e Kampionatit Evropian.

Rezultati: Holandë-Islandë 0-1. Skandinavët fituan në vajtje, por askush nuk e priste që të fitonin edhe në Amsterdam, aq më shumë që ishin të parët në renditje dhe 3 pikët në Holandë nuk ishin detyrim, kundër një rivali “në fije të perit”, që aty mori goditjen e madhe dhe tashmë nuk do të shkojë fare në Francë.

Goli: Ilkaj Gyndogan shënoi një gol fantastik në fitoren 3-2 të Gjermanisë kundër Skocisë muajin e shkuar, pas disa kombinimesh të bukura me mesfushorin Emre Xhan dhe sulmuesin Tomas Myler.

Vendi i nderit: Gjibraltari debutues nuk mund të bënte shumë në fushatën e parë kualifikuese në historinë e vet, por shënoi shumë gola dhe bëri një figurë të mirë në shumë ndeshje.

Rekordi pa humbje: Plot 36 ndeshje kualifikuese rresht regjistroi Spanja për 8 vjet, para se të ndalej nga humbja 2-1 në Sllovaki, në fillim të fushatës eliminatore.

Deklarata: “Kam një të nxirë në gju, por nuk e mbaj mend kush më goditi. Kur fiton ndaj kampionëve të botës, nuk ndjen dhimbje”, u shpreh polaku Sebastian Mila pas golit të dytë që shënoi në fitoren 2-0 kundër Gjermanisë.

Fotoja më e bukur: Arda Turan duke festuar kualifikimin dramatik të Turqisë.

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *