Ujdia e fshehtë në zabel

J L

Fabul

Nga Ahmet Kamberi

 

Dhëmbëshqyesi gjakatar, pasi kishte ngrënë disa dele në një vathë dhe të gjitha të tjerat, siç e ka ai zakonin, i kishte vrarë, na ishte mërzitur e bërë derr. Ai ishte i pakënaqur nga putërmadhi, të cilin kafshët e pyllit dhe të fushës e kishin zgjedhur si të parin e vet.

U mendua e u mendua dhe nuk po dinte si t’ia bënte. Duke ecur i kapluar kështu nga mendimet nëpër një zabel dëllinjash, pa një bisht të gjatë si shtëllungë pas një dëllinje të vogël. Mori pak anash dhe e dalloi mirë se kush ishte. Ishte dredharakja bishtshtëllungë. Ajo po rrekej të nxirrte një brumbull të zi poshtë një guri ku ishte fshehur.

-Ho, ho, ho! Kështu na qenke katandisur, moj dredharakja bishtshtëllungë. Nuk paska mbetur pulë e thëllëzë në faqe të dheut që ke mbetur të gjuash brumbujt?

-Po, more dhëmbëshqyesi gjakatar. Mirë e ke ti, se bën ç’bën e gjen ndonjë dele dhe e mbush barkun për nja një javë. Po mua së mjerës m’i kanë prerë të gjitha rrugët. Pulat s’i lënë më të dalin nga kotecët, se i ushqejnë atje brenda. Qentë i gjen gjithandej. Thëllëzat s’i lënë gjahtarët gjëkundi. Lepujve s’u zënë këmbët dhe. Mua të gjorën këta brumbuj po më mbajnë gjallë.

-Kur na qenka kështu, i tha dhëmbëshqyesi gjakatar, pse nuk lidhim një ujdi? -Kur ti t’u afrohesh pulave, unë u dal qenve përpara. Ato më ndjekin mua dhe ti mund t’ia dalësh të grepsësh ndonjë prej tyre. Ti, nga ana tjetër, mund t’i afrohesh ndonjë tufe dhensh a dhishë dhe qentë do të sulen pas teje. Ti di mirë se si t’u dredhosh atyre. Unë përfitoj e ia fus dhëmbët ndonjë deleje a dhie. Kaq më duhet mua. Ujdi e mirë apo jo?

-Besa, nuk po më duket e keqe, ia priti dredharakja bishtshtëllungë, duke picërruar sytë. E, pas një cope here të shkurtër, e la brumbullin, ktheu kokën nga dhëmbëshqyesi gjakatar dhe duke përdredhur buzët, ia bëri: -U tha, u bë. Po putërmadhit si do t’ia bëjmë për ta hequr qafe?

-Do t’ia gjejmë, tha dhëmbëshqyesi gjakatar. Do t’u mbushim mendjen dhenve, dhive dhe pulave, që ne jemi mbrojtësit e tyre. Ato janë shumë. E rrëzojmë putërmadhin me vota.

-I zoti je, ia priti dredharakja bishtështëllungë, duke përdredhur kokën. Je jo vetëm gjakatar i madh e i zoti, por po më afrohesh edhe në dinakëri, – e mbylli ajo.

Kështu, ujdia e fshehtë e dhëmbëshqyesit gjakatar me dredharaken bishtshtëllungë u lidh në zabel. Dhentë, dhitë dhe pulat, do ta provonin se sa të lumtura do të ishin nga kjo ujdi.

***********

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *