Portieri mund të kalojë te Lacio, sulmuesi është gati të firmosë për Katanian
Samir Ujkani mund t’i bashkohet kolonisë shqiptare te Lacio, pasi klubi roman po interesohet për portierin kuqezi të Palermos. Sicilianët i kanë bërë ofertë Kievos për portierin Sorrentino dhe përveç parave ofrohet edhe Ujkani, por, sipas “La Gazzetta dello Sport”, është edhe hipoteza e kalimit te Lacio. Aty tashmë është një numër shqiptarësh, duke filluar me drejtorin sportiv, Igli Tare, mesfushorin e skuadrës së parë dhe kapiten i Shqipërisë, Lorik Cana, për të vazhduar te të rinjtë, ku janë Amir Bilali dhe Thomas Strakosha, ky i fundit portier.
Teksa Ujkani është pranë largimit nga Sicilia, drejt kthimit në ishull është shoku i tij në kombëtare, Edgar Çani. Sulmuesi kuqezi pritet t’i bashkohet Katanias gjatë janarit, por më parë duhet të zgjidhë problemet me Polonian e Varshavës. Lojtari dhe klubi tashmë nuk e duan më njëri-tjetrin, por problemi qëndron te detyrimet financiare që polakët i kanë sulmuesit. Në rast zhbllokimi të situatës, është pothuajse e sigurt që Çani rikthehet në Itali.
Një tjetër sulmues kuqezi i padëshiruar për klubin e tij është Hamdi Salihi. DC United ka bërë të ditur se është duke zhvilluar bisedime me shkodranin për të ardhmen e tij. Salihi është nën kontratë edhe për vitin 2013, por ka oferta nga Evropa. Kjo gjë u volitet të dyja palëve, pasi shqiptari ka një pagë tepër të lartë, sidomos po ta krahasosh me rendimentin në vitin e kaluar, kur shënoi vetëm gjashtë gola.
Ndërkaq, nga kampionati shqiptar, vazhdojnë të mbeten të preferuar lojtarët e skuadrës kampione, Skënderbeut. Nurudin Orelesi ka oferta nga Gjermania, Turqia dhe Ukraina, ndërsa sulmuesi Sabino Plaku kërkohet në Poloni e Ukrainë. Po ashtu, edhe mbrojtësi Ditmar Bici kërkohet nga një klub në Ukrainë.