Ujkani, në stol edhe te Palermo

anazapta

Portieri i dytë shfrytëzon rastin dhe shkëlqen në derbi. Tifozët e duan titullar dhe do të jetë që sot, kundër Veronës

 

Samir Ujkani humbi vendin e titullarit midis shtyllave të kombëtares, por tani rrezikon të bëhet portieri i dytë edhe te Palermo. Me kuqezinjtë ai u ul në stol në takimin me Slloveninë, për shkak të gabimeve që sollën humbjen me Islandën në “Qemal Stafa”, ndërsa te skuadra italiane ndryshimi në portë ishte i detyruar, pasi Ujkani mori karton të kuq një javë më parë, kundër Bolonjës. Megjithatë, zëvendësuesit i tij, Françesko Benusi, u paraqit mjaft mirë në ndeshjen delikate kundër Katanias, një takim tepër i rëndësishëm edhe emocionalisht për tifozët, pasi është derbi i Sicilisë. Italiani bëri figurë të mirë në çdo aspekt, me pritje dhe daljet e duhura, duke përcjellë besim te shokët e prapavijës, gjë që i ka munguar së tepërmi Ujkanit në ndeshjet e deritanishme. “Ndërhyrje të shkëlqyera në gjuajtjet nga distanca të Lodit e Almironit, por mbi të gjitha një dozë sigurie që shokët e mbrojtjes nuk e kishin parë prej muajsh. Sepse për një mbrojtës është e rëndësishme të dijë që, në rast gabimi, aty prapa është dikush që mund të korrigjojë”, shkruante “Palermo Today”. “Është e rëndësishme të dish se është dikush në gjendje të fluturojë gjatë goditjeve standard, për të eliminuar rrezikun.

 

Me pak fjalë, është e rëndësishme të dish se dikush është në gjendje të dominojë në zonën e 16 metrave”. Tani, sipas shtypit lokal sicilian, mund të përsëritet historia e vjetshme, kur Benusi luajti një ndeshje në vend të titullarit Corvas e më pas arriti të qëndronte në formacion. Për më tepër, portieri i dytë ka bërë për vete edhe tifozët, të cilët e kanë kërkuar me forcë në portë që më parë, në ndeshjet kur Ujkani ka bërë gabime me kosto të rëndë. Të shtunën, tifozët e Palermos, të kënaqur nga fitorja në derbi, por edhe qetësia e Benusit, kanë thirrur në kor emrin e tij edhe për të ardhmen. Tani është e sigurt që ai do ta ruajë vendin të paktën për ndeshjen e Kupës së Italisë, kundër Veronës, e cila do të luhet sot. Këtë e ka pohuar vetë trajneri Gasperini. “Në portë do të jetë që nga fillimi Benusi. Ai është paraqitur mirë, ashtu si Ujkani”, është shprehur trajneri i sicilianëve. Tani mbetet të shihet nëse do të jetë vetëm për ndeshjen e Kupës, siç ndodh shpesh me skuadrat e kategorive superiore. Nëse edhe në ndeshjen e ardhshme të kampionatit, kundër Interit, mes shtyllave do të jetë Benusi, atëherë sezoni do të jetë vërtetë plot vuajtje për Ujkanin, me klubin e kombëtaren.

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *