Presidenti i Palermos, zëvendësi dhe trajneri nuk e vënë në diskutim portierin
Samir Ujkani e ka ndarë më dysh opinionin te Palermo, me tifozët dhe një pjesë të medias që kërkojnë uljen e tij në stol, por ka përkrah drejtuesit më të lartë, duke filluar që nga presidenti Maurizio Zamparini. Ky i fundit i ka pranuar gabimet e bëra nga Ujkani, por nuk pranon se portieri është i dështuar. Gjatë një interviste në radio, presidenti i Palermos është shprehur: “Ujkani është i ri, por jo skarco. Të gjithë kalojnë momente të vështira. Kishim Vivianon, por edhe ai me Fiorentinën ka bërë ndonjë gabim. Tifozët besonin se edhe Iliçiç ishte pa vlera, ndërsa Morganela u cilësua si “pa nivel” dhe tani ma kërkon Napoli, por nuk ka për të lëvizur”.
Zv/presidenti – Përkrah portierit shqiptar ka dalë edhe zëvendëspresidenti i Palermos, Guglielmo Miccichè, i intervistuar nga siti i lajmeve të merkatos, Calciomercato.it. Në lidhje me Ujkanin ai ka bërë të ditur se portieri nuk do të lëvizë për t’i hapur vendin Sorrentinos nga Kievo. “Nuk ka asnjë dyshim, Ujkani do të qëndrojë. Ishte i pafat kundër Udinezes në minutën e 90-të, ndërkohë që për 89 minuta priti shumë mirë. Qëndrimi i tij në Palermo nuk vihet në dyshim”.
Trajneri – Gian Piero Gasperini ka vënë në dukje rritjen e portierit shqiptar, pavarësisht gabimeve që ka bërë, të cilat i kanë kushtuar skuadrës. “Është një situatë delikate. Ka pasur paraqitje të mira, por në disa ndeshje ka bërë gabime të rënda, që kanë ndikuar në rezultat. Përtej këtyre, rritja e tij është e dukshme, e ka treguar në ndeshjet kundër Juventusit dhe Interit, ku bëri gjëra vërtet të mira. Gabimi i një sulmuesi para portës bosh harrohet, gabimet e portierit jo. Për t’u bërë portier me nivel duhen kaluar edhe këto situata nga ana psikologjike”.