Klubi më i madh i motoçiklistëve në Rusi, “Ujqërit e Natës”, të famshëm për lidhjet e tyre me Presidentin, Vladimir Putin, do të nisin një tur ditën e nesërme të quajtur “Slavic World Tour 2016”, i cili do të kalojë mes shumë vendeve të Ballkanit për të mbërritur në destinacion, qytetin sllovak të Nitras.
Marshimi, i cili ka për qëllim “forcimin e dialogut mes popujve sllavë’, do të niset nga Rusia dhe do të ndalojë në 12 vende të Europës Lindore. 5 prej tyre janë vende të Ballkanit: Bosnjë dhe Hercegovinë, Maqedoni, Mali i Zi, Serbi dhe Bullgari.
“Ujqërit” janë themeluar nga Kremlini dhe kanë lidhje të forta me Kishën Ortodokse Ruse. Në Serbi, ata njihen për mbështetjen e tyre të fortë për serbët e Kosovës.
