Intervistë me Bedri Islamin. Çfarë ka ndodhur në Prishtinë me djalin e Rugovës dhe një vështrim krahasues me djalin e Berishës në Tiranë, Shkëlzenin. Pse Islami shprehet i bindur se nëse Eulex-i do të vepronte dhe në Shqipëri Shkëlzeni do të ishte arrestuar me kohë. Ku ngjasojnë dhe ku ndryshojnë Berishajt me Rugovët. Kush e drejton organizatën sekrete “Sigurimi i Atdheut” dhe cilat janë fijet që lidhin djalin e Rugovës në Shqipëri dhe Serbi. Përse Bujar Bukoshi e quajti Ukë Rugovën si kreun e një klani mafioz dhe debati që hap mbi ndëshkueshmërinë në Tiranë ky arrestim në Kosovë
Zoti Islami, është njoftuar arrestimi Ukë Rugovës djalit të ish-Presidentit të Kosovës, Ibrahim Rugovës nga Eulex-i. Çfarë menduat kur e mësuat këtë lajm?
Të gjithë ata që e kanë njohur rrjedhën e zhvillimeve në Kosovë dhe nëntokën e saj, qoftë edhe nga larg, nuk janë habitur nga ky lajm. Mendoj se ka qenë një lajm i pritur prej disa kohe,dhe në fakt ai është dashur të ndodhë jo sot e kësaj jave, por shumë më herët. Arrestimi i tij është bërë në grup, ashtu si edhe ka punuar, ose më saktë, si mendohet se ka punuar. Por fjalët, si pararendëse të së vërtetës, në këtë rast, kanë qenë të shumta. Sa herë që është ndërtuar një qeveri nën kujdesin e LDK-së, më së shumti emërimi i funksionarëve të lartë është bërë nga ky klan. Por nga ana tjetër, megjithëse kam qenë një ndër kundërshtarët më të shprehur publikisht ndaj politikës së Rugovës dhe qëndrimeve të tij mohuese e denigruese ndaj UÇK-së, ndjeva edhe keqardhje, jo për Ukën si person, i cili mban emrin e gjyshit të vrarë nga serbët, por ndaj asaj që po ndodh në Kosovë, ku, mjerisht, po përshkallëzon një dukuri e habitshme korruptive, dhe e cila, me gjithë dëshirën e qeverisë për të ndaluar këtë, nuk është se ka me çfarë të mburret.
I pandehuri Rugova është arrestuar ndër të tjera për korrupsion dhe implikime të rënda kriminale, nga informacioni që ju keni, çfarë përfaqëson Ukë Rugova dhe rrethi i ngushtë I bashkëpunëtorëve të tij, në lidhjet e tyre të biznesit në Kosovë e më gjerë?
Do e them më pas mendimin tim, nëse më lejoni. Më përpara do ju sjell një mendim të shfaqur publikisht nga zotëri Bukoshi, njeriu hije e Rugovës në perëndim, dhe përmes së cilit është bërë ngarkimi financiar i rrjedhave në Kosovë për shumë vite. Bukoshi, disa vite më parë, akuzon Rugovën se është i përfshirë në një mafia familjare, në një “Cosa Nostra”, dhe se shërben si mbulesë e saj, kurse Uka, djali i Rugovës, sipas tij, vendos për çdo gjë. “Kemi të bëjmë me një strukture mafioze familjare” – është shprehur Bukoshi , dhe vazhdon më tej se: “Rugova përdoret si fasadë, për të fshehur një grup njerëzish të korruptuar, të cilët I përdorin paratë e buxhetit të Kosovës, sidomos përmes tenderëve, për shpërdorime të ndryshme. Ai i shërben këtij grupi njerëzish, ai është president-kukull, me të cilin luajnë. Ky njeri, Rugova, ka degjeneruar në një kryetar fisi”, ka theksuar ish shefi i qeverisë në mëgrim, Bukoshi.
Askush nuk mund të ketë ngritur akuzë më të rëndë për një familje në pushtet. Por Bukoshi ka edhe dritëhijet e tij në këtë shfaqje politike dhe nuk i thotë dot të gjitha ato që di. Ukë Rugova, në mendimin tim, ka pasur lidhje jo thjeshtë financiare, ai për shumë kohë, përmes figurave të njohura, jo për mirë e jo për atdhedashuri, si Ramë Maraj, Sali Cacaj, ka drejtuar de-fakto një organizatë të fshehtë të shërbimit të inteligjencës, e atashuar pranë Rugovës, të quajtur “Sigurimi i Atdheut”. Njerëzit e kësaj strukture famëkeqe, të cilët mund të qëndrojnë edhe pas shumë ngjarjeve të dhimbshme në Kosovë, jo vetëm që dilnin të uniformuar dhe të armatosur nëpër ceremoniale të ndryshme, por edhe ishin pjesë e shantazhit ndaj biznesit në Kosovë. Kishte një lidhje të dyfishtë mes kësaj strukture dhe Ukë Rugovës me biznesin e nënshtruar prej tyre. Por ka edhe një fakt tjetër , i cili ende nuk është zbërthyer si duhet, dhe me sa duket, shuarja e kësaj strukture është bërë pikërisht për të humbur gjurmët e asaj që ka ndodhur. Në Kosovë, pas luftës, pikërisht në kohën kur në qeverisje kanë qenë më së shumti njerëzit e LDK-së kanë ndodhur disa vrasje politike, të personaliteteve të ndryshme, shumë nga të cilët , pak para ndodhisë së dhimbshme , kanë pasur shfaqje rebelimi ndaj kësaj , po përdor fjalët e Bukoshit, “strukture mafioze familjare”. Pothuajse asnjëra nga këto vrasje nuk është zbuluar.
A ka partner biznesi në Shqipëri zoti Ukë Rugova?
Nuk e besoj se Ukë Rugova, drejtpërdrejtë, të jetë i përfshirë në biznesin në Shqipëri. Ai më lehtësisht mund të jetë i përfshirë përmes bizneseve serbe në vendin tonë, por edhe përmes të dytëve, nëse mund t’i quaj kështu. Por kjo nuk duhet të bëjë paragjykimin e bizneseve shqiptare të Kosovës këtu, përkundrazi, duhet hapur edhe më tej rruga e bashkëpunimit. Por e vërteta që duhet thënë , qëndron në faktin se përmes shqiptarëve të Kosovës, shumë biznese serbe ose nënshtresa të këtij biznesi kanë ardhur edhe tek ne, dhe kjo, mbi të gjitha nuk është bërë në një rrugë normale, ligjore dhe e barabartë me të tjerët. Kjo është edhe e kuptueshme, përgjithësisht ata kanë qenë “peshq” të vegjël, dhe nuk duhet të tronditemi, kur mendojmë “peshkaqenë” të tipit Fazlliç.
Dje, Mero Baze shkruante se ky arrestim erdhi edhe si pasojë e faktit se Ibrahim Rugova la në Kosovë një shtet që mundet të arrestojë të birin e tij. Diçka kjo që sipas Bazes nuk është bërë dot e mundur nga trashëgimia shtetërore që la Berisha. Por dua t’iu pyes, mos vallë nuk kemi të bëjmë fare me trashëgimi shqiptarësh në këtë rast, kam parasysh këtu se Eulex është një strukturë e tutelës ndërkombëtare dhe jo trashëgimi shqiptare?
Së pari më duhet të ju bëj të qartë diçka që edhe mund të merret me mend: nëse në Shqipëri do të kishte pasur një strukture si EULEX, gjysma e familjes Berisha do të ishin prej kohe pas hekurave dhe gjysma tjetër do të ishte duke u bërë gati për atje. Fjalët që Bukoshi, disa vite më pare ka thënë për familjen presidenciale në Kosovë janë po ato që duhen thënë edhe për familjen kryeministrore në Shqipëri, por edhe në doza më të mëdha. Vrasjet massive në Shqipëri, sidomos në vitin 1997, por edhe në Gërdec dhe më tej, janë rëndesa të mëdha, jo vetëm mbi fatin e disa njerëzve, kushdo qofshin ato, por edhe mbi shqyrtimin historik të proceseve në Shqipëri. Uka i Kosovës do të dukej si qengj para “ukzimit shkëlzenian”, ndërsa Rugova do të dukej më i maturuar para tërbimit berishian. Kur ndodhin gjëra të tilla, të ngjashme, mes dy Shqipërive, nganjëherë me humor t hidhur dhe duke plasur nga marazi, u them miqve të mi në Kosovë, se “ jemi një komb e kemi një qëndrim”. Si duket, pasi nuk u bëmë bashkë në procese të tjera, në këtë lëmi kemi gjetur një gjuhë të mrekullueshme të përbashkët. Por kjo nuk ka të bëjë me një trashëgimi tipike shqiptare; më tepër është një reminishencë, ku politika dhe financat po bëhen një. Le të kthehem edhe një here në Shqipëri: ditët e fundit ishte publik lajmi se një politikan kishte blerë një vile prej më shumë se një mijë metra katror. Njerëzit e zakonshëm pyetën: me se e ka blerë, kur në fakt kjo duhet të jetë pyetja e pare e prokurorisë së shtetit. Duhet të pranojmë se për shumë vite në Shqipëri kemi pasur një qeverisje shqiptare me mendësi serbe apo me mentalitet grek…kjo është e dhimbshme, dhe kjo duhet pranuar. EULEX , në Kosovë dhe jashtë saj, sepse ajo nuk heton vetëm atë që ka ndodhur në Kosovë, por edhe atë që del jashtë Kosovës, është vërtet një institucion ndërkombëtar, por edhe në Shqipëri kishim e kemi institucione kontrolluese. Mirëpo Fondin Monetar e nxorëm jashtë, nisur nga parimi i vjetër se “nuk do pashai kallaballëk”. Deviza e qeverive që kanë ardhur e shkuar deri tani në Shqipëri, e qeveritarëve të saj, është e njëjtë në shumë raste me atë që ka ndodhur në Kosovë, sidomos në vitet e para të qeverisjes, por ka shumë ngjasime edhe tani.
Nëse drejtësia në Shqipëri do kishte natyrën dhe forcën e Eulex-it, mendoni se do kishte të njëjtat pasoja dhe ndaj fëmijëve të Berishës?
Me sigurinë me të madhe do të kishte ndodhur kjo. Më sipër unë bëra një paralele mes asaj që ka cituar Bukoshi dhe asaj që duhet thënë për familjen kryeministrore të kohës së shkuar, që kurrë mos qoftë e ardhshme. Ka ngjashmëri në qëndrimin e dy familjeve si zotër të shtetit, por në Shqipëri kjo ka qenë edhe më e theksuar, më arrogante dhe më e hapur. Ndoshta edhe nga që natyra e Rugovës ishte ndryshe nga natyra agresive e Berishës, por, kur është dashur, Rugova nuk ka pasur asnjë ndryshim nga agresiviteti apo tendencioziteti i Berishës. Por, sidoqoftë, në Shqipëri, sundimi i gjatë berishian krijoi, për fat të keq, edhe tek fëmijët, nipërit e mbesat e tij, si po e shpallin vetë, një psikozë të zotërimit të pushtetit deri në ankth, brezi pas Berishës u rrit me mendimin se çfarëdo që bëjnë ato është e drejtë, e ligjshme dhe e pandëshkueshme. Jam i bindur se djali i Berishës dhe Ukë Rugova nuk janë takuar asnjëherë me njëri tjetrin, pasi edhe vetë Rugova nuk është takuar me të atin e Shkëlzenit që prej vitit 1996. Sa ishte gjallë ai, Berisha kthehej në kufi, por kjo nuk ka ndodhur sepse ata kishin afeksion ndaj veprimeve financiare të njëri tjetrit. Kjo është një linjë tjetër. Por djali i shefit të dikurshëm të qeverisë tek ne ishte më i pushtetshëm se Ukë Rugova, ishte më agresiv, i shtrirë në disa fusha, ankth për tregtarët dhe bizneset, dhe megjithëse nuk njihet deri më tash haptas ndonjë firmë e tij, ajo që ka bërë, mjerisht, është më e rëndë se ajo që ka ndodhur në Kosovë.
Ndaj jam I bindur se, nëse do të kishim në Shqipëri, një force të tillë ligjvënëse e zbatuese, si EULEX, shumë nga këto pinjollë do të iknin me avionin e pare drejt Qipros ku kanë depozituar milionat, ose drejt ishujve të parajsës. Mjerisht këtë nuk e kemi, dhe si duket nuk do të kemi fatin të ndjejmë se kemi një strukture që e sheh të arsyeshme ndëshkueshmërinë si vlerë dhe jo si hakmarrje.
Dje gjatë gjithë ditës mbështetës të linjës së UÇK-së apo të linjës-Thaçi i kanë bërë jehonë lajmit të arrestimit të Ukë Rugovës. Mendoni se këto qëndrime janë paksa të dyfishta dhe hipokrite? Këtu kam parasysh faktin se të njëjtët njerëz janë ankuar dhe kanë goditur Eulex-in kur objekt i arrestimeve ishin politikanë të PDK-së, apo jo?
Edhe unë mendoj se nëse ka ndodhur kjo, dhe jam i bindur në konstatimin tuaj, atëherë kemi një qëndrim të dyfishtë: I rreptë kur ligji godet brenda nesh dhe, të gëzuar dhe entuziastë kur ligji godet jashtë nesh. Por duhet pasur edhe diçka tjetër parasysh: njerëzit e linjës së UÇK-së, prej shumë viteve, e jo prej sodit, janë goditur, shpesh here pa asnjë lloj faji, nga strukturat ndërkombëtare në Kosovë. Askush nuk është goditur më shumë se ato, dhe në një fare mënyre, edhe kur ka pasur arrestime për veprime të natyrës financiare, gjithnjë mes tyre ka pasur pjesë të strukturave të UÇK-së. Nuk ka asnjë rast, të marrim edhe të fundit, ndaj zotit Fatmir Limaj, për afera korruptime, thuajse të gjithë të akuzuarit, kanë qenë pjesë e luftës, dhe disa prej tyre në pozita drejtuese të saj. Dhe njerëzit kanë bërë vetvetiu lidhjen mes dy lloj arrestimeve, për çështje të luftës, shumë nga të cilat përfunduan pa asnjë të dënuar, sepse u shpallën të pafajshëm, sikur edhe ishin; dhe për çështje të aferave korruptive, ku përsëri ishin njerëz të luftës.
Por, për fat të keq, shpesh here, ne gëzohemi nga ajo që ndodh me kundërshtarët tanë politikë. Por, duke njohur rrjedhat e jetës politike në Kosovë, Ukë Rugova, personalisht ai, nuk ka qenë në opozitë me qeverinë Thaçi, ka qenë mbështetës i saj, dhe është njëkohësisht pjesë e qeverisë përmes forcës së tij politike, ku bën pjesë.
Më shumë se me Ukë Rugovën, njerëzit e linjës së UÇK-së apo të linjës Thaçi, kanë gëzuar për atë që i ndodhi familjes Rugova, dhe kjo është vazhdë e shumë viteve, e shumë zemërimeve, të cilat shfaqen edhe në këtë mënyrë, megjithëse gabimisht dhe me doza hipokrizie.