Partia populiste, ksenofobe dhe anti-evropiane, UKIP, ka arritur deputetin e dytë në Westminster, pasi fitoi zgjedhjet e pjesshme dje në Roçester dhe Strud.
Fitorja shton presionin ndaj Kryeministrit David Cameron dhe fuqisë së efektit UKIP, që po arrin të shënojë axhendën politike britanike vetëm gjashtë muaj para zgjedhjeve të përgjithshme, duke vënë kontrollin e emigracionit dhe anti-europianizimit në qendër të debatit politik.
Kandidati i saj, Mark Reckless fitoi në zgjedhjet e pjesshme të mbajtura në Roçester dhe Strud me rreth 3 mijë vota avantazh ndaj rivalit të tij konservator Kelly Tolhurst. E treta më e votuara ishte kandidatja laburiste Naushabah Khan, që mori 16,8%.
Partia e Ed Miliband, që fitoi përgjatë 13 vjetësh në këtë lokalitet deri në 2010-ën, ra në 11,7%. Reckless, kalimi i të cilit nga radhët e konservatorëve tek UKIP shkaktoi polemika, në një fjalim të mbajtur para elektoratit tha: “Nëse UKIP mund të fitojë këtu, ne mund të fitojmë në të gjithë vendin. Ju jeni eprorët e mi.
Bëni që unë të mos e harroj këtë”. “Nëse besoni se bota është më e madhe se sa Evropa, në qoftë se besoni në Britaninë e Madhe të pavarur, ejani me ne dhe do ju kthejmë vendin tuaj”, tha për britanikët fitimtari Marck Reckless. Për Nigel Farage, udhëheqësi i UKIP, kjo fitore është “brutale” dhe do të thotë se, në përgatitje të zgjedhjeve të vitit të ardhshëm “çdo gjë është në ajër”.
Ndërkohë, kryetari i Partisë së Konservatorëve, Grant Shapps deklaroi se ishte i zhgënjyer nga rezultati, por shtoi se në zgjedhjet e pjesshme rrethanat janë ndryshe nga ato në zgjedhjet e përgjithshme. “Ne do të luftojmë çdo ditë që ta marrim sërish këtë ulëse”, tha ai.
Lideri i UKIP, Nigel Farage mohoi supozimet se rezultati ishte një shenjë proteste ndaj qeverisë, apo se votuesit do t’u kthehen partive të mëdha në zgjedhjet e përgjithshme. “Mesazhi këtu ishte, nëse votoni UKIP, UKIP fiton”, tha ai.
