Problemet me rrjetin e ujësjellësit lënë pa ujë një pjesë të konsiderueshme të banorëve të Tiranës. Shkak i kësaj gjendje është bërë një avari e ndodhur në linjën kryesore të transmetimit në Shën Mëri. Në këto kushte shumë zona të kryeqytetit vihen përballë mungesës së furnizimit me ujë të pijshëm 24 orët e ardhshme. Në listën e zonave që Ujësjellës Kanalizimet e Tiranës lënë pa ujë për shkak të avarisë së krijuar janë: Qyteti Studenti, Tirana e Re, Komuna e Parisit, zona e Saukut, Rruga e Elbasanit, “Mihal Grameno” dhe “Ali Demi”.
Drejtuesit e ujësjellësit u kanë bërë thirrje banorëve që të marrin masa për të siguruar forma të tjera të furnizimit pasi deri në riparimin e plotë të defektit të ndodhur në linjën kryesore të transmetimit në Shën Mëri nuk do të ketë furnizim. Sipas kësaj drejtorie, grupe të shumta punonjësish janë tashmë në terren dhe po punojnë për riparimin e defektit të krijuar me qëllim rikthimin e furnizimit me ujë të qytetarëve. Për shkak të punimeve të nisura për ndërrimin e linjave të amortizuara të rrjetit të ujësjellësit, banorët e kryeqytetit gjatë kohëve të fundit janë përballur me mungesa të vazhdueshme të furnizimit me ujë të pijshëm.
Punimet për ndërrimin e linjave të vjetra do të vijojnë në të gjitha lagjet e kryeqytetit deri në ndërrimin e plotë të tyre.