Kriza e çmimeve në tregjet ndërkombëtare duke se ka ulur peshën e Bashkimit Europian si tregu kryesor i eksporteve tona. Sipas të dhënave nga Instituti i Statistikave, eksportet drejt Bashkimit Europian vitin e kaluar ranë në 75% të totalit, nga 77% që zinin në vitin 2014.
Eksportet drejt Bashkimit Europian pësuan një rënie vjetore me 7.6%, ndërkohë që më shumë peshë ka fituar tregtia me vendet e rajonit dhe me vendet jashtë Europës. Vitin e kaluar, eksportet drejt Kosovës u rritën me 11% dhe arritën në afro 21 miliardë lekë.
Ndërsa eksportet drejt Maqedonisë arritën në 6.4 miliardë lekë, në rritje me 21% krahasuar me një vit më parë.
Luhatjet në tregjet e eksporteve lidhen në një masë të madhe me rënien e volumeve të eksporteve për grupmallra të veçanta dhe sidomos atë të mineraleve, që vitin e kaluar pësoi rënie të eksporteve me rreth 25%. Kjo është reflektuar në rënien me 50% të eksporteve drejt Kinës, ku Shqipëria eksporton kryesisht mineralin e kromit.
Tre partnerët më të rëndësishëm të Shqipërisë në eksporte vitin e kaluar ishin Italia, Kosova dhe Spanja. Eksportet drejt Italisë dominohen në pjesën më të madhe nga grupi “Tekstile dhe këpucë”, me afro 59% të totalit. Eksportet drejt Kosovës dominohen nga grupet “Minerale lëndë djegëse, energji”, me 41% dhe “Materiale ndërtimi e metale”, me 33%. Për sa i takon Spanjës, eksportet konsistojnë kryesisht në produkte të industrisë nxjerrëse, me 78% të totalit. /DITA/
