Në takimin e NATO-s në Uells, si anëtarë me të drejta të barabarta u përfaqësuan edhe Shqipëria e Greqia. Me thënë të drejtën, unë prisja që më së fundi, aty të deklarohej nga ana e Greqisë shfuqizimi i të ashtuquajtur ligjit të luftës midis dy shteteve që nga viti 1940. Por, si duket “llogjika greke” nuk përputhet me faktin se Shqipëria me Greqinë, jo vetëm janë vende mike (bile sipas politikanëve të Tiranës, kemi miqësi strategjike?!), por fatkeqësisht vazhdojmë të jemi në gjendje lufte. Ky qëndrim grek u shpalos qartë në takimin e dy kryetarëve të qeverive. Samaras, pa harruar ulërimat dhe vargjet e ushtarëve (gjasme të NATO-s) shovinistë grekë, i kërkoi Ramës “të uli zërin e trumpetave nacionaliste! Në rast se do kishin ndopak respekt për kryeminstrin e Shqipërisë, atëherë së pari do t’i kërkonin falje për ulërimat e ushtarëve ujq grekë, dhe vetëm pastaj mund të fillonin urdhër-porositë për ndarjen territoriale, “marrëveshjen” e detit, respektimin e minoriteteve në të dy vendet etj.
Sa për tingujt e trumpetave shqiptare, Samaras, Venizellos dhe kushdo tjetër në Greqi, duhet ta kuptojnë dhe ta mbajnë mend mirë se zgjidha me drejtësi e problemit të Çamërisë shqiptare nuk janë të nacionalistëve, por kërkesa demokratike bazuar në legjislacionin ndërkombëtar për të drejtat e njeriut.
Prandaj ju pronarë të ujqve ulëritës, së pari shvlerësoni Ligjin e Luftës, dënoni gjenocidin grek duke njohur të drejtat e minoritetit shqiptar të Çamërisë, pastaj të ngremë ura reale miqësie midis dy vendeve.
Letër e nënshkruar nga Sali Bollati, Nju Jork
