Ulja e moshës së daljes në pension për minatorët nis që nga 1 janari 2015. Duke marrë pjesë në nisjen e punimeve për zhvillimin e thellësisë, dhe hapjen e “Pusit numër 9” në Minierën e Kromit në Bulqizë, ministri i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë Erion Veliaj ka deklaruar se nga janari i vitit që vjen do të ulët mosha e daljes në pension për minatorët, duke konfirmuar më tej hapjen e kursit profesional për minatorët e rinj në këtë qytet. Investimi i ‘AlbChrome’, që u prezantua dje në praninë e Ministrit të Energjisë dhe Industrisë, Damian Gjiknuri, është ndër investimet më të mëdha në sektorin minerar, jo vetëm për Shqipërinë, por edhe për rajonin e Ballkanit. Kjo pasi shuma që do të investohet në këtë projekt është 20 milion dollarë dhe do të bëjë të mundur shfrytëzimin e 2.126.800 ton rezerva gjeologjike mineral kromi. Punimet do të përshkojnë nëntokën në një distancë prej 600 metrash duke filluar në kuotën 420 metra mbi nivelin e detit e duke përfunduar në kuotën 180 metra nën nivelin e detit. Realizimi i këtij projekti i hap rrugën zhvillimit të mëtejshëm të minierës për të arritur deri në kuotën 250 metra nën nivelin e detit. “Kjo është meritë e sindikatave që i bëjnë presion çdo qeverie, derisa më në fund, erdhi një qeveri e cila i dëgjoi për uljen e moshës së minatorëve. Jam shumë i lumtur që këtë premtim e bëmë realitet. Nga 1 janari 2015, do të kemi minatorë që dalin në pension në moshën 55 vjeç dhe politikanë që dalin në pension në moshën 60 vjeç, sepse gjykojmë se është më e vështirë të jesh minator se sa politikan”, ka deklaruar ministri Veliaj. Një tjetër risi është edhe hapja e kursit të parë të trajnimit për minatorët e rinj në qytetin e Bulqizës. “Kjo minierë ka prodhuar jo vetëm lajme të këqija, por edhe lajme tragjike, kur njerëz janë plagosur apo kanë humbur jetën në punë. Një nga faktorët kryesorë të kësaj ka qenë se shumë prej të rinjve që futeshin në minierë, hynin të papërgatitur. Më vjen mirë që tanimë kemi certifikuar të trajnuarit e parë, të cilët nëpërmjet zyrës së punës janë punësuar në minierë”, ka shtuar më tej Veliaj.
