Ulet niveli i kredive të këqija

Dita

Sistemi bankar, gjatë një viti, ka arritur të kufizojë ndjeshëm sasinë e kredive me probleme. Niveli i kredive me probleme në janar të këtij viti u ul në 18.4%, nga 22.8% që ishte në janar të vitit 2015. Ndryshimi është i dukshëm edhe në vlerën e portofolit të kredive me probleme, që, brenda një viti ka zbritur në 106 miliardë lekë, nga 133 miliardë lekë që ishte një vit më parë.

Kjo rënie ka qenë kryesisht kontribut i nxjerrjes nga bilancet të kredive të humbura prej vitesh, por jo vetëm. Duket se parametrat cilësorë të kredisë së sistemit bankar kanë arritur një farë përmirësimi, çka mund të gjykohet nga një analizë më e detajuar e kategorive të kredive. Kreditë klasifikohen si problematike kur kanë një vonesë në shlyerje më shumë se 90 ditë.

Kategoria e parë e kredive me probleme është ajo nënstandarde, ku përfshihen kreditë me vonesë nga 90 deri në 180 ditë. Totali i kredive nëstandarde në janar 2016 ishte 25.7 miliardë lekë, nga 37.6 miliardë lekë që kishin qenë një vit më parë. Rënia e kredive në këtë kategori në thelb, nënkupton se gjatë 12 muajve të fundit sistemi bankar ka prodhuar më pak kredi problematike, raporton Scan.

Kjo tregon se, përveç fshirjes së kredive të pashpresa, ulja e kredive me probleme ka ardhur edhe falë një përmirësimi organik të cilësisë së portofolit të kredisë. Ky është një element optimizmi dhe përbën një bazë më solide drejt uljes së qëndrueshme të kredive me probleme.

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *