Ulja e detyruar e avionit të Morales-it zemëron vendet e OSA-së

anazapta

Organizata e Shteteve Amerikane (OAS) nuk do të qetësohet: Zemërimi i saj drejtohet kundër atyre shteteve të BE-së që detyruan avionin e presidentit të Bolivisë, Morales të ulet javën e kaluar në Vjenë.

Me mbylljen e hapësirës së tyre ajrore Franca, Spanja, Italia dhe Portugalia kanë “shkelur qartë parimet e të drejtës ndërkombëtare”, sqaroi Këshilli i Përhershëm i Organizatës së Shteteve Amerikane, në një rezolutë të miratuar në Uashington. Nga katër vendet e BE-së kërkohet që të japin “shpjegimet e domosdoshme” për incidentin dhe të formulojnë “ndjesë të përshtatshme”.

Rezoluta erdhi pas diskutimeve të gjata prapa dyerve të mbyllura. Ajo u prezantua në Këshill nga Bolivia, Nikaragua, Ekuadori dhe Venezuela. SHBA dhe Kanadaja si shtete anëtare të OAS-ës shprehën mospajtimin e tyre me tekstin e rezolutës. Ata e quajtën të pakuptueshëm konkluzionin e arritur pasi ende nuk janë sqaruar të gjitha çështjet.

“Terrorizëm shtetëror”

Shkaku i ndalesës së detyruar në Vjenë ishte supozimi i gabuar se ish-punonjësi i shërbimit të fshehtë amerikan dhe specialisti i teknologjisë informative Edward Snowden ndodhej në bordin e avionit të Evo Morales.

Presidenti bolivian ishte më 2 korrik në kthim e sipër për në La Paz. Avioni ishte nisur nga Moska ku Snowden me sa duket po qëndron ende i mbërthyer në zonën e tranzitit të aeroportit Sheremetievo. Vetëm pas disa orë pritjeje dhe kontrollit të udhëtarëve, Morales ishte lejuar të vazhdonte udhëtimin e tij. Bolivia e quajti incidentin më vonë si “terrorizëm shtetëror”.

Fjalë të tilla të ashpra natyrisht që nuk u përdorën nga sekretari i Përgjithshëm OKB-së, Ban Ki Moon. Megjithatë edhe ai shprehu indinjatë për rastin. Krerët e shteteve kanë imunitet, as avionët e tyre nuk duhet të preken, theksoi Ban pas një takimi me ambasadorët e disa vendeve të Amerikës Latine.

Vendet e prekura evropiane kanë shprehur keqardhje për incidentin dhe kanë siguruar se incidenti nuk ka pasur sfond politik. Por një përfaqësues i qeverisë boliviane i hodhi poshtë si të pamjaftueshme deklaratat e tyre.

 

Share This Article
1 Comment
  • Shtetet qe bejne pjese ne OAS kane totalisht te drejte kur qeveria e Vjenes ka bere ulje te detyruar te avionit te presidentit te Bolivise Morales, njeriu me popullor dhe me i dashur ne kete shtet dhe me gjere. Pergjegjesia bie edhe mbi ato shtete qe mbyllen hapesiren ajrore per avionin e presidentit te Bolivise.Per kete ata duhet te shpaguajne e te kerkojne ndjese publike popullit dhe presidentit Bolivian. Mendoni per nje cast sikur te ishte avioni Presidencial Amerikan me Obamen ne bord, a e mendoi dot…. Kjo eshte bota ….. Me te drejte eshte quajtur Terrorizem Shteteror.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *