Holandezi nuk pranon reduktimin e rrogës dhe mund të padisë Interin
Kërkesa e Interit për t’ia ulur pagën vjetore mund të mos pritet mirë nga Wesley Sneijder, i cili për momentin është duke vlerësuar ofertën e bërë nga Interi, të cilën mund të mos e pranojë dhe njëkohësisht të hedhë në gjyq skuadrën e tij. Ngërçi i çështjes, me dy fjalë, qëndron këtu: Sneijderi ka firmosur një kontratë me Interin dhe ka të gjithë të drejtat për të kërkuar respektimin e saj. Presidenti zikaltër, Massimo Moratti, nga ana tij, duhet të bëjë llogaritë me një gjendje ekonomike jo të kënaqshme, çka po e shtyn për të kërkuar uljen e pagave të larta të disa lojtarëve. Por, në pritje për të marrë një përgjigje definitive nga Sneijderi, klubi i Interit ka marrë vendimin për ta lënë lojtarin jashtë deri në çastin kur ai të kthejë një përgjigje përfundimtare: të firmosë dhe të kthehet në dispozicion të trajnerit, Andrea Stramaccionit, ose mos ta pranojë ofertën dhe të rrijë larg ekipit.
Kjo është e mjaftueshme për Shnajderin për të akuzuar klubin e tij për mobing, edhe pse faji në mënyrë juridike nuk është i lehtë për t’ia vendosur Interit, por rreziku që të dyja palët të përfundojnë në gjykatë është reale. Kjo mund të shmanget vetëm në rast se lojtari do të gjej ndonjë skuadër tjetër, duke u larguar me vullnetin e tij nga Interi në muajin janar. Humori i keq është shfaqur edhe në mimikën e “tulipanit”, i cili është pyetur se çfarë ka ndër mend të bëjë për të ardhmen e tij. Sneijder nuk ka dashur të lëshojë asnjë deklaratë për momentin duke thënë: “Nuk dua të flas tani për Interin”.