Edmond Brozi
Ulliri mendohet të jetë dru frutor aq i lashtë sa dhe prania e njeriut në tokë. Origjina e tij vjen nga pellgu i Mesdheut dhe mendohet që zanafillën e ka në Palestinë apo Sirinë e sotme. Ulliri historikisht ka simbolizuar paqen. Në Romën e lashtë ulliri ishte i shenjtë dhe konsiderohej si pema frutore më e rëndësishme në historinë e agrikulturës.
Pellgu i Mesdheut, sikurse dihet, ka klimën ideale për rritjen e kësaj peme, e cila dallohet për frutet e shijshme dhe vajin e prodhuar prej tyre të një cilësie të lartë. Rreth 90 % e ullinjve në të gjithë planetin prodhohen në këtë zonë, ku prodhuesit më të mëdhenj janë Spanja, Italia dhe Greqia.
Mjedisi gjeografik në të cilin gjendet Shqipëria ka bërë po ashtu që edhe ilirët, paraardhësit e shqiptarëve në këto troje që në lashtësi, të jenë të lidhur ngushtë me këtë pemë. Këtë fakt e vërtetojnë, pa as më të voglin dyshim, jo vetëm gjetjet nga gërmimet arkeologjike, të mbushura me vizatime me motive prej gjetheve apo fruteve të këtij druri, sidomos enët që shërbenin për ruajtjen e ullinjve dhe vajit të nxjerrë prej tij. Po ashtu, dokumentet historike të Mesjetës dhe në vijim, dëshmojnë praninë e ullishteve në të gjithë zonën kodrinore të vendit, nga veriu në jug, përballë bregdetit Adriatik dhe atij Jon. Hershmëria e kultivimit të kësaj peme vërtetohet edhe përmes vreshtave të vjetra e sidomos ekzemplarëve të rrallë, midis të cilëve veçohet ulliri në fshatin Gjorëm të Kurbinit.
Ky është një ulli me përmasa gjigante, i cili kalon çdo parashikim apo imagjinatë normale, nga sa mund të mendojë dikush që nuk e ka parë, që për rrjedhojë i duket e pabesueshme. Perimetri i trungut të këtij ulliri është 11.3 m dhe, sipas përllogaritjeve, i bie që diametri i tij të jetë rreth 3.6 m. Nga ky këndshikim nuk është e lehtë të përcaktohet mosha e kësaj peme, por, nisur nga përmasat e trungut, specialistët mendojnë që ky ulli, në mos më i vjetri, duhet të jetë një ndër individët më të vjetër, jo vetëm në Shqipëri, por edhe më gjerë, në Ballkan dhe Evropë.
Në një shtet normal, ku funksionon si duhet ligji për mbrojtjen e monumenteve të natyrës, ky ulli duhet të gëzonte mbrojtje dhe kujdes të veçantë. Kush e di sa luftërave, zjarreve apo stuhive u ka mbijetuar ky ulli përgjatë shekujve?! Kujtojmë që kjo zone ishte qendër kryesore e luftimeve të Skënderbeut kundër pushtuesve osmanë, madje tek sa shëtit nëpër ullishten e Gjormit dhe më tej, atë të Zhejës, lehtë mund të hasësh në sipërfaqe copa të ndryshme qeramike, mbetje enësh të përdorimit shtëpiak,tulla, tjegulla, etj. Kjo tregon që kjo zonë ka qenë e banuar që në lashtësi, por fatkeqësisht me të nuk është marrë thuajse askush në mënyrë të organizuar, për të kryer kërkime të specializuara arkeologjike. Shumë sivëllezër të këtij ulliri, që kishin mundur t’i rezistonin kohës, luftërave e zjarreve, këto 25 vitet e fundit, si shumë vepra të tjera të artit, janë trafikuar abuzivisht duke u përdorur për të zbukuruar oborret e hoteleve apo vilave luksoze pronarët e të cilëve as e kanë idenë se ç’është ulliri. Nuk është e vështirë të dallosh se përreth rrënjëve të këtij ulliri janë bërë gërmime. Nuk duam as nuk duhet ta besojmë që është tentuar të shkulet, pasi kjo do ishte një përpjekje e kotë, thuajse e pamundur për vetë përmasat e tij. Urojmë që dikush mbase do jetë kujtuar për t’i ndërtuar një mur, duke qenë se dhe terreni është i pjerrët, për t’i siguruar mbrojtje nga rrëshqitja e mundshme e terrenit apo rrjedhja e ujërave sipërfaqësore kur ka reshje shiu, të cilat mund t’i rrëmojnë dhe nxjerrin në sipërfaqe sistemin rrënjor. Të mos harrojmë dhe faktin që ky ulli edhe pas mijëra vitesh jetë vazhdon ende të prodhojë kokrra.
Do të ishte e kotë t’u bëjmë apel organeve të qeverisjes vendore, drejtorisë rajonale të bujqësisë dhe asaj të bashkisë, por edhe ministrisë përkatëse dhe drejtorisë së shërbimit pyjor, pasi fjalët bien si përherë në vesh të shurdhër.
Nëse një shtet normal, që vlerëson kulturën, historinë, traditën, duhet medoemos të kujdeset edhe për këtë pasuri të paçmuar e të lënë ndër breza e që fatmirësisht është e pranishme.
Jemi dëshmitarë që shumë monumente të një rëndësie të veçantë janë lënë në mëshirë të fatit. Në një vend tjetër të Bashkimit Evropian, ku pretendon të anëtarësohet edhe vendi ynë, ky ulli, dëshmitar i shekujve, do të mblidhte rreth vetes mijëra turistë, vendas e të huaj. Por, mbase një apel, përmes këtij shkrimi, shkon edhe për banorët e fshatit Gjorm, të cilët janë me fat që kanë një pasuri të tillë. Ata duhet të kujdesen dhe ta mbrojnë të parët këtë monument të natyrës (dhe pse çuditërisht nuk është shpallur si i tillë), sepse kjo pasuri vlen sa vetë qëndresa dhe historia e lavdishme e Gjormit, Kurbinit dhe Arbërisë.

Bravo ! Mesazhi eshte i qarte.Shkrimi i bukur.Vertet ky ulli duhet shpallur monument kulture.
Kam pare ne Jerusalem ullinj shume me te rinj se ky i Gjormit dhe atje i cmonin si bashkemoshatare me Jezu Krishtit ! Ata jane mjeshtra te marketingut dhe reklames ! Duhet promovuar kjo peme legjendare, ndoshta unikale ne Evrope,duhet te behet i arritshem per turistet pra duhet te shoqerohet me infrastrukture rrugore e sherbimesh.Athere populli i Gjormit dhe Shqiperia mund te kene shume perfitime jo vetem materiale.