Flet shkrimtari dhe semiologu italian, i cili të hënën mbajti një fjalim në OKB me temë ” Against the loss of memory” (Kundër humbjes së kujtesës) dhe prezantoi “EncycloMedia”, enciklopedinë e re dixhitale
Nga “La Stampa”
“Po i keqpërdorim burimet tona”, i referohet arsimit dhe studimeve Umberto Eco, më pas kujton batutën e ish-ministrit të Ekonomisë, Giulio Tremonti, ndërsa shkurtonte buxhetin në qeverinë Berlusconi: “Dikush erdhi e tha se me kulturën nuk ushqehemi, kur në fakt ka vende si Franca që me të hanë shumë”. Eco sapo ka publikuar së fundi “Storia delle terre e dei luoghi leggendari” (Historia e tokave dhe vendeve legjendare), por në Nju Jork, e takojmë gjatë një eventi të organizuar nga ambasadori italian, Sebastiano Cardi.
Çfarë ka të gabuar nëse dikush kërkon në internet informacionin se kur ka qenë Richard Nixon president i Shteteve të Bashkuara?
Asgjë, në vetvete. Gjithmonë kam thënë se një njeri i shkolluar nuk është ai që di datën e lindjes së Napoleonit, por ai që di ta gjejë brenda pesë minutave. Megjithatë nuk mund të nisemi nga hiçi: kur dikush nuk e ka idenë nëse Nixoni ishte para apo pas Kennedy-t, diçka nuk funksionon.
Po humbasim kujtesën në përgjithësi, apo kujtesën cilësore për shkak të pafundësisë së informacioneve në internet?
Të dyja. Shpesh në teste zbulojmë se studentët universitarë nuk e kanë idenë as se kush ishte De Gasperi
Çfarë problemesh gjeneron kjo humbje kujtese?
Le të përmendim disa shembuj praktikë: Nëse Hitleri do të kishte lexuar “Lufta dhe paqja”, do ta kishte kuptuar se pushtimi i Rusisë nuk ishte një ide e mirë. Nëse Bush do të kishte lexuar librat e historisë mbi pushtimet perëndimore në Afganistan, do të kishte bërë zgjedhje të ndryshme.
Pra “EncycloMedia” ofron informacione po aq të gjera si ato që gjejmë në internet, p.sh. në Wikipedia, por të filtruara dhe të garantuara.
Kjo është një pikë e sigurt. Problemi i internetit janë burimet e pafundme dhe të pasigurta. Në të njëjtën kohë “EncycloMedia”, ju lejon të bëni lidhje, të cilat rrjeti nuk jua lejon: Dikush në internet gjen Betovenin, por nuk e di se ai duke kompozuar “Eroica”-n kishte në mendje Napoleonin. Me ne mund ta zbulojë.
Bota dominohet nga “Big Data”, informacionet mbi gjithçka dhe të gjithë, të përdorura edhe nga politika. Përbën kjo një kërcënim për privatësinë?
Për privatësinë nuk më bëhet më vonë. Një bashkëshort duhet të dalë nga shtëpia duke thënë se po shkon t’i bëjë një vizitë të dashurës. Kështu gjithçka është publike dhe pastaj rikthehet në private, sepse askush nuk e beson. Unë jam një përdorues internet, por jam i privilegjuar sepse kam një formim që më lejon të filtroj. Televizioni ishte një e mirë për të varfërit, sepse u mësoi atyre gjuhën letrare dhe një e keqe për të pasurit, që në vend që të shkonin në opera, u detyruan të qëndronin në shtëpi për të parë programet e tij. Interneti është e kundërta e kësaj: një e mirë për të pasurit që dinë si ta përdorin dhe një e keqe për të varfërit (natyrisht jo në sensin ekonomik), që nuk dinë të bëjnë dallimet.
Po “Big Data” nuk ju tremb?
Nuk është një problem kulturor, por politik. Përshtypja ime është se gjithë këto të dhëna të mbledhura, në fund nuk do t’i intresojnë më askujt.
Informacioni sot udhëton edhe në rrjetet sociale, shkrimtarë si Jonathan Franzen thonë se kjo është e dëmshme. Ju si mendoni?
Nuk jam në Facebook, nuk jam në Linkedin, nuk jam asgjëkundi. Nuk më interesojnë, prandaj dhe nuk e lejoj veten të shpërqendrohem.
Keni ardhur në OKB në një moment pasigurish të mëdha: duket se askush nuk e drejton më botën. A lind ky çorientim edhe nga moria e informacioneve, shpesh të gabuara?
Ekziston një parim anarkie, por nuk dëshiroj të jap një përgjigje tani.
Pak kohë më parë e përkufizuat veten si një “optimist tragjik”. Vazhdon të jetë kështu, apo ka filluar të mbizotërojë pesimizmi?
Po përpiqem akoma të jem një optimist, tragjik.
Pra do t’ia dalim mbanë, pavarësisht vonesave të Italisë?
Ndoshta po. Dhe nëse nuk do t’ia dilni, unë nuk do të jem më./ D.Gjuzi

E dashur Dita, shembulli i “La Stampa” eshte shume pozitiv, pra intervistimi dhe mendimi i njerezve per probleme te tjera shoqerore dhe jo vetem politike, vrasje, vjedhje, … Po behemi te zymte dhe agresiv duke leuar vetem mbi te keqen. Pa le sikur te intervistoni dhe ju elementin pozitiv, jo VIP, qe te japin mendimin e tyre mbi problemet dhe mundesisht ju lutem shqiptar.
Me siguri atdhetaret e mi dine te mendojne dhe flasin po kaq bukur sa Umberto Eco (asgje kundra tij), dhe keshtu populli yne fillon njeh femijet e tij te ditur dhe krijon besimin qe edhe ne jemi te afte te bejme dicka tjeter, dhe jo vetem te vjedhim, fyejme, vrasim, te shesim dhe te shitemi. Jeta e shqiptarit ka hyre ne nje krize te rende. Eshte detyra e gazetarise qe jo vetem ta pasqyroje jeten, por edhe ti hape horizonte te reja, te sjelle drite kur eshte erresire.