Unë në protestë…

redaktor

Një telefonatë në orët e mbrëmjes nga një mik i mirë:

-Genc! Eja nesër në protestë patjetër…

-Ku, kur dhe pse?

-Para Kryeministrisë, në orën 10 paradite, për gjeologjikun…

Kaq…dhe ma mbylli telefonin. Po vete, i thashë vetes, me atë rast, pi edhe një kafe me mikun. Nuk e kisha problem të shkoja në evente të tilla. Me mitingje, protesta, promovime… e shtyjmë shumicën e kohës ne pensionistët. Shpesh, gruaja më qesëndis me fjalët: “Po të përdorin o ditëzi, po të shfrytëzojnë…Ata bëhen kryetarë bashkish, deputetë…ndërsa ti mbete me atë pension mjeran…!”

Më në fund zbardhi dita… Mbaruan veprimet rutinë dhe filluan përgatitjet për…protestën. Ndërsa po i drejtohesha garderobës, u shtanga. Më goditën mëndjen fjalët “protestë”, “kryeministri”, “polici”…Kisha nxjerrë mësime nga 21 Janari…E dija përmendësh listën e veshjeve dhe pajimeve: Kapele stofi, për t’u mbrojtur nga “shiu” i zjarrfikseve dhe shkopinjtë e policisë; syze të mëdha, të trasha dhe të errëta, kundër gazit lotsjellës dhe spiunëve; një xhup të trashë, në rast qelie; çadër gjirokastre me bosht çeliku, për t’u mbrojtur dhe sigurisht, jelek…antiplumb.

Dhe kështu, i blinduar, u nisa. Fiks në orën 9 e 45, u ndodha para Kryeministrisë. U befasova. Asnjë polic, asnjë protestues përballë saj, përveç disa kalimtarëve në punë të vet. Kaloi edhe ora 10, 10 e çerek, e më shumë dhe përsëri, asnjë këmbë polici e protestuesi. Kisha kohë që s’kisha kaluar aty dhe mbeta gojë hapur teksa shihja një kryeministri të “rrjepur” nga kangjellat, nga murret mbrojtës… Më lindi dyshimi se mos nuk është më këtu Kryeministria. S’mund të mos dyshoja sepse ndërimi i selive këto kohë është në modë. Ndërroi vend PD, Ministria e Mbrojtjes dhe mbase kjo kishte ndodhur edhe me Kryeministrinë…?! Për një çast ndjeva gëzim. Bravo Rama!-thash me vete-bëri mirë që u largua nga kjo ngrehinë e nëmur, brenda së cilës janë ngjizur sa e sa gjëma për shqiptarët. Mbase e ka bërë edhe për qerratallëk. Hahaha…sa ta marri vesh mileti ku ka shkuar kryeministria, shtyhen për ca kohë protestat dhe zvoglohet numuri i pjesëmarrësve.

E ndërsa torolisesha mes këtyre dyshimeve, mendova: “Po unë pse po rri akoma këtu si idiot? Mbase s’ka protestë, mbase s’është këtu kryeministria?!

Për “fat” më zuri syri dy ish-kolegë, që sapo dolën nga “Rogneri”, me të cilët s’kisha kurfarë afiniteti. Ishin ndër ata tipa që pa asnjë kontribut të veçantë shkencor, mbasi ishin “mbathur” me disa grada shkencore dhe tesera partie, kishin kohë që kishin pushtuar karriget e administratës shtetërore. I pyes:

-A dini gjë për një protestë për gjeologjikun që do zhvillohet sot?

Ata mblodhën supet dhe u larguan. Mbeta si një cop trungu mes sheshit. Por nuk zgjati shumë. Një zë i njohur më shpëlau trurin nga shija e hidhur e pranisë dhe sjelljes së ish-kolegëve.

-Genc, o Genc!

Ishte zëri i mikut tim.

-Më fal,- vazhdoi ai-ngatërova orën. Protesta fillon më 11. Ja tani po vijnë protestuesit.

Hedh vështrimin nga korpusi i Universitetit dhe shoh turmën me pankarta, që vinin drejt nesh, duke hedhur parulla. Bashkohemi edhe ne me ta. Shtrëngojmë rradhët dhe i avitemi Kryeministrisë. Përballë, më shumë kamera dhe gazetarë, se sa policë. Asnjë siluetë apo lëvizje tek dritarja e Kryeministrit. Këndej zhurmë dhe zallamahi, andej nga karabinaja, një “heshtje” e mbyllur brenda murreve të trasha gri. Ja, në krye të turmës dikush me kasketë minatori dhe mikrofon. Tinguj, gërma, fjalë që shpërthejnë nga mikrofoni dhe tentojnë, mes labirinthesh, të mbërrijnë tek veshët tanë të shurdhuar nga britmat e turmës. Por, më kot, asgjë nuk po artikulohej qartë në trurin tim. Nuk po kuptoja esencën e shkakut të protestës. Mikun tim s’e kisha pranë. Ishte rradhitur me drejtuesit e protestës. Pyes rreth e rrotull. Ja përgjigjet: “protestë kundër qeverisë”, “kundër taksave”, “kundër Fullanit”, “kundër Ramës”, “kundër vëllait të Erjonit”, “do shkrihet fakulteti”, “kundër…”…Shkurt: “lesh arapi”. Ndjeva trishtim. U ngërtheva nga mendime cinike: “njerëz të hallakatur”, “nuk dinë ç’kërkojnë”…Ma solli humorin një tip, që m’u afrua, duke më thënë:

-Zotëri! E dinte dikush, por se ku shkoi…! Ja po shkoj ta gjejë…

Qesha…dhe ktheva shikimin nga kreu. Ndërkohë një tjetër ligjërues, por tashmë, me megafon. Ndërsa po përqëndrohesha për të kuptuar diçka, ndodhi e papritura. Befas u hap dera ballore e Kryeministrisë dhe doli…Nuk dolën as gardista e as policë të armatosur. Doli…doli Edi, Edi Rama, i shoqëruar nga dy burra “të shkurtër”. Sakaq, me hapin e tij të shpejtë e të shkurtër, Kryeministri humbi mes turmës. I dukej vetëm koka që lëviste para, mbrapa, majtas e djathtas. Debatonte me disa vetë njëkohësisht, por asgjë nuk dëgjohej qartë nga që s’kishte mikrofon. Një debat që zgjati disa minuta dhe u mbyll me të vetmet fjalë të Kryeministrit, që i dëgjova qartë: “Ka një vendim të KM, për transferimin e Fakultetit në një godinë tjetër me kushte më të mira, në po atë truall. Ju do të vazhdoni mësimin atje ku jeni derisa të jetë gati godina tjetër…”

Pas këtyre fjalëve, u largua në po atë drejtim nga kish ardhur. Ndonse i ndjekur nga një përzjerje zhurmash të turmës, ku nuk dallohej kush peshonte më shumë, respekti apo mungesa e respektit, nuk harroi atë gjysëm kthimi koke, të shoqëruar me përshëndetjen e dorës së ngritur lartë, buzëqeshjen e pjerrët dhe shkeljen e syrit. Iku pra kryeministri. U mbyll edhe porta e ngrehinës, e bashkë me të, u fashitën disi edhe britmat e protestuesve. Për një moment, u duk sikur do fillonte shpërndarja, kur dikush u kujtua se kishte edhe 20 minuta brenda kohës së lejes të marrë nga policia. Për fat nisi të fliste një ish-kolegu dhe miku im. Ndonse, edhe ai thuajse nuk u dëgjua qartë, por prej tij mësova dhe detajin e fundit të shkakut për zhvillimin e kësaj proteste: Në godinën e Fakultetit Gjeologji-Miniera do të instalohet Gjykata e …Më goditi fortë ky detaj. Nuk m’u nda nga mendja edhe pas largimit nga protesta e deri në shtëpi. U mbylla në dhomë dhe fillova një monolog të gjatë me veten…

-Gjykatat, drejtësia…!!?? Nuk ka fjalë që të prodhojnë më shumë alergji për shqiptarët, se sa këto. Drejtësia po kërkon strehim!? Dhe ku? Në një tempull…Po! Në një tempull të vërtetë, të cilin vetëm qeveritarët që venë e vinë, nuk e kanë njohur dhe vlerësuar. Në një ndërtesë, ku për disa dekada, është përgatitur një armatë e tërë specialistësh dhe shkencëtarësh që e bënë Shqipërinë, “dikur”, të prodhonte deri 3 milionë tonë naftë në vit, të zinte vendin e parë në botë, për frymë popullsie, në prodhimin e kromit…E pra, në këtë tempull dashka të fusi kokën Drejtësia, e cila i ka shumë borxhe për t’i larë këtij populli. Hahahaha…, sigurisht, Drejtësisë, kësaj kryemëkatare ndaj shqiptarëve i duhet një tempull për t’u falur, për të pastruar shpirtin…Përsëri hahaha! Por nuk është ky ai tempull, zotërinj qeveritarë. Populli, prej kohësh e ka caktuar “vendin”, ku mund të fusin kokën disa prej kokrave që vegjetojnë në gjirin e saj… Ata, as i ka prishur, e as i ndreq ndërrimi i selisë. Eshtë njëlloj sikur të mbash në vath një tuf ujqësh dhe të shpresosh të kthehen në dele… Qeveri, por më shumë, ju ndihmësa dhe këshilltarë të saj! Keni bërë një zgjidhje tepër të gabuar. Por me sa duket kjo gjë “është bërë rrugë”. Nuk jeni ju të parët. “Paraardhësit” tuaj i vunë kazmën sa e sa “tempujve” të shkencës. Edhe mund t’i listoja, por…por një zë brenda shpirtit më thotë: “Ia the mo, ia the, po kujt ia the!?” Veçse nuk mund të le pa përmendur atë që më dhemb më shumë, ish-Institutin e Naftës. Një epiqendër e shkencës së naftës shqiptare, e cila tani ka mbetur vetëm në kartolina, që ne, ish punonjësit e saj, të shpërndarë në të katër anët e botës, ia dërgojmë njëri-tjetrit, përmes FB, me diçitura të tipit: “Na ishte një herë…”. Po sa e sa të tilla, në Shqipërinë tonë, gjatë “tranzicionit”, u katandisën në “na ishte një herë”? Lista është e gjatë, e gjatë…nga Fakulteti Gjeologji-Miniera deri tek …Kryeministria. Z. Kryeministër! Ju shpesh i referoheni “magjisë” norvegjeze, dhe mirë bëni. Por mësoje se Norvegjisë, bumin ekonomik nuk ia solli vetëm shfrytëzimi i mençur i energjisë hidrike, por kryesisht, zbulimet e bujshme të naftës në Detin e Veriut. Pse? Sepse qeveria atje, nuk të fal për ruajtjen e integritetit tokësor e detar. Nuk të fal për ruajtjen e kapitalit intelektual, ku përfshihen edhe shkencëtarët e naftës. Ja kështu janë punët z.Kryeministër. Në këtë protestë, ju hodhët vetëm hapin e parë të performancës së një lideri modern. Mendova se do të vazhdonit më tej, duke u xhveshur nga tiparet e vjetra ballkanike, nga sedra e sëmurë, nga ngurimi për të anuluar një vendim të mëparshëm, që duket sheshit i gabuar. Por jo! Me fjalitë e fundit që i drejtuat protestuesëve, u duk qartë se ju nuk mund të vazhdonit më tej. E di mirë që është e vështirë të ecet kundër vetes. Por mos harroni se tashmë, Ju nuk jeni vetëm vetvetja. Ju jeni Kryeministri i gjithë shqiptarëve. E duke qenë kështu, jo rrallë do t’ju duhet të ecni edhe kundra vetes. Në të kundërt, Ju do të bini në gabimet e paraardhësit, e pse jo, dhe paraardhësve tuaj të periudhës së “tranzicionit”.

Lista? Përsëri ajo është shumë e gjatë. Fillon në Vermosh e mbaron në Konispol. Po përmend ata më të freskëtit, ato gabime që çuan në ngërçet – skandal tek “Zogu i Zi”, “Sheshi Skënderbe”…, (sa të ngjashëm me “gishtin” e Carit të Rusisë, me hekurudhën pranë Moskës…!!), të cilët varrosën miliona të taksapaguesëve shqiptarë.

Edhe diçka tjetër:

Kujdes me simbolet, mos i sulmo ato, mos i shkatëro. Simbolet mbajnë gjallë organizma, komunitete deri dhe kombe. Institutit të naftës, psh, fillimisht i ndërruan apo i hoqën emrin dhe më pas e shkrinë. Batërdia vazhdoi edhe me armatën e shkencëtarëve të naftës, të cilët i keqtrajtuan, i shpërfillën, deri sa të shumtët, u detyruan të merrnin arratinë anë e kënd botës. A mos vallë kështu do veprohet edhe me Fakultetin e Gjeologjisë, fillimisht duke e flakur nga ndërtesa, pastaj…e pastaj…? Mos, mos, mos!

…………………………………

Ndërsa po vazhdoja me këto ligjerata, që më bënë më protestues se vet protestuesit, papritmas…”më plasi bomba në dorë”…Media transmetoi se organizatorët e protestës, deklaronin ndërprerjen e saj…???!! Pse dhe si, ende s’e kam marrë vesh. Zhgënjim total. Sërish mendime depresive dhe cinike: ”Popull ‘allahu të ruajtë’ që s’di ç’kërkon; indiferent edhe kur duhet edhe kur nuk duhet, protestues edhe kur duhet edhe kur nuk duhet. Popull që duartroket atë që e ka mallkuar dhe mallkon atë që ka duartrokitur, …” Por kusuret s’kanë të sosur…Ja, në titrat e një televizioni, kujtesa e Bashës për protestën e 22 Nëntorit…S’durova dot. Bërtita aq shumë sa m’u tremb edhe gruaja në guzhinë,që po shihte një telenovelë turke:

-Jo, zoti Basha, jooooo! Nuk do të vij në protestë, sikur kaq ta bësh dhëmbin…!

Të nesërmen ia shita jelekun antiplumb një banakieri në “Rrugën e Elbasanit”…

Share This Article
3 Comments
  • E bukur kjo ,i nderuari Genc .Si naftetar i vjeter qe je ,i ke shkruar bukur radhet e ketij shkrimi ,po mire te ka thene Leta , qe : Mire qe i shkruan ,po per ke i shkruan ?.
    Keta qe drejtuan Shqiperine ,ne keta 24 vjet ,as qe e dine fare ,rendesine e Fakultetit te Gjeologji Minierave dhe rezultatet qe ky fakultet i dha Shqiperise per 60 vjet me radhe .
    Si Fatos Nano , Sali Berisha dhe ky Edi Rama ,as qe e dine rendesine e atij fakulteti ,se nuk kane mbaruar shkolla per eksaktesi ne shkencat e natyres ,Fatosi ,si analist i ekonomis te Istitutit te Nexhmije Hoxhes , Saliu si doktor i udheheqjes, por me shume merrej me spiunlleqe ,ndersa ky Edvini ,si sportist basketbollisti dhe piktor ,qe nuk ka patur kohe te hap asnje liber shkence dhe aq me teper te studioje per gjeologji dhe nafte sic keni bere Ju me gjithe ate armate te gjere inxhinieresh nafte qe jane shperndare ne te gjitha vendet e botes ,se keta personat e mesiperm nuk e durojne dot shkencen e gjeologji -nafte -minierash ,se i hapin probleme . Fakti qe keta e kane renuar ne graden e fundit ,ekonomine dhe kerkimet shkencore ne Shqiperi ,tregon qarte se perspektiva e shkences se gjeologji – miniera ne vendin tone ,do pesoj akoma me teper regres dhe denigrim .As qe behet fjale per permiresim dhe hapje fondesh per ngritje te Instituteve dhe kerkime shkencore ,ne nafte , gjeologji miniera , etj ,nuk do te kete . Ato qe ishin i dhane me koncensione dhe qeveritaret moren riskun e tyre dhe i futen aksionet ne dore ,duke i depozituar ketej ne Europe ,ndersa populli te uli kurrizin dhe te duroj varferine ekstreme qe e ka pllakosur .
    I nderuar Genci ,se te njoh shume mire dhe familjarisht, dhe kam respekt , dua te shprehem se populli shqiptar dhe Shqiperia do te shpetoj nga keta gjakpiresa ,si puna e Fatos Nanos dhe e Sali Berishes , kur ta kuptoj i gjithi ne masen mbi 85 % , qe te ngrihen ne kembe dhe te shpronesojne keta varrmihesa te ekonomise te Shqiperise ,te cilet kane kryer genocid ndaj popullit shqiptar ,duke i detyruar te emigrojne 50 %, e popullit ,dhe mbi 60 % ,e inteligjences shqiptare ,gje per te cilen ,populli shqiptar hoqi buken e gojes dhe arsimoj njerez si puna e Sali Ram Berishes ,dhe ne fund ky i fundit i vuri thiken mbas shpine te gjithe popullit duke e lene sot pa buken e gojes .

  • Pershendetje Genci,mire forte e ke trajtuar problemin e Fakultetit te Gjeologjise apo dhimbjen per Institutin gjeologjik te naftes dhe keqtrajtimi i specialisteve te naftes te detyruar te braktisin vendin e tyre,kontributin e tyre,djersen e tyre qe mbajti ne kembe nje ekonomi te tere.Krime te medha jane bere e do te behen se ne keto 23 vjete ne drejtim te shqiperise kane ardhur njerez qe nuk kane njohur ekonomine,shkencen,veshtiresit e panumurta per te ndertuar ato Institucione dhe ekonomine mbi bazen e kontributit te atyre specialisteve dhe Institucioneve mesimore e shkencore.Veshtiresia e ketyre drejtueseve gjate ketyre 23 vjeteve ka qene shetitja vetem ne Tirane e jo me tej,ata kane qendruar ne komoditetin e tyre ne Tirane dhe as kane ditur se cfare eshte bere me tutje ne shqiperi dhe duke ardhur ne pushtet kan menduar e vepruar kunder shqiperise duke shkaterruar gjithcka me themel.Sali Berisha likujdoi pa nam e nishane dy Institutet e naftes dhe Institutin e gjeologjise se Tiranes dhe prandaj edhe Edi Rama nuk mund te mbetet pas duhet edhe ai te bej dicka qe te mbahet mend duke prishur Fakultetin Gjeologji Miniera,kete Institucion te larte aresimor qe ka 60 vjete ku flitet gjeologji,ku muret jehojne tektonike, pllaka tektonike,stratigrafi,gjeokimi, antiklinal, sinklinal, sismik ,diagrama elektrometrike,dunite,peridotite,minerale,tranverbang etj etj.Ky Institucion eshte emblema e gjeologjise dhe sikur aktivitet te mos kishte le te ngelesh Muze.Por jo, ne cdo fushe ne shqiperi nuk duhet te kete histori.Vetem te marreve u vete mendja te prishin Institutet shkencore dhe Fakultetin Gjeologji Miniera,por studentet dhe pedagoget nuk duhet ta lejojne kete duke e zevendesuar me te keqen e te keqijave te vendit sic eshte mavrija qe quhet kot drejtesi.Ashtu eshte mire Genci me drejtesi dhe jo si palacot qe kane rrembyer ca grada te pamerituara dhe jane ata qe nuk kan dhene asgje per naften atehere kur punohesh per naften e sot krekosen e shtremberojne te vertetat.Ata lajkaxhinje ishin, puthadoresh jane dhe ne legena me merite plote do te perfundojne. Pershendetje Genci ,me pelqeve shume prandaj te falenderoj.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *