Nuk është hera e parë që Forcat e Armatosura të vendit pastrojnë territorin shqiptar. Këtë të shtunë, megjithëse një ditë me shi, ato, së bashku me ministren Mimi Kodheli kanë zbarkuar në bregdet. Faqja zyrtare e zonjës Kodheli është pushtuar nga fotot. “Shqipëria është e të gjithëve, ta mbajmë atë të pastër. Faleminderit djemve dhe vajzave të Forcave të Armatosura për kontributin e çmuar që po japin në shërbim të komunitetit”, shkruhet në profilin e saj në Facebook. Mësohet se aksioni është përqendruar në plazhet e Durrësit, Golemit, Shëngjinit dhe Velipojës. Të angazhuara janë rreth 1500 forca të ushtrisë, të cilat që prej mëngjesit të djeshëm kanë nisur pastrimin e mbeturinave të hedhura në zonat bregdetare. Aksionin në plazhin e Velipojës e ka inspektuar nga afër ministrja e Mbrojtjes, Mimi Kodheli. Kreu i agjencisë Kombëtare të Bregdetit, Auron Tare, u shpreh nga Velipoja se ky aksion synon pastrimin e zonave bregdetare në vend dhe do të vijojë përgjatë gjithë sezonit veror. Tare ka shprehur pakënaqësi për pjesëmarrjen e ulët të qytetarëve në pastrimin e plazheve, duke shpresuar se në ditët në vijim do të ketë shtim të tyre në këtë nismë, që i shërben një mjedisi të pastër për të gjithë. Populli ndot e ushtria gjendet gati kurdo herë? Kjo nuk është shenjë e mirë.
