UNË shoh BIG BROTHER

redaktor

Njëri prej banorëve të Big Brotherit, i tha tjetrit: “Libra lexon vetëm një burgaxhi që s’ka ç’të bëjë tjetër në burg!” Kuptohet, ky gjitar nuk e di që edhe programi ku ai merr pjesë është frymëzuar nga një libër dhe krijuar nga njerëz që lexojnë shumë libra.

Që reality show-t janë skena ku injoranca shkëlqen e triumfon, kjo dihet prej kohësh. Por, me sa duket kemi arritur në pikën kur injoranca jo vetëm ka leje e liri për të marrë kohë televizive, ajo edhe na e përplas si virtyt gjendjen e vet. Edhe më herët kemi parë njerëz të palexuar të dalin në ekran, madje në pozitat e heroit. Ne kemi deputetë që janë të pashkolluar e nuk dinë të shkruajnë.

Por, nuk mbaj mend që ndonjëri prej tyre të ketë pasur kaq guxim sa ky banor, i këtij Big Brotheri, për ta konsideruar vlerë injorancën e vet. Edhe ata më të pashkollët, përpiqen ta mbulojnë këtë fakt. Ky është sa triumf i injorancës, aq edhe mjerim i televizionit.

 

Mjerimi i televizionit

Imazhi i televizionit, më shumë sesa një video intime e një gazetari, dëmtohet nga mungesa e etikës në ekranin e vet. Nevoja për të pasur audiencë është motori i çdo televizioni, por mbajtja e standardeve jo vetëm të etikës, por dhe të përmbajtjes është detyrim i tij. Televizioni duhet të jetë më lart sesa publiku që e shikon. Dhe, për ta thënë me fjalët e krijuesit të Star Trek, televizioni nuk është vetëm argëtim. Është dhe informim. Por, mbi të gjitha, është frymëzim. Kur ti sheh TV, ti pret të frymëzohesh nga ajo që sheh atje, jo të gjesh objekt për t’u tallur.

Në të gjitha televizionet shqiptare ka një prishje të frikshme të balancës mes cilësisë dhe etikës, karshi banales e llumit. Kaq e përgjithshme është kjo, saqë fraza e mësipërme, nuk është çudi të mos i ketë bërë përshtypje kujt.

 

Trash TV

Ndryshimi i madh mes asaj që TV është e asaj që duhet të ishte, vihet re kur të jepet mundësia të shohësh TV gjermane, britanike, ose franceze (makar dhe italiane) dhe menjëherë më pas rikthehesh te ekranet shqiptare. Diferenca, të tremb. Madje edhe programet që ne kopjojmë, janë të kopjuara shumë keq. Kjo gjë ndodh sepse televizionet shqiptare nuk operojnë më me standarde rigoroze. Ka një kufi të asaj që lejohet të dalë në ekran. Këtë gjë çdo televizion do duhej ta zgjidhte duke funksionuar me stafe profesioniste, e jo me mediokër.

Aty ku televizionet nuk vendosin vetë standardin e asaj që shfaqin, është shoqëria dhe media që ua imponon. Shoqëria jonë është tepër pasive. Ndërsa gazetat, blogjet e revistat që merren me spektaklin, mjaftohen me komentimin e fotove të FB, komente që në vetvete janë tepër banale. Gazetarët që do duhej të bënin kritikën e televizionit, ose nuk ekzistojnë ose janë po aq mediokër për vete.

 

Unë nuk shoh Big Brother

Të gjithë ata që njoh e nisin bisedën me fjalinë “Unë nuk e shoh BB…” Ndoshta dhe e shohin, por fakti që e mohojnë më bën të besoj se tashmë të parët e Big Brotherit konsiderohet si një “turp”. Arsyeja gjendet tek edhe fjalia e personazhit më lart. Askush nuk do të pranojë që harxhon kohë për të parë të tillë njerëz. Kjo do duhej të shërbente si kambanë alarmi jo vetëm për ata që bëjnë Big Brotherin, por dhe për të gjithë ata që punojnë në televizion. Edhe unë, do ishte shumë më e thjeshtë të mos merresha me këtë temë. E thënë ndryshe, ta injoroja si fakt. Por, injoranca nuk e kupton që po injorohet. Ndaj nuk mund ta lëmë injorancën të na sundojë. Të paktën, jo të na e përplasë syve arrogancën e vet.

Share This Article
18 Comments
  • Nuk e kam pare as dhe nje minut kete emision idiot ku nje numur djemsh e vajzash te reja, pa kurrefare vlere ne shoqeri, madje me formim te ulet kulturor, hane, pine e bejne lloj lloj pislleqesh ne ekran.

    • Nuk eshte mire te shash dike, qofte edhe dike qe nuk perton te shaje te tjeret.
      Por te them te drejten pa dorashka, per mua teleshikuesit e BB jane ne mos pjesa me e pakulture e shoqerise, pjesa me llafazane, qe e ka BB si depo thashethemesh.
      Per mua BB eshte varianti modern i “Dembeleve te Stambollit”

  • Mbaj mend big brother 1, qe si here e pare qe zhvillohej ne Shqiperi, pati shume sukses dhe kureshtje.
    Por pati edhe shume cilesi, nga vete banoret qe ishin perzgjedhur.
    Pervec Arberit, qe ishte nje djale shume me kulture, me kujtohet edhe me i vjetri ne moshe Cimi, qe me kualitetin qe kishte, dha nje tjeter dimension atij realliti shou,
    Diskutohej edhe cfare romani apo libra te tjere letrare kishin lexuar, diskutonin edhe per shume piktura qe kishin pare, domethene kishin nje dialog te kendshem, qe shihej nga telespektatori.
    Big brother-at qe pasuan, u varferuan me cilesine e dobet te atyre qe u perzgjodhen.
    Sot nuk degjon asgje te hajrit, vetem mejkap, depilim, modele flokesh, sa dashnore kane nderuar, sa shtepi kane, pa dhene ndonje te dhene se sa fitojne, domethene shef muhabet kurvash, qe zihen se po ja ze dashnorin.
    Te diskutohet per librin, as qe behet fjale, po mund te diskutojne modelin e celularit, qe ja ka blere dashnori.
    Ky eshte big brother i sotem.

  • Koloreto as une nuk shoh Big Brother, kam pare vetem sezonin e pare te variantit Italian te tij rreth 10 – 12 vjet me pare. E kam per nder qe nuk e shoh sepse vetem nga komentet qe degjoj nga ata qe e shohin me ben per te vjelle. Gjithashtu dua te sjell ne vemendjen tende edhe emisionin Zone e Lire. Deri ku shkon liria e kesaj zones se lire? Cfare vleresh transmetohen aty? Te jesh pervers, te besh cdo gje per para dhe fame, te mos kesh asnje vlere morale dhe asnje integritet? Merruni pak dhe me te, sepse me vjegezen se “budallait duhet ti hapesh udhe” goditen vetem programet dhe gazetaret serioze dhe jo budallenj. Kurse budallenjte dhe perverset lihet te bejne cfare te duan. Zona e Lire eshte programi me i pare me sa di, kjo tregon se po kultivohen perverse dhe njerez pa asnje integritet moral dhe po u shpelahet truri rregullisht duke mos i lene te mendojne per asgje serioze jashte seksit, droges dhe parase.

  • Nuk kam kuptuar nje gje”Pse Top Chanel zgjodhi kete emision,kur dihet se ne tere elementet e tjere te ketij TV ka disproporcion me cka percon Big Brother.?-Mendoj se eshte kerkuar audienca ne mbeshtetje te nivelit te ulet te teleshikuesit shqiptar,pra i eshte ofruar atij publiku,ajo qe ka qejf te haje.Eshte nje fare aftesie menaxhimi.Por nuk eshte ajo qe duhet te synoje nje TV serioz,.Ka vlera te tjera qe popullit tone eshte e nevojshme t,i rikujtohen,ka rruge te tjera qe duhet te percojne te ardhmen e popullit dhe kombit.Ndoshta ne kuadrin e nje gare qe per mua nuk ka vlere,gara e te paturit me shume audience,ta futen lloj lloj budallalleqesh,nen pretekstin se edhe TV te tjera ne bote i kane ato.Stereotipizmi eshte semundje e shume TV ne bote,por ne kemi aq pak vlera te verteta neper TV-TE e politizuara,sa te shohim Arian Canin apo Opinionet e Fevziut mbeten alternativa.
    Vertet niveli i teleshikuesve te Big Brother eshte shume i ulet dhe pikerisht kjo duhej te conte drejt shmangies nga ky program qe kjo gjelle e keqe te mos i jepej te paditurve,sepse do helmohen e neser do akuzojne guzhinen qe ua dha. Do ngrihet niveli i ketij populli serish dhe do filloje te shmangetvete,por do jete kohe e gjate dhe helmi do e kete bere punen e tij.Kjo demton te ardhmen.

  • Mesa di une Big Brother eshte format TV, me duket “prone” e Endemol,kompani hollandeze.Eshte format i konceptuar komplet perkunder tendences totalitariste pershkruar tek”1984″nga G Orwell.Tendencialisht perzgjidhen njerez te cdaredoshem,qe sipas nje jurie po te cfaredoshme konsiderohen si “kampione” humane per epruvete, me nje fjale-popull qe vihet ne vitrine per tu”lexuar”nga vete populli, si te thuash, nxirr ca si mua,te lexoj tek sjellja e tyre veten time.Ky eshte sofizmi qe pretendon formati i Endemol, shto dhe ca reklama e promotore qe programi te dale me bilanc pozitiv.TV sot pa frike mund te konsiderohet droge, eshte nje droge e heshtur qe mban femije dhe te rritur ne dembelizem dhe pasivitet.Djali in ne fillore ka mbi 10 kanale per femije falas qe 24 ore non stop kane filma karton me heronj japoneze qe leshojne bomba e shkaterrojne planete ne kundershtim te hapur me ligjet elementare te Fizikes dhe karten e OKB.Normalisht ne cdo 5 minuta futen reklama ku keta heronjte japoneze hane hamburger ne McDonald’s dhe blejne kepuce Lelly-Kelly dhe njeqindmije produktet e tjera,te specializuara per te na rruar xhepat.Popper e ka denoncuar kete rrezik te TV mbi manipulimin e masave, nje studjues kish marre ne studim efektin mbi femijet.Nje femije mesatar italian shpenzon deri ne moshen 12 vjec AQ ore para TV te barazvlefshme me oret e tre universiteteve bashke.Te ishte Marksi gjalle do i thoshte punetoreve qe pasi te kepusnin prangat veprimi i dyte duhej te ishte thyerja e televizoreve.Ne fakt, te lexuarit ne burg eshte shkolle me vete.Druaj se ky tipi/tipja e BB e ka thene per batute, sic thote Rama per Halim gjinekologun qe eshte i lodhur, a thua se kryetari i bashkise do beje pune me lopate.Nuk kam ndjekur asnjehere debilitete televisive si Big Brother&derivate, lexoja njevgazete ku thuhej se ne nje te ngjashem italian cuan ca ta famshem ne nje ishull dhe publiku frizant shikon nate e dite se cdo te bejne bashkarisht buze detit me kostum plazhi.Ishte dhe pornodivi Rocco Siffredi,merret me mend se cfare performance nevojitet te ofronte nje pornodiv.Kaluan ca kohe dhe ky s’po bente numra nga ato me pulle te kuqe,juria i dergoi nje femer qe ta ndizte njecike se nevojitej audience; merreni me mend se ne cfare amoraliteti bie pre televisioni dhe publiku i ketyre programeve.

  • Big Brother ? JO ore JO.”Eshte programi BYTH ZBULUAR” qe na vjen me injrancen me te madhe te nje spektakli.Skena,batura,diskutime,banalitete pafund qe nuk i vlejne askujt.Ne te njejtin nivel eshte edhe programi qe na servir “..i madhi Arjan Cani..” qe na kakaris si lolo per te na prezantuar ate qe nuk i vlen spektatoreve.

  • Nje shkrim i mrekullueshem qe duhet te lexohet para nje edicioni informativ; si lajm i ores se fundit, si emergjence civile.

  • I nderuar Z. Cukali, ju pershendes per evidentimin e problemit dhe menyren e trajtimit te tij. Padyshim qe kjo situate konkrete nuk eshte e izoluar, por eshte pasqyrim i nje problemi shume te madh moral qe ka sot shoqeria shqiptare: problemi i mungeses se nje kodi apo sistemi vlerash. Nje problem ky qe ka nisur me 1990 dhe eshte thelluar vrullshem me kalimin e kohes. Per mendimin tim arsyet jane tre:
    se pari, te gjitha qeverite qe kane ardhur ne pushtet pas viteve ’90 kane ndjekur nje politike denigruese ndaj intelektit dhe intelektualeve, duke i vleresuar gjithnje e me pak dhe duke i kthyer ne nevojtare per buke goje. Eshte i pritshem nje reagim i tille ne nje shoqeri ku nje njeri qe lexon libra nuk mbush dot barkun me buke.
    se dyti, kushtezuar nga varferia, por edhe nga koncepti shume fleksibel i shqiptareve per ate qe eshte “e ndershme” dhe “e beshme”, lulezoi ne shoqeri çfaredolloj pislleku per te bere para, duke qene edhe p..s.., por i shkathet dhe “qen i lekut”. Keta persona u bene idhull per shoqerine, duke marginalizuar deri ne flakje intelektualet, pra ata qe lexojne libra.
    se treti, femijeve tane nuk mund t’ua mbushesh kollaj mendjen te lexojne libra, se e dine qe duke lexuar do mbeten “pabuksa”. Idhujt e tyre jane “te fortet me leke”. Sado te mundohemi t’ua mbushim mendjen per te kunderten, argumentat do te na bien poshte sapo te afrohet ditelindja e tyre dhe te shohin çmimin e dhurates qe u kemi blere.
    Ky eshte, per mendimin tim, problemi kryesor ne kete shoqeri, i misheruar me se miri ne fjalet e atij dykembeshit.
    Sa per televizionet, varja, ka kohe qe nuk e perballojne dot presionin e internetit dhe prandaj po perfundojne ne perversitete. Dhe ky eshte fenomen i perbotshem.

  • Vellai i Madh?
    Nje pacavure me force tmerruese ne krye te nje agresioni imoralpsikologjik kunder jetes normale te njeriut! Me kanalet “per te rritur” qe duhet te ishin me pagese dhe jo me ca kode te thjeshte qe mund ti zbulojne edhe ata qe nuk e njohin njeshin, edhe femija 1 vjec, edhe urithi, edhe njeqelizoret, pra me ato kanale qenefi, me kete Vellane superimoral te Madh, por edhe me disa presantues te paafte dhe ndonje tjeter si Sokol Balla, nuk eshte me nje Top-Chanel, por eshte kthyer thjeshte ne nje Top-Kanal ose Top-llagem qe po na e heq kenaqesine qe na jepte dikur me programet e veta dinjitoze, plot kolorit dhe mjaft edukative per femije dhe per te rritur. Le te shpresojme se nje dite do te ngrihet prape nga shtrati baltoz i hendekut ku ka rene!

  • Big Brother, apo Vellai i Madh, eshte nje telenovele mediokre e pervitshme, me personazhe medioker te ndryshem, qe prezantojne vetem mediokritete spontanne, antikulture dhe perversitet te dy gjinive te seksit. Eshte nje grumbull me pikatore i dykembeshve me te rendomte te nje shoqerie qe dhe pa kete shfaqje injorantesh, serish ka nje problem shume te madh ne lidhje me kuptimin e jetes dhe menaxhimin e saj.

  • Ky emision i ndyre dhe pervers nuk eshte hera e pare qe na nxin fytyren duke na percjelle meskinitete dhe nje antikulture te plote dhe te neveritshme! Kam patur respekt per Top Channel, por qe kur nisi te na sjelle palacolleqe te tilla, kam menduar ta braktis! Big Brother eshte ndoshta programi me me pak vlere i ekraneve tona, i cili mbase krahasohet me “Zonen e Lire” te Canit te Klanit!

  • 1984 – george orwell
    po ta kishin lexuar nuk do hynin e do te kuptonin se big brother eshte diktature jo argetim.shperfytyrim i njeriut deri ne maksimum duke e zhveshur nga chdo emocion apo ndjesi e ngjashme.bindja ndaj vellait te madh eshte nje skllaveri pa sens dhe me e bukura qe kete skllaveri duhet ta pranosh me buzen ne gaz dhe duke e duartrokitur.

  • ..eshte nje gershetim kulturash ,nivelesh,kur askush nuk mund te beje me te ndershmin,me te zgjuarin,apo me te drejtin, ne jeten reale ..

  • Big bradherin e shohin vetem grate e papuna, por edhe te pakulturuara sepse brenda atij formati ka vetem mjerim intelektual, imoralitet, deformim karakteresh, hipokrizi, lufte per te fituar me hipokriti, thua se kjo eshte vlera e njeriut qe duam sot. Nuk di cilet jane ata qe miratojne te tilla programe, por mendoj se ose jane dashakeq te kultures, ose jane te paguar per te degjeneruar njerezit.

  • bravo bravo bravo cukali,por do te thosha bravo per gjithe jeten dhe do te kujtohesh per mire gjithe jeten se je nder te paret ne mos i pari,qe trajton kete teme kunder atij palo trasmetim. ah si nuk kam force te ndryshoj dicka……!!!!!

  • Televizioni Top Chanael , ka qene pa diskutim televizioni lider i Tv.Shqiptare, por me vdekjen e Dritan Hoxhes , ky televizion sikur e humbi ate cilesi dhe kerkese llogarie ne perzgjedhjen e programeve televizive ! Padyshim ai ka shikushmeri te larte, por te fusesh “Big Bradherin ” , kur
    Niveli i pjesmarresve eshte aq i ulet , eshte nje turp per kete televizion , ndoshta duan te tregojne se ky eshte niveli i rinise shqiptare , por prape ky reflektim i degjenerimit te asaj pjese te rinise eshte modeli me i keq qe na serviret dhe kjo eshte fatkeqesi kombetare qe jep fruta te hidhura qe helmojne gjakun e popullit !
    Ky Tv. Duhet te reagoje duke e nderprere kete program bastard sepse ka plot programe te tjera qe percjellin nivel, kulture dhe art !

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *