Bordi ekzekutiv i Organizatës së Kombeve të Bashkuara për Arsim, Shkencë dhe Kulturë (UNESCO), ka vendosur ta përfshijë propozimin e rekomandimit për pranimin e Kosovës në anëtarësinë e kësaj organizate.
Lajmin e ka konfirmuar për Radion Evropa e Lirë, zëvendësministri i Punëve të Jashtme i Qeverisë së Kosovës, Petrit Selimi, i cili ka theksuar se tashmë kanë mbetur rreth 10 ditë deri te votimi i rekomandimit për pranimin e Kosovës në UNESCO nga Bordi Ekzekutiv i kësaj organizate.
“Sot Këshilli Ekzekutiv i UNESCO-s e ka aprovuar agjendën, e cila e ka përfshirë edhe draft-rezolutën për rekomandimin pozitiv për pranimin e Kosovës si anëtare më të re të UNESCO-s”.
“Ky është një hap shumë i rëndësishëm, sepse janë tejkaluar çfarëdo kurthe procedurale që kanë mundur të bëhen. Tash e kemi para vetes një javë apo 10 ditë, derisa të votohet për rezolutën”, tha zëvendësministri Selimi.
Bordi ekzekutiv i UNESCO-s ka 58 anëtarë, prej të cilëve 32 e kanë njohur shtetin e Kosovës, ndërkohë që dhjetëra prej tyre edhe më parë e kanë mbështetur kërkesën për pranimin e Kosovës në UNESCO.
Sipas, zëvendësministrit Selimi, votimi në Bordin ekzekutiv të UNESCO-s për rekomandimin pozitiv për Kosovën, pritet të ndodhë rreth datës 21 tetor.
Në propozim-vendim thuhet që Bordi ekzekutiv sjellë rekomandimet që Konferenca e përgjithshme ta pranojë Kosovën në anëtarësinë e UNESCO-s, duke pasur parasysh që “Kosova e pranon kushtetutën e organizatës dhe është e gatshme t’i përmbushë obligimet që dalin nga anëtarësia, si dhe të jetë pjesëmarrëse në shpenzime”.
Zëvendësministri Selimi ka shtuar se konsensusi që është arritur sot në aprovimin e agjendës në Bordin ekzekutiv të UNESCO-s, i jep Kosovës argument të fortë për të shpresuar se të gjitha shtetet do të reflektojnë për të votuar në dobi të Kosovës, fillimisht në Bordin ekzekutiv e më pas edhe në Konferencën e përgjithshme të UNESCO-s, që pritet të mbahet në nëntor.
“Gjithsesi, mungesa e antagonizmave sot dhe pëlqimi i gjerë që ka arritur agjenda në pikën e Kosovës është një ogur i mirë për zhvillimet e mëtutjeshme”.
“Ministria e Jashtme e Republikës së Kosovës nuk do të kishte aplikuar për anëtarësim në UNESCO, po të mos i kishte bërë kalkulimet që gjasat janë të mira për këtë. Kosova meriton të jetë anëtare e UNESCO-s, sepse ashtu zhvillojmë arsimin, kulturën dhe shkencën tonë dhe besoj se kjo kërkesë e Kosovës ka hasur në simpati globale”, tha zëvendësministri Selimi.

SUKSESE KOSOVES
bravo , bravo , bravo !
ky eshte clirimi i dyte i Kosoves .