UNHCR ka gati planin për emigrantët, që do të hapin shtigjet e reja kalimi, pas mbylljes së të ashtuquajturës “Rruga e Ballkanit”.
Zëdhënësja e Agjencisë së OKB – së për Refugjatët, Carlota Sami tha se, UNHCR po përgatitet për rrugët që do të përshkojnë Libinë dhe Bullgarinë, me shtigje lidhëse si Turqi – Itali apo Libi – Itali, me një fluks të pritshëm edhe drejt Spanjës.
Pas shtimit të fluksit të refugjatëve në kampin e Idhomenit, në anën greke të kufirit me Maqedoninë, ekspertët po përforcojnë idenë e hapjes së shtegut tjetër Greqi – Shqipëri me pikëkalimi, Kakavijën dhe vazhdim –në rrugë tokësore- drejt Malit të Zi.
Por, emigrantët mund të zgjedhin edhe detin, për të ndaluar në brigjet e Pulias në Itali.
Kjo është një këmbanë alarmi për autoritetet italiane, siç shkruan “Financial Times”, duke u rikujtuar atë që ndodhi në vitin 1991 me fluksin e emigrantëve shqiptarë, pas rrëzimit të komunizimit.
Emigrantët do të vazhdojnë në Veri drejt Austrisë, për të arritur Gjermaninë.
Në këto gjashtë muajit e fundit, zyrtarët italianë dhe shqiptarë janë takuar rregullisht për të koordinuar përgjigjen përballe një fluksi të mundshëm emigrantësh, e cila do të shfrytëzohet nga trafikantët.
