Manchester United nuk mund të durojë gjatë poshtë shkallëve më të larta të renditjes në Premier League dhe ka vendosur të hyjë fuqishëm në merkato. Sipas shtypit anglez, pronarët amerikanë të “Djajve të kuq” kanë vënë në dispozicion të trajnerit David Moyes plot 100 milionë sterlina, duke kërkuar që të përmbysin tendencën zhgënjyese të këtij sezoni. Janë të shumtë objektivat në axhendën e merkatos së Manchester United. I pari është padyshim Marco Reus, në ditët e shkuara u fol për një akord të mundshëm me Borussia Dortmund për rreth 50 milionë euro, por do të jetë e vështirë të arrihet te talenti gjerman në janar. Në “Old Trafford”, duke parë rendimentin zhgënjyes deri tani të Maruane Fellaini, kërkojnë edhe një tjetër mesfushor nga Dortmund, Ilkai Gyndogan, por ky pëlqehet edhe nga Real Madrid për të marrë trashëgiminë e Xabi Alonsos nëse “Los Blancos” nuk arrijnë rinovimin me spanjollin. Një alternativë e kënaqshme për Moyes është dhe mesfushori i Juventusit Klaudio Markizio, një lojtar i ndryshëm në krahasim me Gyndogan, por që gjithsesi mund të konsiderohet i nivelit ndërkombëtar dhe në bazë të karakteristikave premton të përshtatet pa probleme me shpejtësinë e futbollit anglez. Markizio nuk është më titullar në Torino dhe mund të kërkojë të ndryshojë ambient dhe Juventus mund të pranojë ofertat prej 25-30 milionë eurosh. Por të gjitha këto nuk mjaftojnë, pasi në Angli flasin edhe për vëmendje të madh kundrejt Diego Kostëss. “Daily Mail” zbulon një udhëtim të Robbie Coke në “La Rosaleda” për të ndjekur nga afër sulmuesin e Atletikos së Madridit në ndeshjen me Malagan. Janari pritet të jetë i nxehtë për “Djajtë e kuq”, me sa duket të gatshëm për të shpenzuar miliona me qëllim rikthimin mes më të mirëve në botë.
