As Aleks Ferguson nuk e ka përkrahur David Moyes për vazhdimin e aventurës së tij në stolin e Manchester United. Edhe pse pikërisht ai e zgjodhi si pasardhësin e tij, ishte vetë ish-trajneri “Djajve të kuq” që së bashku me familjen Glazers mori vendimin për të larguar nga stoli 50-vjeçarin skocez. Përveçse dha miratimin e tij për shkarkimin e Moyes, Ferguson u ka premtuar pronarëve amerikanë se është i gatshëm për të gjetur një trajner të ri. 72-vjeçari, edhe pse kishte besim të verbër te Moyes, e kuptoi që vazhdimi i bashkëpunimit me të do të ishte një vendim I gabuar. Por edhe pse dështoi me zgjedhjen e Moyesit, Ferguson vlerësohet së tepërmi nga pronarët dhe ata kanë rënë dakort që ta zgjedhë sërish ai trajnerin e ardhshëm të klubit. Në krye të United deri në fund të sezonit do të qëndrojë Ryan Giggs, megjithatë momentalisht në mediat britanike po përfliten një sërë emrash që mund të ulen në stolin e “Red Devils”. Sipas të përditshmes “The Telegraph”, emri I parë në listën e Fergusonit është Karlo Ançelotit, i ndjekur nga Diego Simeone e Luis Van Gal.
