UNIVERSITETET / Gara në Drejtësi, ja lista e 710 fituesve të rinj në programet “Master” dhe afatet e regjistrimit

J L

Pranvera Kola

 

Pas vlerësimit të aplikimeve të bëra në fazën e konkurimit, komisionet e ekspertëve kanë detajuar tashmë edhe listën e studentëve që do të ndjekin për herë të parë studimet e nivelit të dytë në programet “Master profesional” dhe “Master shkencor” në Fakultetin e Drejtësisë të Universitetit të Tiranës, për vitin e ri akademik 2020-2021.

Në total janë 710 fitues, 510 prej të cilëve do të vijojnë studimet në tre programet e nivelit shkencor, ndërsa pjesa tjetër në katër programet e nivelit profesional. Listën e detajuar të fituesve për secilin program e gjeni të plotë në vijim të shkrimit. Online në fqen zyrtare të këtij institucioni të arsimit të lartë janë shpallur edhe listat e fituesve për kandidatët që kanë konkuruar për program të dytë studimi në këto degë, si dhe e atyre të kuotave të veçanta.

Autoritetet e këtij fakulteti bëjnë me dije se të gjithë studentët që janë të pakënaqur me renditjen, brenda tre ditësh mund të paraqesin ankesën përkatëse nëpërmjet adresës së emailit, [email protected]. Pas shqyrtimit të ankesave do të nisë edhe procesi i regjistrimit të fituesve të rinj, procedurë për të cilën janë parashikuar edhe afatet konkrete kur duhet të paraqiten studentët që janë pjesë e listave fituese.

Sipas afateve të përcaktuara, regjistrimet e kandidatëve fitues do të realizohen nga data 2 dhjetor deri në datën 11 dhjetor pranë Fakultetit të Drejtësisë, në komisionin e ngritur për realizimin e këtij proçesi. Për të konfirmuar statusin si student në këtë cikël, çdo fitues duhet të paraqitet personalisht dhe të dorëzojë dokumentet e kërkuara së bashku me mandatin e tarifës së regjistrimit, e cila duhet të jetë shlyer më parë në një nga bankat e nivelit të dytë.

Lidhur me kriteret e shpalljes së fituesve, është konfirmuar se: kuotat fillimisht janë plotësuar duke u dhënë prioritet aplikantëve që kanë përfunduar studimet e nivelit të parë “Bachelor” në Fakultetin e Drejtësisë të Universitetit të Tiranës, si dhe aplikantëve që kanë përfunduar studimet e nivelit të parë në institucionet e ngjashme të arsimit të lartë jashtë vendit. Për kuotat që kanë mbetur të paplotësuara pas aplikimit të këtij kriteri, përzgjedhja ka vijuar me kandidatët e tjerë që kanë kryer studimet e nivelit të parë në institucionet e tjera publike të arsimit të lartë në vend, përkatësisht në fushën e drejtësisë dhe asaj të ekonomisë. Ndërsa më tej, përzgjedhja ka vijuar me studentët që kanë kryer ciklin e parë në fushën e drejtësisë në fakultetet private që ushtrojnë aktivitetet në vendin tonë.

Në ligjin e arsimit të lartë është përcaktuar se programet e studimeve “Master profesional” e pajisin të diplomuarit me njohuri të thelluara, profesionale në një fushë të caktuar. Në përgjithësi këto programe organizohen me 120 kredite dhe kohëzgjatja është 1.5 vite akademike. Studimet e ciklit të dytë “Master profesional” përmbyllen me provim përfundimtar formimi ose punim diplome dhe në përfundim të tyre lëshohet diplomë “Master profesional” në fushën e arsimimit të kryer.

Ndërsa programet e studimit “Master i shkencave” e pajisin të diplomuarit me njohuri të thelluara teorike, si edhe me aftësim për kërkim shkencor në një fushë të caktuar. Këto programe organizohen në programe që realizohen me jo më pak se 120 kredite formimi në vijim të ciklit të parë dhe me kohëzgjatje normale dy vite akademike. Studimet e ciklit të dytë në shkenca përmbyllen me punim diplome dhe në përfundim të tyre lëshohet diplomë “Master i shkencave” në fushën e arsimimit të kryer.

Ndryshe nga vitet e shkuara, viti i ri akademik 2020-2021 po zhvillohet online që në nisje, ndërkohë që do të vijojë në këtë formë deri në një afat të pacaktuar. Është ky vendimi që kanë marrë anëtarët e Komisionit Teknik të Ekspertëve pas vlerësimit të situatës me risk të shtuar sa i takon përhapjes së Covid-19.

Më poshtë listat e fituesve.

1

2

3

4

5

6

7

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *