Rritja e numrit të studentëve ka ekspozuar fakultetet përballë mungesës së ambienteve duke çuar në zhvillimin e mësimit deri në orët e vona të mbrëmjes.
Stafet akademike të universiteteve publike nuk janë të mjaftueshme për t’i bërë ballë fluksit të prurjeve të reja në auditore. Shumë prej fakulteteve publike në vend janë gjendur në vështirësi gjatë nisjes së vitit të ri akademik 2012-2013, pasi raporti i pedagogëve që duhet të japin mësim për studentët, është shumë i ulët. Kjo bën që ngarkesa e stafeve akademike të jetë e lartë, çka pengon edhe arritjen e synimeve kundrejt rritjes së cilësisë. Në auditorët shqiptare raporti i pedagogëve me studentët është dy deri në tre herë më i lartë se në vendet evropiane. Por, krahas stafeve akademike që janë në mungesë, një tjetër probleme me të cilin përballen auditorët publike është mungesa e ambienteve.
Konkretisht, Fakulteti Ekonomik që renditet si një ndër më të preferuarit, ndonëse ka edhe numrin më të lartë të studentëve, edhe për këtë vit shfaq mungesa të theksuara në mbulimin e nevojave me staf akademik. Raporti pedagog- student është problematik pasi një profesor u shërben më shumë se 65 studentëve. Dekani i Fakultetit Ekonomik në Universitetin e Tiranës, Sulo Hadëri, bën të ditur se shqetësimi më i madh është numri gjithnjë e në rritje i të rinjve karshi infrastrukturës që vetë fakulteti ofron. Kjo dyndje ka bërë që mësimi të zhvillohet me turne deri në orët e vona të mbrëmjes. Sipas Hadërit, raporti jo i drejtë pedagog-student krijon probleme edhe në cilësinë dhe realizimin e kurrikulave.
Këtë vit, shton dekani Hadëri, programet mësimore janë krejtësisht të reja dhe një hap përpara. Ndërkohë që vë në dukje problemin nëse do mundet që zbatimi i tyre të bëhet siç duhet pasi zinxhiri i kurrikulave lidhet edhe me stafin e mjediset e fakultetit.
“Kemi bërë një amortizim shumë më të mirë në shpërndarjen e njohurive sipas nivelit të studimit, nga bachelor në master, por dhe nga masteri në bachelor. Kemi evidentuar probleme që lidheshin me nivelin e njohurive që mund të ofroheshin në master, por ofroheshin në bachelor dhe anasjelltas”, tha Hadëri . Për këtë vit akademik Fakulteti Ekonomik gjithashtu ka integruar programe mësimore të reja, sipas standardeve që ofrojnë universitetet evropiane. Në pjesën dërrmuese të tyre është bërë e mundur shmangia e përsëritjeve, si dhe sistemim më i mirë i ngarkesës mësimore.
Mungesa e ambienteve
“Ne kemi numër të madh studentësh. Faktikisht punojmë nga ora 8:00 -21:00 në të gjitha ciklet e studimit. Jemi në kapacitet të plotë, madje e kemi kaluar pak atë vijën e kuqe. Raporti është goxha mbi mesataren evropiane me 1065-1070 studentë”, bën të ditur dekani i Fakulteti Ekonomik në Universitetin e Tiranës, Sulo Hadëri.