Rihapet gara për pranimet e reja në universitetet publike. Ministria e Arsimit dhe Sportit ka zbardhur gjatë ditës së djeshme udhëzimin zyrtar, në lidhje me afatet dhe procedurat që duhet të ndjekin maturantët, për të hyrë sërish në garë për një të drejtë studimi në fakultetet publike. Garë e cila do të zhvillohet nëpërmjet plotësimit online të formularit A3, pjesë e të cilit do të jenë rreth 5 mijë vende të lira studimi. Sipas udhëzimit të firmosur dje nga Ministria e Arsimit, këta kandidatë do të kenë 3 ditë në dispozicion për të plotësuar online formularin A3, në përbërje të cilit janë vetëm degët dhe programet që rezultuan me kuota bosh në raundin e mëparshëm, si dhe kuotat e rishpërndara nga MAS. “Maturantët dhe kandidatët që do të aplikojnë onine vetëm për programet e studimit dhe kuotat e shpallura nga Ministria e Arsimit dhe Sportit në formularin, A3 prej datës 04.11.2013 deri në 06.11. 2013, deri në orën 24:00. Aplikimi online kryhet sipas procedurave të përcaktuara në udhëzimin zyrtar të Ministrisë së Arsimit. Klasifikimi i kandidateve fitues në programe të ndryshme studimi, të ofruara nga institucionet publike të arsimit të lartë në raundin e dytë (formulari A3), bëhet në mënyrë të informatizuar, duke u mbështetur në piket e grumbulluara në bazë të rezultateve të shkollës së mesme, të provimeve të Maturës Shtetërore, si dhe të rezultateve të konkursit të zhvilluar (për programe të caktuara studimi) (merita), si dhe të përzgjedhjes së programeve të studimit (preferenca), të bëra nga vetë kandidati”. Sipas udhëzimit, lista e fituesve do të zbardhet rreth datës 12 nëntor, e më pas do të nisë edhe procesi i regjistrimit të fituesve që do të përzgjidhen. Në vijim të shkrimit do të gjeni të detajuara kategoritë që kanë të drejtë të aplikojnë për të vijuar studimet në universitetet publike duke plotësuar formularin A3.
Kanë të drejtë të plotësojnë formularin A3 vetëm :
Maturantët që nuk kanë konkurruar më parë me formularin A2, por që në këtë raund do të konkurrojnë për herë të parë nëpërmjet formularit A3.
Konkretisht në këtë grup përfshihen kandidatët që :
Kanë rezultuar kalues në provimet e Maturës Shtetërore, sesioni i parë, por nuk kanë plotësuar formularin A2 për arsye të ndryshme.
Kanë rezultuar kalues në provimet e Maturës Shtetërore, në sesionin e vjeshtës 2013.
Kanë përfunduar arsimin e mesëm jashtë vendit dhe mbi bazën e ekuivalentimit të rezultateve të shkollës së mesme, kanë fituar të drejtën të aplikojnë për vazhdimin e studimeve universitare të ciklit të parë në universitetet publike të vendit tonë.
Maturantët që kanë konkurruar në raundin e parë me formularin A2 (fitues ose jo dhe të regjistruar ose jo) dhe dëshirojnë të vazhdojnë garën për të qenë fitues ose për të kaluar në një preferencë më të lartë, duke ruajtur renditjen e preferencave të formularit A2 të plotësuar në raundin e parë.
Këta maturantë nuk plotësojnë formular të ri, por vetëm shprehin vullnetin të vazhdojnë konkurrimin.
Nëse në përfundim, maturanti kandidati që është shpallur fitues në raundin e parë, nuk arrin të klasifikohet në një preferencë më të lartë, mbetet fitues në programin ku është regjistruar dhe vijon studimet e ciklit të parë.
Përjashtohen nga konkurrimi në raundin e dytë :
Fituesit në preferencën e parë të shprehur në formularin A2 dhe që janë regjistruar në atë program studimi në raundin e parë të pranimeve.
Fitues që kanë konfirmuar regjistrimin përfundimtar në preferencën e shpallur në fazën e parë të A2, nëpërmjet regjistrimit online, dhe që janë të regjistruar në atë program studimi në raundin e parë të pranimeve.
Aplikimi për degët me konkurs
Fakulteti i Studimeve të Integruara me Praktiken (FASTIP) i Universitetit “Aleksandër Moisiu” Durrës zhvillon konkurset për programet e studimit të parashikuara në formularin A3 me datë 7 nëntor dhe dërgon në Agjencinë Kombëtare të Provimeve rezultatet, si dhe i regjistron në sistemin informatik online të dhënat përkatëse të kandidatëve.
Akademia e Arteve në Shkodër zhvillon konkurset për programet e studimit të parashikuara në formularin A3 po në datën 7 nëntor. Një ditë më pas i dërgon AKP-së rezultatet, si dhe i regjistron në sistemin informatik online po brenda kësaj date të dhënat përkatëse të çdo aplikuesi.
Regjistrimi i fituesve të përzgjedhur nga formulari A3
Sekretaritë mësimore të fakulteteve në datat 13.11.2013 deri 16.11.2013, nga ora 08:00, deri në orën 18:00, të pranojnë dokumentacionin për të gjithë kandidatët fitues. Kandidatët paraqesin dokumentacionin e mëposhtëm: “Dokument identifikimi (karte identiteti ose pasaporte). Në dosje mbahet vetëm fotokopja e një prej dokumenteve, 2 fotografi, si dhe mandat arkëtimi i tarifës së regjistrimit prej 1.600 lekë, paguar pranë zyrave të Postës Shqiptare ose bankave të nivelit të dytë për llogari të universiteteve publike përkatëse, nga të gjithë kandidatët e shpallur fitues në këtë raund. Sekretaritë mësimore të fakulteteve mbajnë regjistër të veçantë për dorëzimin e dokumentacionit më të dhënat mbi datën dhe orën e dorëzimit, si dhe nënshkrimin e kandidatëve fitues (në formatin e dërguar nga AKP) dhe konfirmojnë në portalin matura.akp.gov.al dorëzimin e dokumentacionit. Regjistri i veçantë, firmosur dhe vulosur nga titullari i Institucionit Publik të Arsimit të Lartë fakultetit që kryen regjistrimin dhe nga kryesekretari mësimor, dërgohet në AKP brenda datës 18.11.2013. Sekretaria mësimore pajis kandidatin me fletë-regjistrimi ku shënohet numri i regjistrimit, emri i kandidatit, si edhe data dhe ora e regjistrimit. Fletë-regjistrimi i vulosur duhet të jetë i nënshkruar nga dekani dhe kryesekretarja mësimore e fakultetit. Kandidatët e shpallur fitues në programet e studimit me kohë të plotë nuk mund të regjistrohen për të ndjekur njëkohësisht studimet edhe në sistemin me kohë të pjesshme.

doja te dija nese te ka dal shkolla tek e faza e pare raundi i dyte
dhe nk regjistrohesh me asnje vend
a mundet qe te plotesosh formularin a3