Universitetet vendosin vetë kuotat, tarifat, e kriteret pranuese

redaktor

Universitetet marrin të drejtën për të përcaktuar kriteret e pranimeve dhe tarifat e shkollimeve. Varianti përfundimtar i projektligjit për arsimin e lartë ka pasqyruar një sërë ndryshimesh që rikthejnë kompetencat në strukturat universitare. Pas debateve të lindura në radhët e akademikeve dhe drejtuesve të fakulteteve, komisioni i reformës për arsimin e lartë ka ndryshuar përmbajtjen e pjesës dërrmuese të neneve të projektligjit. Departamentet do të luajnë një rol të rëndësishëm, pasi do të jenë përgjegjëse në përcaktimin e kuotave, kritereve për përzgjedhjen e kandidatëve fitues, si dhe përcaktimin e kostos së studimeve. Mbajtja e tarifave fikse është një tjetër risi e parashikuar në variantin përfundimtar të projektligjit. Gjatë prezantimit të draftit, kryetari i Komisionit për Arsimin e Lartë, Arian Gjonçaj ka theksuar se kriteret e pranimit të studentëve u janë lënë departamenteve sipas programeve që ato ofrojnë. Autoritetet e arsimit kanë bërë të ditur se projektligji i ndryshuar nuk cenon autonominë dhe lirinë akademike. Sipas tyre, senati mbetet organi kryesor në vendimmarrje, ndërkohë që cakton edhe anëtarët e bordit, ku ky i fundit do të ketë vetëm funksion menaxherial. Drafti parashikon edhe risi në rolin që ka shteti për universitete, ku tarifat e shkollimit nuk do të përcaktohen më nga ekzekutivi. “Nuk do të përcaktohen më kuotat po prioritetet, dhe kjo është më e rëndësishme. Mundet që çdo qeveri të ketë prioritetet e saj, se çfarë do të investojë, është e drejta e çdo qeverie. Nuk do të përcaktojë më kuotat e pagesave, qoftë individuale, qoftë të merret me numrin e personelit akademik të institucioneve të arsimit të lartë. Këto nevoja i keni ju. Nuk mund të japë më tituj akademik, këtë ia kemi kaluar institucioneve më me përvojë në vend”, ka shtuar më tej Gjonçaj. Studentët gjithashtu do të gëzojnë të drejtat e vendimmarrjes në zgjedhjen e këshillave përfaqësues dhe strukturave drejtuese të universiteteve të tyre. Llojet e institucioneve të arsimit të lartë do të jenë: “Universitetet, Kolegjet universitare, Akademitë dhe Kolegjet profesionale”. Strukturat universitare duhet që brenda datës 6 mars të pasqyrojnë të gjitha mendimet që kanë në lidhje me variantin përfundimtar të projektligjit.

Si do të funksionojnë Departamentet

Departamenti do të jetë njësia bazë e zhvillimit të mësimdhënies dhe të punës kërkimore-shkencore në çdo fakultet, duke përfshirë fusha kërkimi të përafërta, si dhe grupuar disiplinat mësimore respektive. Ai është përgjegjës për programet e studimit që ofron.”Departamenti nxit, programon, bashkërendon, zhvillon, organizon dhe administron veprimtarinë e mësimdhënies dhe atë kërkimore-shkencore, në varësi të llojit të institucionit. Ka në përbërje të tij të paktën shtatë anëtarë, të punësuar me kohë të plotë si personel akademik, nga të cilët të paktën tre me grada shkencore ose tituj akademikë. Departamenti mund të ketë në përbërje dhe personel ndihmës-akademik. Departamenti organizohet në grupe mësimore dhe në grupe të përhershëm ose të përkohshëm me karakter kërkimor shkencor, në përputhje me llojin dhe misionin e institucionit”, sqarohet në projektligj. Ndërsa, në institucionet e arsimit të lartë publik që kanë qendra spitalore universitare, departamentet përbëhen nga shërbimet, të cilat formohen në bazë të specialitetit. “Departamenti propozon programet e studimit si edhe numrin e studentëve për çdo program, në përputhje me kapacitetet akademike dhe infrastrukturore të tij, sipas standardeve të cilësisë. Gjithashtu përcakton kriteret e pranimit të studentëve për secilin program studimi, në përputhje me përcaktimet e këtij ligji, si dhe përzgjedh studentët fitues, të cilët miratohen nga drejtuesi i njësisë kryesore. Kjo njësi menaxhon edhe fondet bazë të kërkimit shkencor apo fonde të tjera që gjenerohen nga burime të ligjshme, publike ose jopublike, kombëtare ose ndërkombëtare”, detajohet në projektligj mbi funksionet e departamenteve në fakultete.

Punësimi i personelit akademik

Personeli akademik në institucionet e arsimit të lartë sipas rolit dhe veprimtarisë që kryen kategorizohet në: “Profesorë, lektorë dhe asistent-lektorë”. Në kategorinë “Profesorë” janë anëtarët e personelit akademik, titullarë të lëndëve ose moduleve dhe udhëheqës të veprimtarisë kërkimore-shkencore. Anëtarët e personelit akademik të kësaj kategorie mbajnë titujt akademikë “Profesor” ose “Profesor i asociuar”. Kjo kategori punësohet me kontratë me kohëzgjatje të pacaktuar. Në kategorinë “Lektorë” janë anëtarët e personelit akademik, që zhvillojnë veprimtari mësimore dhe kërkimore-shkencore. Në këtë kategori përfshihen, anëtarët e personelit akademik që mbajnë gradën shkencore “Doktor”, kanë së paku tre vite eksperiencë në mësimdhënie pas fitimit të kësaj grade dhe përmbushin kriteret e përcaktuara në statutin e institucionit të arsimit të lartë. Kjo kategori punësohet me kontratë me kohëzgjatje të pacaktuar. Në kategorinë “Asistent-Lektorë” janë anëtarët e personelit akademik që zhvillojnë veprimtari mësimore-kërkimore. Asistent-Lektorët duhet të kenë së paku diplomën “Master i shkencave” dhe të përmbushin kriteret e përcaktuara në statutin e institucionit të arsimit të lartë. Asistent-Lektori punësohet me kontratë me kohëzgjatje të caktuar. Personeli akademik që angazhohet në mësimdhënie duhet të ketë së paku kualifikim të ciklit pasardhës. Në kolegjet profesionale, personeli akademik duhet të ketë fituar së paku diplomën “Master profesional”. Kriteret e punësimit të pedagogëve, me kohë të plotë përcaktohen nga njësia bazë, bazuar në nevojat e kësaj të fundit dhe miratohen nga rektori. Konkursi në institucionet në institucionet publike të arsimit të lartë, drejtohet nga një komision “ad hoc”, i përbërë në shumicë nga përfaqësues të njësisë bazë përkatëse. Në institucionet private rregullat dhe procedurat për punësimin e personelit akademik përcaktohen në statutin e institucionit. Projektligji lejon punësimin me kohë të pjesshëm të pedagogut edhe në një universitetet të dytë, me miratimin e drejtuesit të njësisë kryesore dhe të Rektorit si dhe në marrëveshje mes institucioneve.

Kohëzgjatja e punësimit të pedagogëve sipas titujve akademikë

Personeli akademik që mban titullin “Profesor i asociuar” shërben në detyrë deri në moshën 65 vjeç, ndërsa personeli akademik që mban titullin “Profesor”, shërben në detyrë deri në moshën 68 vjeç, me përjashtim të rastit kur largohet nga detyra para kësaj moshe. Mbështetur mbi nevojat e institucionit të arsimit të lartë ky personel mund të shërbejë edhe pas moshës së lartpërmendur në detyra të përcaktuara sipas kontratave me kohëzgjatje deri në një vit, të përsëritshme. Ai nuk mund të jetë pjesë e organeve dhe autoritet drejtues dhe nuk merret në konsideratë për plotësimin e standardeve institucionale. Personeli akademik i kategorisë “Profesor” mund të shkëputet përkohësisht nga institucioni i arsimit të lartë, për një periudhë maksimale prej pesë vjetësh, për t’u angazhuar në detyra të rëndësishme shtetërore dhe politike. Për periudhën e shkëputjes, mund të zëvendësohet nga personel akademik i punësuar me kontratë me afat të caktuar. Pas përfundimit të detyrës, me kërkesë të tij, anëtari i personelit akademik rikthehet në vendin e mëparshëm të punës ose në një vend të barazvlefshëm.

Share This Article
2 Comments
  • Eshte idiotia e radhes!se me idiotet qe kemi ,ne qofte se ministrija nuk ka kontrol ,çmimet do bejne stratosferike shume shpejt se duan rroga te majme edhe akademiket!

  • Ne cdo vend te botes qeveria kerkon te favorizoje sektoret deficitar per Shtetin,edhe te for mije njerezet qe i duhen neser!Kurse ne shqiperi e kunderta,u lihet akademikeve te vendosin,kur ne te gjithe e dîme se keta akademike pergojne edhe doktorantet vetem qe te mbajne karriget e tyre and vitam eternam!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *