Universiteti i Mjekësisë, ja tarifat vjetore të studimit për çdo program!

Ornela

Krahas kuotave të reja të pranimeve, Universiteti i Mjekësisë ka përcaktuar tashmë edhe tarifat vjetore të shkollimit për të gjithë studentët që do të ndjekin për herë të parë studimet e larta në programet e ciklit “Bachelor” dhe “Master” përgjatë vitit akademik  2021-2022. Në vijim të shkrimit do të gjeni të detajuara pagesat që duhet të shlyejnë studentët e rinj të pranuar në 28 programet e studimit të ciklit të parë dhe të dytë të studimeve në këtë institucion të arsimit të lartë publik.

Përveç tarifës vjetore të shkollimit, studentët duhet të shlyejnë edhe dy tarifa të tjera që janë tarifa e aplikimit për programin e studimit ku konkurojnë, si dhe ajo e regjistrimit si fitues në degën ku janë përzgjedhur. Sa i takon këtyre dy tarifave, për pranimet e vitit të ri akademik 2021-2022, tarifa e aplikimit për programet e ciklit të dytë të studimit është 2,000 lekë, ndërsa ajo e aplikimit për një program të dytë studimi  është 10,000 lekë. Ndërsa për t’u regjistruar si fitues duhet të shlyeni tarifën e regjistrimit prej 2,000 lekësh.

Tarifat vjetore të shkollimit

Konkretisht në degët Mjekësi e përgjithshme, Farmaci dhe Stomatologji tarifa vjetore e shkollimit që duhet të shlyejnë studentët e viteve të para është 45,000 lekë. Ndërsa në degët Shëndet publik, Teknikë dentare, Higjienist dentar dhe Infermieri e përgjithëshme viti i parë i studimeve do të kushtojë 40,000 lekë. Për studentët e pranuar në degët: Mami, Fizioterapi, Teknikë laboratori, Teknikë imazherie dhe Logopedi tarifa vjetore e shkollimit që duhet të shlyejnë do të jetë 35,000 lekë. Kur studimet në këto degë do të ndiqen si program i dytë (fakultet i dytë), tarifa do të jetë disa herë më e lartë, përkatësisht 233,916 lekë, e cila duhet të mbulohet e plotë nga vetë studenti.

Për studentët që vijojnë për herë të parë programet e ciklit të dytë “Master profesional” tarifa vjetore që duhet të shlyejnë është 72,000 lekë, si dhe ata të pranuar në programet “Master i Shkencave” do të shlyejnë tarifën vjetore prej 105,000 lekësh. Në secilin rast është përcaktuar edhe tarifa që duhet të shlyhet për çdo kredit të lëndës për programet e ciklit të dytë.

Po sipas vendimit të miratuar nga Senati Akademik i Universitetit të Mjekësisë, studenti do t’i nënshtrohet vetëm një tarife vjetore shkollimi. Studentët e ciklit të parë dhe të integruar të ciklit të dytë, të cilësuar në bazë të rregullores së Universitetit të Mjekësisë si: “përsëritës” do i nënshtrohet tarifës vjetore të shkollimit të vitit akademik në të cilin po vazhdojnë studimet. Përsëritës do të konsiderohet çdo student që nuk ka plotësuar numrin e nevojshëm të krediteve për të kaluar në vitin pasardhës.

“Për studentët e ciklit të dytë “Master profesional” dhe “Master shkencor”, të cilët nuk e kanë përfunduar programin përkatës të studimit, apo nuk kanë shlyer të gjitha provimet e parashikuara në atë program brenda kohëzgjatjes normale të tij dhe konsiderohen studentë mbetës, bëhet e ditur se për lëndët përsëritëse do të paguajnë çdo vit akademik tarifën për kredit të lëndës përkatëse. Gjithashtu në vendim përcaktohet se studentët që kanë transferuar studimet në këtë institucion të arsimit të lartë do t’i nënshtrohen tarifës vjetore të shkollimit në programin përkatës ku dhe janë transferuar. Shtetasit e huaj që vazhdojnë studimet tek Mjekësia në një program të parë, apo të dytë studimi do i nënshtrohen të njëjtës tarifë studimi si dhe shtetasit shqiptarë, kjo me përjashtim të rasteve kur me marrëveshje zyrtare janë vendosur mënyra të tjera të përcaktimit të tarifave të shkollimit”, detajohet në vendimin e miratuar nga Senati Akademik i Universitetit të Mjekësisë.

Aktualisht po vijon procesi i regjistrimeve sipas fazave të përcaktuara për raundin e parë të pranimeve në ciklin “Bachelor”, ndërkohë që pritet të nisin edhe aplikimet për pranimet e reja në programet e ciklit të dytë “Master”.

Programet e dyta të studimit

Senati ka përcaktuar edhe tarifat vjetore që do të duhet të shlyejnë studentët që do të ndjekin studimet në një fakultet të dytë. “Personat që kanë përfunduar një program studimi të plotë, kanë të drejtë të ndjekin një program të dytë studimi. Pranohen për aplikim, si rregull kandidatët me diplomë të përafërt me programin e dytë në të cilin kërkojnë të studiojnë, nga të cilët përzgjidhen ata me mesatare mbi 9. Në këtë rast, kandidatët përballojnë koston e plotë të studimeve. Kritere specifike për t’u pranuar në një program të dytë studimi përcaktohen në rregulloret e fakulteteve. Kuotat e pranimit dhe tarifa e shkollimit për programet e dyta të studimit përcaktohen me vendim të KM. Kritere specifike për t’u pranuar në një program të dytë studimi përcaktohen në rregulloret e fakulteteve përkatëse”, bëjnë me dije autoritetet e Universitetit të Mjekësisë.

 

Në Spitalet Covid po marrin trajtim 147 pacientë, nga të cilët 17 janë në gjendje më të rënduar

Covid19\ Dje 4 viktima dhe 502 raste të reja infektimi

Katër humbje jete dhe 502 raste të reja infektimi është bilanci i raportuar nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale për ecurinë e pandemisë së Covid-19 në 24 orët e shkuara. Në rritje shfaqet edhe numri i pacientëve që kanë nevojë për shtrim në spital, për shkak të ndërlikimeve të rënduara të shkaktuara nga infektimi me koronavirus. E ndërsa situata vijon të jetë serioze, Ministria e Shëndetësisë u bën sërish apel qytetarëve të vaksinohen sa më parë, për të mbrojtur veten dhe shëndetin e të tjerë. Ju mund të vaksinohuni në qendrën më të afërt të vaksinimit, sepse vaksinat antiCovid reduktojnë mundësinë e infektimit dhe shmangin në shkallë të lartë hospitalizimet dhe fatalitetet.

Tashmë në të gjithë vendin janë 12,108 pacientë aktivë që po trajtohen me koronavirus, ku prej tyre në Spitalet Covid po marrin trajtim 147 pacientë, nga të cilët 17 janë në gjendje më të rënduar. Me gjithë përpjekjet e mjekëve, në 24 orët e fundit nuk e kanë fituar betejën me Covid-19 edhe 4 qytetarë, ku bëhet fjalë për një qytetare 55 vjeçe nga Lezha, një qytetar 72 vjeç nga Lushnja, një qytetar 72 vjeç nga Peqini dhe një qytetar 78 vjeç nga Shkodra

Ndërkohë sa i takon gjurmimit të rasteve të reja të infektimit, autoritetet e shëndetit sqarojnë se në 24 orët e fundit janë kryer 5991 testime, nga të cilat kanë rezultuar pozitivë me COVID19, 502 qytetarë, në këto bashki: 173 raste në Tiranë, 74 në Fier, 31 në Shkodër, 29 në Durrës, 24 në Kavajë, 22 në Vlorë, 18 në Kamëz, 16 në Berat, 14 në Sarandë, 11 në Lushnje, 10 në Lezhë, 9 në Kurbin, 8 në Patos, nga 6 raste në Gramsh, Rrogozhinë, nga 4 raste në Pukë, Tropojë, Përmet, Peqin, nga 3 raste në Kukës, Krujë, Dibër, Roskovec, Gjirokastër, Tepelenë, Devoll, nga 2 raste në Librazhd, Himarë, Mallakastër, Mirditë, Malësi e Madhe, nga 1 rast në Vorë, Mat, Divjakë, Delvinë. Ndërkohë që gjatë ditës së djeshme janë shëruar edhe 393 qytetarë, duke e çuar numrin e të shëruarve në 136,872 që nga fillimi i epidemisë.

Autoritetet e shëndetit këshillojnë që nëse dyshoni se jeni i prekur nga Covid-19 apo keni shenja të sëmundjes, izolohuni menjëherë dhe kontaktoni me mjekun tuaj të familjes për t’u testuar ose telefononi Urgjencën Kombëtare në numrin unik 127. Ndërkohë që për të frenuar përhapjen e mëtejshme të virusit duhet të bëni kujdes me respektimin e distancës, mbajtjes së maskave, si dhe kujdesin e shtuar ndaj higjienës.

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *