“Urdhri i Berishës për përdorimin e armëve mbi popullsinë, solli kaosin dhe shkatërrimin e ushtrisë”

anazapta

Ekskluzive / Ditari i Nënkolonel Hekuran Rapajt për trazirat e marsit 1997. Si u urdhërua vendosja e ushtrisë nën komandën e SHIK-ut dhe si u përdor ajo jashtë misionit Kushtetues

 

Nënkolonel Rapaj: “Shpallja e gjendjes së jashtëzakonshme, zgjedhja e Berishës President në situatë lufte dhe provokimet e SHIK-ut të Gazidedes, sollën reagim mbarëpopullor”

 

Dr. Hekuran Rapaj

 

Sa më shumë i largohemi kontaktit me tragjedinë e madhe të shpërbërjes së ushtrisë shqiptare, në pranverën e vitit 1997, aq më shumë në mendjen time feksin dilemat madhore që çuan në shkatërrimin e plotë të ushtrisë. Të gjithë shqiptarët dhe veçanërisht oficerët, që jetën e tyre e kanë lidhur pazgjidhshmërisht me ushtrinë, tashmë janë të ndërgjegjshëm, se në Shqipëri ndodhi një tragjedi e madhe, e veçantë në llojin e vet, një fenomen tipik shqiptar, ku politika, populli dhe vetë ushtarakët, shkatërruan dhe sakrifikuan pjellën e vet. Ushtria shqiptare u shpërbë, fatalisht në kushte paqeje. Në dekadat që lamë pas nuk e kemi parë asnjëherë vendin dhe ushtrinë më keq se sa në javët e para të marsit 1997. Atë tërmet të madh që na çoi në buzë të greminës, e kemi përjetuar me zemër të copëtuar. Fenomenin e vetë shkatërrimit të ushtrisë do ta tipizojmë, duke i vënë emrin “fenomen shqiptar”. Ajo është vetësakrifikuar në muajt maj-qershor 1924 dhe në prillin e vitit 1939. Por ngjarjet e marsit 1997, për nga pasojat e tyre, kanë mbetur e do të mbeten të ngulitura thellë në mendjet e çdo shqiptari. Përgjithësisht në përfundim të kësaj situate, shqiptarët kanë qenë nën trysninë e shumë pyetjeve dhe nën efektin e dilemave të mëdha, po thuaj hamletiane.

Çfarë ndodhi me ushtrinë shqiptare në fillim të pranverës së vitit 1997?! Si mund të shpjegohet që kjo ushtri me një efektiv prej 28-30 mijë vetësh në shërbimin aktiv të shthurej në një kohë të shkurtër? Si mund të shpjegohet dhe të kuptohet që, një numër shumë i madh deposh u hapën, shkatërruan dhe armët e shumta ranë në duart e popullsisë, kaluan në pronësi private? Vallë kush e shkatërroi dhe e dogji ushtrinë shqiptare? Si mund të asimilohet një indiferentizëm i tillë, në kushtet kur ajo nuk zbatoi urdhrat për të vepruar brenda vendit dhe injorimin e  ri ngritjes morale të kësaj shtylle kryesore të shtetit, në ditët dhe javët në vazhdim? Për paradoks, politikanët që përgatitën tragjedinë e vitit 1997, për paradoks, riciklohen e përsëri kanë në dorë fatet e vendit…

Si shumë kolegë ushtarakë, unë e kam të freskët tragjedinë e vitit 1997, atë luftë pa armik… Kam mbajtur dhe ditar, ku kam hedhur ngjarjet e atyre ditëve dhe dëshmitë e protagonistëve…

28 SHKURT-1 MARS 1997

Situata filloi të perceptojë në mënyrë të tillë që qeverisë i doli jashtë kontrollit. Nga 28 shkurti dhe deri me 1 mars 1997 të 40 partitë politike shqiptare kërkuan me këmbëngulje zgjidhje politike. Por Partia në pushtet, e komanduar nga Sali Berisha, ofroi “gjendjen e jashtëzakonshme”. Shqipëria u copëtua në dy pjesë. Filloi kronika e ngjarjeve të zeza. Shqipëria në sheshe, në rrugë. Katastrofë dhe gjak.Ja disa kronika pa koment, të hedhura në bllokun tim:

Ish-Ministri i Punëve të Jashtme Tritan Shehu mbahet peng nga qytetarët e zemëruar lushnjarë. Ish-deputeti i së majtës Ndre Legisi goditet rëndë në kokë dhe i rrezikohet jeta. Një nga veprimtarët e së djathtës, intelektuali Edi Rama, dikur bashkë mitingas me krerët e qeverisë në pushtet rrihet në mënyrë ç’njerëzore. Qindra njerëz merren nën përgjegjësi penale, thirren në zyrat e policisë e të hetimeve si organizatorë të mitingjeve të paligjshme duke u dënuar me vite burgimi. Deputetët e PD vendosën të ndryshojnë dispozitat kushtetuese. Ata i japin të drejtë Kryetarit të Shtetit të përdorë ushtrinë për mbrojtjen e rendit. Presidentit Sali Berisha i kërkohet të shpallë gjendjen e jashtëzakonshme të paktën në Vlorë me iniciativën e tij si Kryeministër. Sali Berisha del në jetën politike me atributet e Komandantit të Përgjithshëm. Shteti nxjerr në rrugë arsenalin e armëve. Të gjitha ndërtesat qeveritare, ministritë, TVSH-ja, përveç rrethimit me polici rrethohen edhe me trupat ushtarake. Komandanti i Përgjithshëm Sali Berisha, i pyetur nëse do të pranojë këshillat e qeverive të tjera për të mbajtur zgjedhje të reja sa më shpejt që të jetë e mundur, përgjigjet: “Jo”. “Kjo vetëm se do të legjitimitonte bojkotin e opozitës. Zgjedhje të reja do të ketë në vitin 2000”. Ish-Ministri i Jashtëm i Berishës (Tritan Shehu) e përjashtoi mundësinë që Shqipëria të jetë në krizë politike dhe as ekonomike. Asnjë qytet që bënte revoltat nuk e lejonte TVSH-në që të filmonte pasi ajo ishte pjesë e makinës shtetërore të dhunës, ishte policia televizive. Gazeta “The Independent” dhe agjencia e lajmeve Britanike BBC e quante regjimin “The gangster regime”. Parandjehet pasiguri e kaos…

SFIDA E PARË SHTETIT TË BERISHËS

Sfida e parë e popullit që përpëlitej nën ethet e sëmura të shtetit filloi me grevën e urisë së studentëve të Universitetit “Ismail Qemali” në Vlorë. “60 studentët” e këtij universiteti ngujohen në një nga dhomat e këtij institucioni. Nga Shkodra i kërkohej Presidentit të Shqipërisë Sali Berisha “të shkonte në Vlorë”, për të biseduar e shtensionuar situatën. Universiteti i Tiranës bojkotoi përfundimisht mësimet. “Nuk e lëmë Vlorën vetëm” qenë thirrjet e tyre rrugëve në kryeqytet. Gjimnazistët e shkollave të mesme braktisën klasat e tyre duke demonstruar rrugëve. Vetëm në Tiranë “3 mijë nxënës të shkollave të mesme” marshuan drejt Universitetit të Tiranës, ndërkohë që  “xhupat e zinj” qëllonin pa mëshirë mbi djemtë dhe vajzat 16 vjeçarë.”

“Masakër para Presidencës dhe Kryeministrisë”. “Xhupat e zinj” qëllojnë pa mëshirë mbi vajzat dhe djemtë e shkollave të mesme. Grumbullimi i të rinjve 16 vjeçar kanë rezistuar, por dhuna ka qenë barbare. Janë tërhequr zvarrë mbi 30 gjimnazistë që të shtrirë për tokë, janë bërë pre e shkelmave dhe e grushteve.”

GREVË STUDENTORE DHE NË GJIROKASTËR

Rinia studentore është ngritur e tëra në protestë. 46 studentë të Universitetit “Eqrem Çabej” në qytetin e Gjirokastrës filluan grevën e urisë. Po këtë mbrëmje, më datën 28 shkurt, një fugon i quajtur i SHIK-ut provokoi studentët e grevës së urisë të Universitetit të Vlorës. Ata ndërhynë për të rrëmbyer studentët. Menjëherë pas kësaj qyteti i Vlorës zbriti në shesh, pranë studentëve. Njerëzit sulmuan selinë e SHIK-ut, duke e djegur atë. Të dy palët, populli dhe qeveria qenë të armatosur. Atë natë vriten 9 veta, plagosen 30 të tjerë dhe kapen rob disa oficerë të SHIK-ut.

Një grup intelektualësh të pavarur nga partitë politike i drejtohen forcave të policisë dhe të ushtrisë: “Ndal politikës. Krimi ndjell krimin. U bëjmë thirrje ushtarëve, oficerëve dhe punonjësve të policisë në të gjitha nivelet, të mos kthehen në vegla të dhunës, të një grupi politikanësh kundër popullit, kundër vëllezërve dhe motrave të tyre në fatkeqësi”. Bashkë me kolegët ushtarakë, këtë thirrje publike, e qauajtëm me vend…

Ndërkohë, Thirrja e Forumit për Demokraci drejtuar gjithë efektivave të Forcave të Armatosura të Shqipërisë buçiste: “Kundërshtoni urdhrat kriminale të urdhëruesve!”. Nga qyteti i Vlorës, 200 nëna intelektuale i kthejnë shpresat e humbura nga përtej oqeanit, nga vendi i demokracisë botërore, SHBA. Ato i drejtohen Hillari Klintonit me thirrjen e fuqishme të nënës në shkretëtirë: “Na ndihmo Amerikë. Kemi humbur gjithçka”.

INTELIGJENCA USHTARAKE

Edhe inteligjenca e ushtrisë nuk mund të mos përfshihej në këtë katrahurë. Pedagogët e Akademisë së Mbrojtjes, djepi i dijes dhe kulturës së Forcave të Armatosura të Shqipërisë i kërkuan me këmbëngulje Ministrit të Mbrojtjes dhe Sekretarit të Shtetit me argumente profesioniste, dhe si ushtarakë të lartë të ushtrisë, “të afrohet zgjidhja politike” duke mos marrë përsipër futjen e ushtrisë në qorrsokakun që përgatitej.

KRIMI KUNDËR MEDIAS

Ndërkohë krimi u shtri edhe kundër medies. Në versione të çuditshme  u dogj dhe u shkatërrua redaksia e gazetës së pavarur “Koha Jonë”, gazeta më e shitura dhe më e lexuara në Shqipëri. Flakët e zjarrit i shkaktojnë asaj një humbje ekonomike prej 191.900 dollarë. Në mëngjesin e ditës së parë të pranverës 1997, qeveria dhe Komandanti i Përgjithshëm Sali Berisha nuk e dinin se cili qytet ishte nën kontrollin e pushtetit zyrtar.

GENDJA E JASHTËZAKONSHME

Në pasditet e 1 marsit 1997, Komandanti i Përgjithshëm Sali Berisha shpall gjendjen e jashtëzakonshme në të gjithë Shqipërinë. Komandanti i gjendjes së jashtëzakonshme emërohet nga “Njëshi i shtetit”, gjenerali me katër yje i SHIK-ut, Bashkim Gazidede. Në datën 3 mars, rizgjidhet Presidenti në një mbledhje parlamenti të mbyllur. Të gjithë përfaqësuesit diplomatë perëndimorë nuk asistojnë në rizgjedhjen me ngut të Presidentit të Republikës. Ndërsa Presidenti buzëqeshte në lozhën e parë të Parlamentit tanket dhe autoblindat marshonin drejt qyteteve jugorë. U vendos institucioni i censurës klasike dhe kontrolli i plotë mbi çdo mjet të informimit publik. Vetëm TVSH-ja mori përsipër të transmetonte buletinin dizinformues të policisë së fshehtë shtetërore. Radiot dhe televizionet e huaja shqipfolëse ose thjeshtë të interesuara për çështjen shqiptare, u zhurmuan. Që prej datës 3 mars, nuk dilte asnjë gazetë tjetër, veç “RD”-së. Korrespondentët shqiptarë të gazetave dhe radiove të huaja, për shkak të terrorit të ushtruar ndaj tyre, u larguan ose u fshehën… (Vijon nesër)

 

KOMENT

 

“Lufta – 1997” dhe mesazhet e ditarit të një Nënkoloneli

 

Kanë kaluar 13 vjet nga ‘Marsi-1997’, kohë në të cilën shtetarët e kohës, për të mbajtur me çdo kusht pushtetin, firmosën urdhra luftarakë, mobilizuan dhe armatosën mercenarë dhe drejtuan kryqëzatën e armatosur kundër zonave jugore të vendit, duke sjellë viktima të panumërta, djegie, shkatërrimin e ushtrisë e gjithë strukturave shtetërore. Pra, pushteti i dhunshëm ra e Shqipërinë që u fut në një ‘luftë pa armik’, e morën nën kontroll forcat ushtarake e faktorët ndërkombëtar. Për ditë e javë të tëra, çmenduria shqiptare pushtoi faqet dhe ekranet e medies ndërkombëtare. Atëherë, kur Vlora e Shqipëria digjeshin, kur mijëra nëna u veshën me të zeza, Sali Berisha, rizgjidhet President i vendit në situatë të jashtëzakonshme. Nuk mundi të qëndrojë me dhunë në pushtet dhe u largua… Por kur askush nuk mendonte, ai u rikthye përsëri në pushtet, tashmë Kryeministër i Shqipërisë. Dhe siç treguan këto vite, ai u hakmor për atë që pësoi në marsin e vitit 1997, me forma e mjete të ndryshme, duke joshur e blerë dhe opozitarët e djeshëm, aq sa sot niveli ekomomik i vendit është në kuotat më të ulëta e demokracia e dhunuar…

Në qeverisje, me përjashtim të gjeneralëve e kolonelëve që vdiqën natyrshëm, SHIK-asit e ’97-tës, mercenarët e djeshëm që u sulën me armë kundër vëllezërve të tyre, janë sot në pozita kyçe e tashmë dhe milionerë me pasurinë e djersën e popullit.

Çuditërisht, memoria e shqiptarëve qenka aq e dobët, sa jo pak, i besojnë apo shpresojnë ende tek ata që përgatitën gjakderdhjen e vitit 1997. Mjerisht, edhe pse pushtetet u ndërruan, askush nuk doli para drejtësisë për krimet e kryera në këtë vit. Përkundër, protagonistët e djeshëm (sot me pushtet), nuk përjashtohet mundësia, që për të mbajtur pushtetin(siç kanë bërë me dhunimin sistematik të zgjedhjeve), të përsërisin situata të ngjashme tensioni.

Fatkeqësisht, për shumëkënd, tragjedia shtetërore e vitit 1997, sikur është harruar… Në ditarin e Nënkolonel Hekuran Rapajt, jepen detaje të dhimbshme nga fronti i luftës së 1997-s, që të rrënqethin. Jepen urdhra luftarakë të mobilizimit e armatosjes së mercenarëve kundër ‘rebelëve të jugut’, jepen urdhra luftarakë për bombardime me aviacion të urave e zonave të caktuara, jepen urdhra sekret për përgatitjen e Lëndëve Helmuese Luftarake(të ndaluara rreptësisht dhe në lufta frontale), vrasje masive, dhunim studentësh… Janë dëshmi ‘nga fronti i luftës’, nga një ish-ushtarak i njohur i mbrojtjes. Këto dëshmi rrënqethëse, që sillen në disa numra në ‘Dita’, minimalisht duhet të shërbejnë për të njohur sa më mirë të vërtetën e asaj ‘lufte pa armik’, organizatorët dhe realizuesit e saj. Por dhe për të qenë vigjilentë e reflektuar për varfërinë e pafalshme të memories shqiptare për shkaktarët e kësaj tragjedie të rëndë.

 

NESËR DO TË LEXONI:

-Pjesë nga ditari i Nënkolonel Hekuran Rapaj: Çfarë ndodhi më 2 mars 1997 kur qeverisë i iku situata krejtësisht nga duart e në vend nisi kaosi. Çjerrjet frenetike të deputetëve të pushtetit në sallën e Parlamentit: ‘Do t’i shtypim me dhunë!’

-Si i nisi Sali Berisha familjarët jashtë Shqipërisë. Arratia e disa ministrave dhe urdhri i Presidentit për shkarkimin e Sheme Kosovës, gjenerali me 4 yje pasi nuk pranoi urdhrin për konfrontim me armë të ushtrisë me popullin.

-Nisja e revoltave në jug dhe urdhri i qeverisë për mobilizimin luftarak të mercenarëve në rrethet e veriut për të vënë nën kontroll protestat masive të popullit në jug.

Share This Article
3 Comments
  • Populli duhet te kuptoje qe Sali Qen Berishovic duhet te largohet dhe denohet per krimet qe ka bere ndaj kombit shqiptar.”Vdekja” e Zhulalit dhe kriminelit Gazidede nga semundje te pasherueshme ,ishte organizuar nga krimineli Berisha per te zhdukur faktet real per ate qe pregatiti ne vitin 1997.Ky dhe politikan si Fatos Nano etj. duhet te dalin para gjyqit dhe te denohen per krimet ndaj komit tone,vetem keshtu mund te themi se shqiperia po rilind.

  • Ky shkrim na verteton se shqiptaret jane kujtes-shkurter per te mos thene kolektiv idiotash…!

  • Ngjarjet e vitit te zi 1997 nuk mund te arkivohen! Megjithese politika e dy kraheve mendon se tashme atyre u eshte vene kapaku, gjaku i pafajshem ben apel per reflektim e drejtesi. Po qe se kujtesa popullore eshte fshire dhe reagimi politik i ketij populli nuk do cfaqet furishem me 23 qershor, vertete qe ne nuk meritojme te quhemi POPULL.Shpresa vdes e fundit…. une shpresoj!!!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *