Urdhri për atentatin erdhi nga jashtë

redaktor

Aktiviteti i dyshimtë në të paktën 5 vende të Europës, deri në Amerikën Latine, dyshohet se është shkaku kryesor i atentatit me bombë të telekomanduar ndaj Isif Brahimajt, (ka mbajtur edhe mbiemrat Kokaj dhe Bajramaj). Kurse urdhri për vrasjen e tij në mënyrë demonstrative, ka ardhur nga jashtë Shqipërisë. Policia dyshon se porosia është sjellë gjatë sezonit veror nga ndonjë prej emigrantëve që kanë ardhur në Vlorë dhe më tej komunikimeve nëpërmjet telefonit me anë të kodeve, për të mos krijuar dyshime dhe që të mos dështonte atentati. Gjithashtu grupi hetimor ka ngritur hipotezën se vrasja është e paguar, duke marrë shkas se një nga 3 atentatet ndaj vëllezërve Brahimaj ishte kryer nga killeri i penduar, Julian Sinanaj, i cili e mori përsipër dhe tha se ishte paguar.

 

Porosia

Porosia mund të ketë ardhur nga vende si Italia, Belgjika, Holanda, Spanja apo Greqia. Por edhe një urdhër nga Brazili i largët. Këto janë edhe vendet ku 42-vjeçari kishte pasur aktivitetin e tij si “emigrant” për shumë vite, por edhe që i vizitonte në vazhdimësi. Ai dilte nëpërmjet pikave kufitare tokësore shqiptare dhe më tej merrte udhëtime ajrore nga Selaniku në Greqi, me destinacion Italinë dhe vendet e tjera të mësipërme. Dyshohet se njohjet e tij me shqiptarë të tjerë apo grupe rivale kanë qenë të shumta dhe nuk kanë munguar konfliktet që kanë lindur nga ky aktivitet. Një prej pistave është prishja në pazare droge në Itali apo në Belgjikë, dy rastet kur është arrestuar dhe dënuar nga drejtësia. Në Belgjikë sipas policisë është kapur me 20 kg kokainë dhe ndoshta prishja në këtë Pazar, dështimi i trafikut, mund të kenë sjelle konfliktet për humbjen e mallit apo moskompensimin e tij. E njëjta gjë edhe në Itali, Holandë apo deri në Brazil. Interpol Tirana është vënë në lëvizje nga Policia e Shtetit, për të mbledhur informacione të detajuara rreth aktivitetit të Brahimajt gjatë qëndrimit në këto vende. Po kështu do zbardhen të gjitha telefonatat që ai ka kryer këto kokë, kontaktet që kishte, apo kërcënimet e vazhdueshme. Megjithëse dy atentatet e para ndodhën një vit më parë, policia ka si të dyshuar vetëm Sinanajn dhe ky i fundit ka deklaruar se nuk e di porositësin e vërtetë të atentatit ndaj Bramihajt. Atij ia kanë sjellë porosinë nëpërmjet një ndërmjetësi, që tashmë është në kërkim.

 

Pistat

Ekspertët besojnë se urdhëruesit e vrasjes së 42-vjeçarit janë një grup i mirëorganizuar që ka veprimtari në trafiqe jashtë vendit dhe për motiv kanë jo vetëm larjen e hesapeve për konfliktet e vjetra, por edhe hakmarrjen. Pista më e besueshme mbetet që viktima t’i ketë shitur tek policitë e huaja anëtarët e grupit, t’u ketë një borxh të madh nga trafiku i dështuar, ose t’ua ketë marrë aktivitetin duke u shkaktuar dëme financiare. Pista e fundit për grupin hetimor mbetet rivaliteti në fushën e ndërtimeve në Vlorë, apo konfliktet e pronësisë për hotelin që po ndërtonte në Radhimë.

 

Telefonata

Shpresohet që nëpërmjet verifikimit të të gjitha pamjeve të kamerave të sigurisë së bizneseve në lagjen “28 Nëntori”, mund të lokalizohet vendi nga është bërë thirrja në celularin e montuar me sasinë e eksplozivit poshtë makinës “Mitsubishi”. Përcaktimi i rrezes së kësaj thirrjeje dhe vendi nga është bërë, do të mundësonte edhe gjetjen e mundshme të atentatorit profesionist. Ekspertët kanë dy variante, atë të thirrjes në telefon nga një lokal buzë rrugës në momentin që makina ka kaluar afër sheshit “Omonia” dhe e telefonatës nga një makinë që ka qenë në ndjekje të Brahimajt, në distancë të paktën 50-100 metra largësi. Ndaj i është kërkuar operatorëve privatë të telefonisë celulare që të japin të gjitha tabelat e thirrjeve të kryera nga zona ku ndodhi shpërthimi mëngjesin e të enjtes.

A. Qoraj

Share This Article
3 Comments

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *