Hapja e qendrës së urgjencës do shoqërohet edhe me vendosjen e autoambulancave pranë zonave që kanë përqendrim të lartë pushuesish, siç janë zona e Tales dhe Kunes.
Konfirmimi është bërë ditën e djeshme nga ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj, gjatë inspektimit të bërë në pikën e urgjencës mjekësore të përkohshme, ngritur në Shëngjin. Kjo qendër funksionon tashmë prej disa javësh për t’i ardhur në ndihmë mbarëvajtjes së sezonit turistik veror për gjithë pushuesit, vizitorët, turistët vendas dhe të huaj që zgjedhin të kalojnë pushimet e tyre verore në këtë zonë.
Kjo qendër e urgjencës është pjesë e një programi të plotë që dikasteri i shëndetësisë po zbaton në të gjithë vijën bregdetare të Shqipërisë, nga Velipoja në Ksamil, me 22 pika të reja të urgjencave mjekësore, të cilat ofrojnë shërbim me mjekë dhe infermierë përgjatë 24 orëve. Këto urgjenca janë furnizuar me barna dhe materiale mjekësore që janë të nevojshme për pushuesit që manifestojnë probleme shëndetësore.
Më tej, kreu i shëndetësisë inspektoi edhe punën që po kryen në terren njësia e Institutit të Shëndetit Publik për zbatimin e programit të dezinsektimit të bregdetit në plazhin e Shëngjinit. Enkelejda Velo, shefe e sektorit të vektorëve në ISHP, tha se në zonën e Shëngjinit përveç teknikës për kontrollin e mushkonjës ‘tigër’, po përdoren edhe metoda të tjera të pastrimit të zonës nga insektet dhe mushkonjat. “Programi i dezinsektimit të bregdetit të Shëngjinit këtë vit përfshin një zonë më të madhe dhe shtrihet më gjatë në kohë. Edhe kjo është një tjetër dëshmi e punës që ne po bëjmë për t’u kujdesur për shëndetin e qytetarëve, përfshirë edhe ata që vijnë në Shëngjin, apo në të gjithë bregdetin e vendit tonë si pushues, duke pasur parasysh dy gjëra: reduktimin e ndjeshëm të rrezikut që këto insekte mund të shkaktojnë në shëndetin e njerëzve, si dhe shmangien e bezdisjes që në orë të caktuara, këto insekte shkaktojnë për pushuesit”, vuri në dukje ministri Beqaj.

JU LUMTE , VAZHDONI TE ECNI NE RRUGEN E DREJTE , CDO GJE PER TE MIREN E POPULLIT!!