TIRANË – Në fillim të gjithë e morën me shaka. Madje deputetët socialistë qeshën shpengueshëm dhe panë njëri-tjetrin me atë shikimin entuziast që sikur thotë, “ky të shkrin fare”. Dhamiani bile, tentoi të marrë fjalën nga vendi dhe i kërkoi kryetarit të Kuvendit gjithë hare:
“Zoti Ruço, ju lutem mos ja prisni fjalën deputetit Gjuhëzi, se ai për këtë ditë ka luftuar!”, e paskëtaj gazi u rindez edhe më shumë. Shefi i madh Edir Ama nuk e mbajti dot të qeshurën dhe i tundi gishtin tregues Dhamianit, “ah ti shejtan!”
Vetëm ministrja Pilospari ishte skeptike.
Paçka se në parti të gjithë e quanin ‘mbretëresha e batutës’, fjalia e fundit e Gjuhëzit që ende nuk e kishte lënë foltoren, nuk i pëlqeu. Shikonte vërdallë dhe buzëqeshte me siklet. I jehonin ende në vesh frazat e Gjuhëzit, që kishin dalë nga goja e tij vetëm pesë sekonda më parë:
“Kjo fole nepërkash që ju e quanin parlament, por që është nevojtorja e kombit, që nga ky moment shpallet e mbyllur. Ftoj miqtë e mi të kryejnë veprimet e nevojshme, Garda të vulosë dyert, të fiken valët e celularëve, askush të mos dalë!”
Në fakt, me shuarjen e të qeshurave, sallën e kaploi një heshtje e tensionuar. Gjuhëzi nuk po ulej nga foltorja. Përkundrazi, u ngrit edhe Gjuhëzi i dytë, një tjetër deputet i ri, ndërsa dy ballistët dikur rivalë, Artur Boshi dhe Adriali Tikmadhi, lëvizën në sinkron. Ata u shpërndanë me shkathtësi qeleshe me shkabë oficerëve të Gardës dhe mbyllën me kyç dyert e sallës.
Vetëm tani Gjuhëzi i foltores hoqi xhaketën me kuadrata, liroi papijonin, përveshi mëngët e këmishës dhe foli prapë:
“Jeni të pezulluar, të gjithë. Pushtetin tani e ka Komiteti i Shtatë Rrobaqepësve të Tironës me mbështetjen e fuqive të mëdha”.
Teksa shumica po vështronin njëri-tjetrin të çmeritur, vetëm Tauballando Con le Stelle reagoi me stoicizëm:
-Socialistët nuk dorëzohen! – dhe tentoi të telefonojë dikë me celular. Por celularët ishin shurdhuar, ndaj dy sekonda më pas ai shtoi:
– Socialistët dorëzohen…
Por ndërkaq deputetja Rugjina Hambari i kishte vënë hekurat; një palë pranga ngjyrë çiklaminë të mbështjella me push rozë.
Atëherë Shefi i madh Edir Ama e kuptoi skemën dhe i ra ballit me dorë.
Iu kujtua sesi e nxitën miqtë e jashtëm të mos dialogonte, madje ta nxiste djegien e mandateve të opozitës; sesi i kërkuan të përshpejtonte procedurën e pranimit të deputetëve të rinj; sesi e urdhëruan që mandati i deputetit Gjuhëzi të vonohej pak korridoreve të KZQ-së. Mesa duket, u duhej dhe pak kohë për ta trajnuar…
“Paskam qenë një gur shahu në puçin e rrobaqepësve!”, tha i trishtuar, duke shtuar, “mëkat! Edhe sot që kam kombinuar shkëlqyeshëm kravatën me manshetat…”
*****
SHËNIM: Gojët e Liga është rubrikë satirike kushtetuese. Ngjarjet e mësipërme janë fiksion. Çdo lidhje me emra dhe ngjarje reale është rastësore. Deri nga fillimi i javës tjetër. Pastaj e shihni ju!

Spiropali eshte septike Jo skeptike