Urrejtja dhe dashuria

J L

Një ndjenjë e re, që zemrën peshë ma mban,

Sërish nga gjumi nesër do më zgjojë,

Do të harroj çdo gjë që ne na ndan

E atëherë çdo gjë do na bashkojë.

 

Kufijtë e ndarjes e të dashurisë,

Si fije peri, krejt të holla janë,

Ndaj dhe dilema rron mes njerëzisë,

Kur të dyja ndjenjat rriten pran’ e pranë.

 

Dhe njëra-tjetrën nat’ e ditë ushqejnë,

Në një mënyrë krejt të rastësishme,

Sot njëri-tjetrin për vdekje urrejnë,

Nesër shkrihen në puthje të magjishme.

 

Mes njëra-tjetrës kufi të saktë s’ka,

Se zemra s’mund të ndahet në kufi,

Kur ndez e shuan zjarre të mëdha,

Kur rrit urrejtje dhe dashuri.

 

Nuk tha më kot poeti i lavdishëm:

“Urrejtja është zjarr’ i dashurisë!…”,

Tërmetet s’janë nga ‘to më të fuqishëm,

Të dyja tok, motor i njerëzisë.

 

Kaq kam mësuar unë nga kjo jetë,

Jo thjesht për faktin se më la rinia,

Po bota krejt lëviz, në të vërtetë,

O nga urrejtja, o nga dashuria.

 

Dhe, për të tjerët, ndoshta mund të vlejë

Ajo që mbi të bardhë u shkrua me bojë:

Një zemër që s’ka forcën të urrejë,

Nuk ka fuqi as të dashurojë!…

 

 

Kur shuhen yjet dhe poetët

 

Me mijëra vargje shkruaj pa mundim,

Ata në tru më mbijnë më tepër,

Ndaj më mjafton të ulem, miku im,

Dhe ato mijëra thjesht t’i hedh në letër.

 

Sikur t’i biesh anembanë planetit,

Nuk mund të gjesh të tillë psikopat,

Po gjer tani, ofiqin e poetit

Ende e kam për shpresë dhe për fat.

 

Po në qofsha makinë poezie,

E di, atë ofiq do ta humbas

Dhe, në një çast të hidhur prej mërzie,

Për të shpëtuar, veten do ta vras…

 

Për të shpëtuar nderin, poezinë,

Veten do ta vras me të vërtetë,

Që të mos thonë: “U prish një makinë…”,

Po të thonë: “U shua një poet!…”

 

Po të thonë: “U shua një poet,

Që këndoi për zogjtë edhe pyjet…”

Në këtë botë, është e vërtetë,

Shuhen veç poetët dhe yjet.

Share This Article
1 Comment
  • “Nga dëshirat më të thella shpesh vjen urrejtja më vdekjeprurëse”. (SOKRATI)

    “Suksesi bën që shumë njerëz të të urrejnë. Unë uroj që mos të ishte kështu. Do të ishte e mrekullueshme të shijosh suksesin pa parë zili në sytë e atyre që janë përreth jush.” (Marilyn Monroe)

    Nëse urrejtja juaj do mund të shndërrohej në energji elektrike, ajo do të ndriçonte të gjithë botën. (Nikola Tesla)

    Më mirë të më urrejnë për atë që jam , se të më duan për atë që nuk jam. (Wayne Dyer)

    “Është e lehtë të urresh dhe është e vështirë të duash. Kështu funksionon e gjithë skema e gjërave. Të gjitha gjërat e mira janë të vështira për t’u arritur; dhe gjërat e këqija janë shumë të lehta për t’u marrë”. (Confucius)

    “Nuk ka të keqe më të madhe që dikush mund të vuajë se sa të urrejë diskursin e arsyeshëm”. (SOKRATI)

    “Njeriu i dijes duhet të jetë në gjendje jo vetëm që të dojë armiqtë e tij, por edhe të urrejë miqtë e tij”. (Friedrich Nietzsche)

    “Unë kurrë nuk kam takuar një gjeni. Një gjeni për mua është dikush që bën mirë diçka që ai e urren. Çdokush mund të bëjë mirë diçka që ai e do – është thjesht një çështje e gjetjes së subjektit”. (Clint Eastwood)

    “To make oneself hated is more difficult than to make oneself loved.” (Pablo Picasso)

    “People who are the salt of the earth get up and go to a job that they hate.” (Gene Simmons)

    “The hate of men will pass, and dictators die, and the power they took from the people will return to the people. And so long as men die, liberty will never perish.” (Charlie Chaplin)

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *