Usain Bolt, një vend mes perëndive

anazapta

Është më i shpejti i 107 miliardë njerëzve që kanë ecur mbi faqen e rruzullit. Olimpiadat njerëzore janë tepër të vogla për të, ai synon të sfidojë mekanikën humane e të hyjë midis të pavdekshmëve për të gjitha epokat

 

107 miliardë! Kaq janë njerëzit që janë endur mbi sipërfaqen e Tokës që nga fillimi i kohërave. Një varg pa fund. Një ortek këmbësh në lëvizje. Një stafetë pa mbarim fatesh. Ai që i prin grupit, me shpejtësi mesatare 45 kilometra në orë, është njeriu më i shpejtë në histori, Usain Bolt. Një gjysmëperëndi nga Xhamajka, ndonëse pa 1.25 centimetra që i mungojnë këmbës së djathtë për të qenë po aq e gjatë sa dhe e majta. E pikërisht në këto olimpiada epokash gjeologjike bëhen të pavdekshme medaljet e arta, aspak në 100 metrat e një piste atletike. Dhe ai e di. Me qetësinë e një felini, 26-vjeçari Usain tashmë nuk synon vetëm Olimpiadën e Rios. Apo rekordin e ri botëror. Ai synon traktatet e antropologjisë. Librat e testeve mbi mekanikën njerëzore. Madje, edhe më tepër: Një vend në fé.

– Jini i sinqertë, keni ëndërruar ndonjëherë të vraponi aq shpejt sa të vendosni një rekord të pathyeshëm nga të gjithë brezat e ardhshëm?

– Sigurisht që kam ëndërruar!

– Nëntë sekonda e 35 të qindtat?

– Le të themi 9 e 40. Është një kohë që besoj se mund ta arrij. Dhe, nëse ia dal, jam i sigurt se do të mbetej rekord i pathyeshëm për shumë vite.

– Po në 20 metra?

– Aty dua të thyej barrierën e 19 sekondave.

– A mund të ketë kufi shpejtësi e njeriut?

– Po, sigurisht. Por nuk është çështje stërvitjeje, është diçka strukturore. E shih me të vërtetë të pamundur të vraposh 100 metra për më pak se 9.20 sekonda.

– Thuhet se jeni shumë i pasionuar pas kriketit.

– E vërtetë.

– Si ka mundësi që njeriu më i shpejtë i Tokës të dashurohet me sportin më të ngadaltë në botë?

– Nuk di ç’të them, është një pasion që më shoqëron që nga fëmijëria. Gjithmonë ka qenë sporti im i preferuar, në shkollë luaja gjithë ditën. Dhe pikërisht gjatë një ndeshjeje kriketi ndodhi që trajneri im i parë vuri re talentin tim për të vrapuar. Kur kthehem në shtëpi, nëse kam mundësi, prapë luaj kriket.

– Keni të tjera pasione të ngadalta?

– Më i ngadalti nga të gjithë është ai për videogame. Mund të luaj për orë të tëra, FIFA Football, Grand Theft Auto e sidomos Call of Duty. E ngadaltë është edhe një maní tjetër, të cilën e kam si çdo xhamajkan, dominoja. Rekordi im është tetë orë domino pa ndërprerje, pa asnjë pushim të vetëm, nga tetë e darkës deri në katër të mëngjesit.

– Sipas jush, cila është shpikja më e madh e shekullit: Skype apo BMW X-series?

– Nuk ka fare garë, BMW X-series fitojnë medaljen e artë. Makinat janë një pasion i madh i imi.

– Pasion më i fortë se ai për futbollin?

– Betejë e fortë. Kur jam në Kingston, nuk ka të diel që të mos më gjesh në fushën e universitet të West Indies për ndeshjen e zakonshme me miqtë e mi.

– Me siguri që kundër jush luajnë butë…

– Krejt e kundërta, ndërhyjnë ashpër, sepse e dinë që unë jam ai që duhet mundur. Dhe nuk kam frikë se mos më vrasin.

– Nuk vjen kurrë trajneri t’ju nxjerrë nga fusha për veshi?

– Përpiqem që të mos më kapë, ndonëse nuk është e lehtë. Një ditë kalova poshtë shtëpisë së tij teksa po shkoja në ndeshje, por nuk më pa, falë xhamave të zinj të makinës. Edhe po të ketë ndonjë dyshim, e mohoj deri në vdekje.

– Pas debutimit të përfolur me Mançester Junajtid, nëse do të ndodhë ndonjëherë, çfarë do të donit që të shkruanin për ju si futbollist?

– Hm…, nëse do të shkruanin kryesisht që jam i shpejtë, e pranoj, do të mbetesha keq. Do të doja të nënvizonin klasin tim, lojën me topin. Kjo po që nuk do të kishte të paguar.

– Ekziston ndonjë mbrojtës aq i shpejtë sa t’ju ndalojë?

– Jo, nuk e besoj. Sipas jush, ekziston?

– Je i shpejtë edhe nga mendja, apo vetëm këmbët i ke të paarritshme?

– Po çfarë dreq pyetjeje është kjo? Sigurisht që jam i shpejtë edhe nga rradakja. Ej, shoku, mos u mat me mua…

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *