Nëse i përzgjidhni me kujdes ushqimet që konsumoni gjatë ditës, jo vetëm që mund të shpëtoni nga makthi i një trupi të dhjamosur, duke reduktuar njëkohësisht edhe mundësitë e prekjes nga sëmundje të ndryshme si ato të zemrës, anemive, kancerit, sëmundjeve të aparatit tretës, etj, të cilat në ditët moderne shfaqen si rezultat i kileve të tepërta. Dieta e kujdesshme ushqimore ndihmon në ruajtjen e metabolizimit, duke mos lejuar dobësimin e sistemit tretës, apo atij imunitar. Pikërisht në këtë drejtim rol thelbësor luan përzgjedhja e ushqimeve, duke u ndalur edhe në veçoritë specifike që diktohen nga grupi i gjakut.
Hartuesi i “Të ushqehemi drejt sipas grupeve të gjakut”, Peter Dadamo, sqaron se njohja e grupit të gjakut përcakton ndjeshmërinë tonë ndaj sëmundjeve , duke dhënë përcaktime të qarta se cilat janë ushqimet që duhet të hamë, dhe se si duhet të ushtrohemi për të mbajtur sa më larg sëmundje e përmendura. “ Grupi i gjakut është një faktor shumë i rëndësishëm që ndikon në nivelin e energjive tona, dhe formën se si duhet të djegim kaloritë. Ndërkohë që përcakton edhe reagimin tonë emocional ndaj stresit dhe aq më tepër formës së arrijmë të krijojmë personalitetin tonë”, citon në studimin e tij Dadamo. Rruga më e mirë për t’i shmangur problemet në shëndet, ka të bëjë me përzgjedhjen e kujdesshme të ushqimeve që konsumojmë gjatë ditës. E nëse këtë kujdes e fillojmë që tek fëmijët, mundësitë për t’u prekur nga këto sëmundje do të jenë shumë të pakta. Në vijim të shkrimit do të gjeni të detajuar listën e dytë të ushqimeve që bëjnë mirë për personat që kanë grup gjaku AB. Në përgjithësi njerëzit që kanë këtë grup gjaku kanë sistem imunitar të dobët, dhe si rrjedhojë janë shumë të ndjeshëm ndaj baktereve dhe viruse që hyjnë lehtësisht në organizëm. Gjithashtu janë të rrezikuar për t’u prekur nga sëmundjet e qarkullimit të gjakut, kancerit dhe nga anemia. Sipas rekomandimeve të dhëna grupi AB mund të hajë pak nga të gjitha ushqimet, pa e tepruar me produktet e qumështit, apo mishrave të tymosura, teksa përparësi u jepet perimeve, barishteve dhe frutave.
Perimet dhe barishtet e freskëta
Perimet e freskëta janë një burim i rëndësishëm elementësh natyrorë që kanë ushqimet, dhe që ndihmojnë në parandalimin e kancerit, e të sëmundjeve të zemrës. Këto janë dy sëmundjet që janë më të përhapurat në grupet e gjakut A dhe AB, për shkak të sistemit të tyre imunitar më të dobët. Perimet e freskëta duhet të konsumohen disa herë gjatë ditës. Grupi AB ka një mundësi të madhe zgjedhjesh. Në përgjithësi perimet që bëjnë mirë për grupin A dhe B, janë të dobishme edhe për këtë grup gjaku. I vetmi përjashtim pozitiv në këtë rast është domatja, e cila nuk rekomandohet për dy grupet e tjera, ndërsa për grupin AB, bën shumë mirë pasi ka në përmbajtje të saj lektinën, e cila ngjitet pas indit muksulor dhe ndikon në ndryshimin e qelizave që mund të jenë kanceroze, duke bërë transformimin e tyre. Grupi AB duhet të mënjanojë misrin e ëmbël dhe të gjitha prodhimet e misrit. Grupi AB duhet të hajë tofu, në sasi të vogla të kombinuara me mishin, ose prodhime të qumështit. Tofu njihet gjithashtu për cilësitë e veta antikanceroze. Njerëzit që kanë këtë grup gjaku duhet të largojnë nga dieta e tyre ditore specat, të çfarëdolloj qofshin.
Shumë të dobishme – Patëllxhanë, gjethe panxhari, kungulli, kastraveci, lulelakër, panxhar, brokoli, selino, hudhra, gjethe sinapi, majdanoz, patate të ëmbla, kërpudha, etj.
Neutralë – Asparagë, fidanë bambuje, karotë, domate, spinaq, xhinxher, sallatë jeshile, qepë, bamje, lakër, kunguj të vegjël, presh, patate të bardha, ullinj, kërpudha, etj.
Të dëmshme – Avokado, piper djegës, ullinj të zinj, speca të kuq, jeshil apo të verdhë, bathë, angjinare, misër i ëmbël, etj.
Bishtajat
Bishtajat janë nga ato ushqime që cilësohen si me efekt të përzier për njerëzit që kanë këtë grup gjaku. Thjerrëzat dhe fasulet janë shumë të mira për këtë grup, ndërkohë që për grupin B nuk ishin të rekomandueshme. Thjerrëzat dihet që kanë elementë antioksidues me efekt antikanceroz. Nga ana tjetër fasulet e thata ngadalësojnë prodhimin e insulinës dhe mund të shfaqin probleme.
Frutat
Njerëzit që kanë këtë grup gjaku duhet ta fillojnë ditën duke pirë një gotë ujë të ngrohtë me gjysmë limoni, në mënyrë që të pastrohet organizmi nga mukusi dhe helmet që mund të jenë mbledhur gjatë natës në sistemin tretës. Uji me limon gjithashtu ndihmon edhe jashtëqitjen. Në vazhdim vijoni me një gotë lëngu të përftuar nga gejpfruti. Sa i takon këtij grupi ushqimesh cilësohen si shumë të dobishme për konsum “Lëngu i qershie së zezë, lëngu i karotës, lëngu i rrushit, lakrës, papajës, selinës”. Ndërsa mund të konsumohen edhe lëngu i mollës, perimeve të dobishme, kumbullës, lëngu i ananasit, por në sasi të kontrolluara. Në listën e të dëmshmeve për këtë grup gjaku bën pjesë lëngu i portokallit.
Erëza, bimë të thata dhe përpunime
Kripa e detit duhet të zëvendësojë kripën e zakonshme të rafinuar. Përmbajtja e tyre me natrium është e ulët, gjë kjo e rëndësishme për grupin AB, pasi siguron efektet e duhura pozitive për sistemin imunitar dhe mbrojtjen e zemrës, ku dihet se kripa është një armik i saj. Ndërkohë që ndihmon edhe në kontrollin e peshës së tepërt. Mos e përdorni uthullën edhe pse mund të bëjë pjesë në listën e ushqimeve neutrale. Kjo pasi uthulla dhe të gjitha piperkat kanë përmbajtje të lartë aciditeti, çka mund të jetë e dëmshme për organizmin dhe sistemin e ndjeshëm tretës që kanë personat me këtë grup gjaku. Në vend të uthullës mund të përdorni ujë me limon, si dhe erëza për perimet dhe sallatat. Mos u trembni të hani hudhra. Hudhrat shihen si një qetësues i fuqishëm dhe një antibiotik natyral, sidomos për njerëzit që kanë këtë grup gjaku. Ndërsa sheqeri dhe çokollata duhen përdorur, në masë dhe me kujdes të madh. Në grupin e ushqimeve neutrale përfshihen borziloku, majdanozi, mustarda, çokollata, hudhra, mjalti, mendra, uthulla, salca e sojës, kripa, vanilja, etj. Më tej, të dëmshme dhe që duhen shmangur në konsum janë shurupi i misrit, uthulla e bardhë, piperi i zi, i bardhë, apo i kuq pluhur, xhelatina, mielli i misrit, etj.
Përpunime frutash
Mos përdorni turshi, sepse grupi AB është i prirur për t’u sëmurur nga kanceri i stomakut. Gjithashtu duhet të shmangni nga përdorimi i përditshëm keçapin pasi ka në përmbajtje uthull. Nuk ka ushqime të dobishme në këtë grup. Ndërsa neutralë cilësohen marmelata, majoneza, mustarda, të cilat mund të konsumohen, por në sasi shumë të kufizuara. Të dëmshme janë turshitë dhe keçapi.
Çaj nga bimët mjekësore
Grupi AB duhet të pijë çaj nga bimët për të forcuar sistemin e vet imunitar, si dhe për t’u mbrojtur nga problemet e zemrës dhe të kancerit. Kamomili duhet përdorur pasi qetëson sistemin imunitar. Shumë mirë për sistemin imunitar bën edhe përdorimi i çajit jeshil. Çaji nga gjethja e luleshtrydhes, ndihmon në përvetësimin e hekurit dhe parandalon aneminë.
Shumë të dobishme – Çaj jeshil, xhinxher, xhinseng, etj.
Neutralë – Kamomili, gjethe luleshtrydhesh, majdanoz, valeriana, etj.
Të dëmshme – Tërfili, tilio, mustaqe misri, sena, etj.
Pije të ndryshme
Vera e kuqe bën mirë për njerëzit që kanë këtë grup gjaku, pasi ndihmon në sistemin e qarkullimit të gjakut. Thuhet se një gotë verë në ditë e kuqe ul rrezikun e sëmundjeve të zemrës si për burrat ashtu dhe për gratë. Një ose dy filxhanë kafe në ditë të zakonshme, ose pa kafeinë rrit acidet e stomakut, duke sjellë në organizëm të njëjtat enzima që ka edhe soja. Që të keni përfitim më të madh për shëndetin është mirë që ta kombinoni me çajin jeshil. Në grupin e ushqimeve shumë të dobishme bëjnë pjesë kafja, e çaji jeshil. Neutralë cilësohen soda, birra, vera e kuqe dhe e bardhë. Ndërkohë që janë të dëmshme pijet me ngjyrë, çaji i zi i zakonshëm, apo pijet freskuese me ngjyrë që kanë në përbërje të tyre ngjyrosës artificial.
Vitamina C mban larg kancerin e stomakut
Njerëzit e grupit AB që shfaqin përqindjet më të larta të kancerit të stomakut, për shkak të acideve të ulëta të stomakut, kanë dobi nga plotësimet me vitamina C. Për shembull kripërat nitrate që gjenden në mishrat e tymosura dhe të thara mund të krijojnë probleme për grupin AB, sepse cilësitë e tyre kanceroze fuqizohen në njerëzit që kanë nivel të ulët të aciditetit në stomak. Është e njohur tashmë vitamina C për vetitë e saj antikanceroze. Konsumi i kësaj vitamine bllokon këtë veprim. Megjithëse gjeja më e mirë është që të ndaloni konsumin e këtyre ushqimeve sa më shumë që të jetë e mundur. Por, kjo nuk do të thotë se duhet të hiqni dorë në mënyrë kategorike nga to, thjeshtë duhet të kontrolloni sasinë që konsumoni. Por, gjithashtu duhet të dini se kjo nuk do të thotë që duhet ta teproni edhe me sasitë e marrjes së vitaminës C. Është vërejtur se në sasi më të mëdha se 1000 mg në ditë mund të shkaktojnë probleme në stomakun e grupit AB. Dy apo tri kapsula nga 250 mg janë të këshillueshme për t’u përdorur, e jo më shumë. Ushqimet më të mira dhe të pasura me vitaminë C rezultojnë të jenë lulelakra, qershia, grejpfruti, limoni, ananasi, etj.

mund te na jepni nje djete te kriuar nga ju per grupin e gjakut AB pozitiv